Foto arkive

Fatos Çoçoli: Dënim penal për pagë të trukuar? Pensionistët humbasin 60-70 milionë euro në vit nga pagat e deklaruara më pak nga sa janë në të vërtetë

26 Tetor, 09:33| Përditesimi: 26 Tetor, 09:41

  • Share

Llogaritje të OJF-ve serioze për studimet ekonomike tregojnë se shifra e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara nga diferenca abuzive e pagave në borderonë që i dorëzohet shtetit, me listë-pagat reale të biznesit privat është në nivele 60-70 milionë euro në vit. Në këtë dekadën e fundit, janë rreth 660 milionë euro të mohuara pensionëve të 720 mijë pensionistëve tanë. Kjo përbën krim ekonomik dhe duhet të ketë edhe pasoja penale, nëse sipërmarrjet që trukojnë nuk i korrigjojnë pagat e deklaruara  në organet tatimore.

Arrest për ata që trukojnë pagat?

Kryeministri deklaroi se mund edhe të arrestohesh, nëse mban të punësuar me paga të trukuara në sipërmarrjen tënde. A duhet shkuar deri tek arresti?

Në kohën e skandalit të 637 mijë pagave të shqiptarëve, të bëra publike më 22 dhjetor 2021, nga rrjedhja më e madhe e informacionit në historinë e administratës sonë publike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u formua Njësia Anti-informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet. Kjo Njësi analizoi 142 mijë vende pune të paguara nga mbi 10 mijë kompani private.

Pastaj analizoi pagat e mijëra kompanive të tjera. Rezultati i marrë ishte tronditës. Pas dekadash pune në tym dhe mjergull të Inspektoratit të Punës dhe të strukturave të tjera që kanë detyrë të kontrollojnë deformimet nga pagat reale dhe i marrin kot rrogat e tyre nga paratë tona si taksapagues, doli që mbi një e katërta e të punësuarve të kontrolluar fillimisht, ose tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tre tatimpagues, reaguan pozitivisht nga kontrolli jo gjobvënës dhe oferta publike e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përmes letrës në janar 2022.

Këto kompani e rritën vetë pagën për më shumë se 30 përqind të numrit të punonjësve të tyre. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se gati në një të tretën e sipërmarrjeve private, ka punonjës që firmosin në bordero për pagën e tyre, më pak nga sa realisht marrin.

Aktualisht janë mbi gjysma (55 përqind) e të punësuarve në vend që nuk e arrijnë pagën mesatare prej 74 mijë lekë të reja në muaj. Prej tyre, pjesa dërrmuese paguhen minimalisht 40 mijë lekë, që është vlera e pataksuar.

Pagat e trukuara, krim ekonomik për pensionistët

Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të pagave në mesataren e pagave në vend, lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra e mijëra sipërmarrje private deklarojnë në bankë pagën minimale dhe pjesën tjetër ua japin në dorë punonjësve të tyre. Në tabelën e mëposhtme, me të kuq janë theksuar ata sektorë privatë, me mundësi të mëdha për trukim pagash.

Ku janë pagat e trukuara?
Paga mesatare në sektorët kryesorë të ekonomisë, tremujori II, 2024:
-        Bujqësi                                                              50.134 lekë/muaj
-        Ndërtim                                                             59.721 lekë/muaj
-        Tregti, turizëm, restorante, etj.                          60.682 lekë/muaj
-        Industri                                                              65.093 lekë/muaj
-        Arte, argëtim                                                     74.781 lekë/muaj
-        Administratë shtetërore                                     84.793 lekë/muaj
-        Komunikacione dhe informacion                      123.134 lekë/muaj
-        Banka, shoqëri sigurimi, etj.                             166.068 lekë/muaj

 Duke trukuar pagat, ulet sidomos vlera e kontributeve që paguhen nga punëdhënësi, i cili në pagën mbi 40 mijë lekë të vjetra ka 15 përqind sigurime shoqërore për punëmarrësin. Për pasojë vetëm si rezultat i kontributeve të ulëta për shkak të nëndeklarimit të rrogave, pensionet po dalin çdo vit e më të ulëta.

