Samiti i BE në Tiranë

Fatos Çoçoli: Dobitë ekonomike të 6 dhjetorit

7 Dhjetor 2022, 21:24| Përditesimi: 7 Dhjetor 2022, 21:30

  • Share

Për herë të pare, samiti(takimi i nivelit më të lartë) i Bashkimit Evropian mbahet në një vend jo anëtar të unionit. Kryetema e samitit të 6 dhjetorit ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian me të gjashtë shtete e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për një treg me 18 milionë qytetarë të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës.

Sa seriozisht e ka Brukseli me ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor?

E ka shumë seriozisht. Në Tiranë, drejtuesit e Bashkimit Evropian siguruan angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së pranimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të bisedimeve të anëtarësimit për seicilën prej tyre, pavarësisht se në ç’fazë të integrimit ndodhen. Dhe integrimi në rradhë të parë është ekonomik. Po ç’perfitoi nga takimi i djeshëm vendi ynë, Shqipëria?

Tabela 1. Të mirat ekonomike afat-shkurtra nga Samiti i 6 dhjetorit

Nr.
Treguesi
Vlera
Cilësim
1
Biseda më të lira telefonike me të afërmit emigrantë
Kursimi 4-5 mln euro në muaj. 48 mln euro në vit. Marrëveshja për Roaming
- Sipas EUROSTAT, ka 1.64 mln emigrantë shqiptarë në BE.
- Mesatarisht një familje shqiptare harxhon 1.000-1.500 leke në muaj për bisedat me jashtë 
2
Ndihmë për krizën energjitike
80 mln euro
 
- Fondi për Ballkanin Perëndimor është 0.5 miliardë euro.
- Paratë janë grant (dhuratë), jo kredi e bute
3
Ndihmë për energjitë e gjelbra
Nuk dihet pjesa për Shqipërinë
-BE ka dedikuar një fond prej 1 miliardë euro për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, për projektet e paneleve diellore dhe parqeve eolike
4
Shtim të fondeve IPARD III në bujqësi dhe zhvillim rural
Nuk dihet shuma që do të rritet
-Janë dyfishuar masat(temat për financim), në kuadër të Programit IPARD III në bujqësi, në krahasim  me IPARD II. Shpresa është për të paktën 30 mln euro më shumë në IPARD III
5
Shtim të projekteve të kohezionit social dhe atyre në fushën e arsimit
Nuk dihet shuma që do të rritet
- Do të ketë një vëmendje më të madhe për nevojat sociale dhe arsimore të Shqipërisë. Sfida dhe topi tek autoritetet tona, për të përgatitur projekte konkurruese

Samiti bisedoi në detaje për bashkëpunimin rajonal dhe përballimin e krizës energjitike nga pasojat e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. U konfirmua shifra prej gjysëm miliardë euro që Bashkimi Evropian jep për të gjashtë vendet, për të përballuar krizën e energjisë elektrike. Nga këto, 80 milionë euro grante(dhuratë) i jepen Shqipërisë. Të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ju ulën tarifat e bisedave ndërkombëtare Roaming me të 28 vendet e Bashkimit Evropian. BE premtoi se do të bashkëpunojë ngushtësisht me të 6 vendet për zgjidhjen e të gjitha problemeve që lidhen me krizën energjetike. Dhe kjo nuk është pak.

Përfitimet ekonomike afatgjata të Shqipërisë

Për Shqipërinë, vendin pritës të këtij takimit të 6 dhjetorit, mes drejtuesve të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe të 25 shteteve anëtare të BE-së, si dhe drejtuesve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfitimi ekonomik është i konsiderueshëm. Investuesit kryesorë të huaj në Shqipëri janë nga vendet e Bashkimit Evropian. Prania e kryeministrave të vendeve kryesore të BE-së, nga na vjen kapitali i huaj, si i kryeministrave të Italisë, Greqisë, Austrisë, Hollandës, etj., është një mesazh më i rritur sigurie për të investuar në Shqipëri.

Tabela 2. Dobitë ekonomike afatgjata nga Samiti i 6 dhjetorit

Nr.
Treguesi
Vlera
Cilësim
1
Imazh i përmirësuar dhe i rritur i Shqipërisë, si një vend i sigurtë për investuesit e huaj
+ 850-900 mln euro IHD për 2023-2027
- Investime të shtuara, sidomos nga Italia, Greqia, Austria, Holanda, etj.
 
2
Shtim i ndjeshëm i investuesve të huaj në panele diellore dhe parqe eolike
+ 650 mln euro për 2023-2027
 
 
3
Rritje e vëllimit dhe numrit të projekteve të zhvillimit, të miratuara nga Komisioni Evropian
+ 520 mln euro për 2023-2027
 
- Rritje e numrit të projekteve dhe aplikimeve në bujqësi, zhvillim rural, peshkim, agro-turizëm, etj.
4
Rritje e imazhit të turizmit shqiptar
+ 700 mijë turistë të huaj për 2023-2027
 
-Ishin me dhjetra gazetarët perëndimorë të pranishëm në Samit. Shtim i kureshtjes për një vend dikur të