Sipas INSTAT, të punësuarit në privat tek ne janë mbi 1 milionë e 70 mijë. Shifra 30 përqind me paga të deformuara është vërtet tronditëse. Nëse marrim një mesatare page prej 690 euro në muaj në sektorin privat, i bie që 210 milionë euro paga në muaj të mos jenë të deklaruara korrekt në Shtet. Ose një evazion të paktën 6 milionë euro në muaj apo mbi 70 milionë euro në vit. Para të padhëna Shtetit nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Ose mbi 72 milionë në euro në vit para të mohuara pensionistëve tanë, që mund të kishin parë pensionin e tyre të rritej me 15-20 mijë lekë të vjetra më shumë çdo muaj. Kjo po që përbën  krim ekonomik! Dhe duhet ndëshkuar në mënyrën më të ashpër, që trukimi i pagave të mos jetë më një dukuri kaq e përhapur tek ne.

Asnjë vend tjetër i ngjashëm me ne në rajon, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, nuk e ka kaq të përhapur shmangjen fiskale nga trukimi i pagave. Prandaj dhe janë në gjendje të rrisin pensionet më shumë se ne.

Pensionet në Shqipëri dhe në rajon
Pensioni mesatar në rajon, 2024:
-        Mali i Zi                               338 euro/muaj
-        Serbia                                 304 euro/muaj
-        Maqedonia e Veriut            288 euro/muaj
-        Bosnje-Hercegovina           211 euro/muaj
-        Shqiperia                            190 euro/muaj
-        Kosova                               175 euro/muaj

Letra e dytë e administratës tatimore për bizneset

Kryeministri përmendi edhe sot në takim me një grup biznesesh, se ai që trukon pagën (në rradhë të parë punëdhënësi), duhet të mbajë përgjegjësi materiale në formë gjobe, por edhe penalen nëse e përsërit, deri në arrestim.

Pak javë më parë, administrata tatimore, në një letër të dytë pas janarit 2022, ju bëri thirrje bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda datës 20 tetor 2024. Tatimet u kërkojnë bizneseve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve, orët e punës, profesionin dhe numrin real të punonjësve të punësuar në biznesin e tyre.

Në letrën sensibilizuese që ju ka shkuar bizneseve që janë cilësuar në zonën e rrezikut për trukim pagash,  tatimet ju rikujtojnë detyrimet ligjore, si dhe ndëshkimet që parashikohen nga Ligji i Procedurave Tatimore dhe nga Kodi i Punës, kur ato nuk respektohen. Tatimet përmendin se do të kenë zero tolerancë ndaj sipërmarrjeve që abuzojnë me pagën e punonjësve.

Ndërsa bizneseve të tjera, ju është dërguar një email po nga tatimet, për të korrigjuar deklaratat dhe për të paguar sigurimet e punonjësve.

Tani, administrata tatimore po analizon deklarimet e pagave që kanë bërë bizneset deri më 20 tetor 2024. Atyre sipërmarrjeve që klasifikohen me rrezik për evazion, administrata do ju lërë afat deri më 20 nëntor 2024, për të reflektuar. Nese nuk reflektojnë, strukturat e hetimit tatimor do t’i kontrollojne.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ago: 26/10/2024 11:27

    Po mire ti autor: Pse nuk permend faktin qe vidhen miliona euro per 2km rruge dhe nese nuk do vidheshin do dilte me mire buxheti dhe me rezerve edhe per pensionistet? 1mln euro ne vit te kursehet dhe pensionisteve i ndryshon jeten. Pse nuk permend kostot e institucioneve per makina e teprica qe bejne? Pse na qenka kaq problem paga me e ulet e nje pjese bizneseve problemi kryesor? Hajde bejme nje matje te shpenzimeve te tepruara te ministrive pastaj flasim per kete teme. Cfare thote rapoeti i KLSH qe peoblem jane mosdeklarimet apo vjedhjet dhe abuzimet? Here tjeter me i perqendruar ne problem se sa ne llafe

    Përgjigju
    • Xhimi: 26/10/2024 18:29

      pse nuk thua qe kompanite me tendera deklarojne dhe pagat me te uleta. Do bente mire kryeministri te publikonte pagat si ne vendet nordike per gjithe agjentet jo buxhetore si transparence per buxhetin e shtetit dhe kusht per pjesemarrjen e tyre ne tenderat e ardhshem

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?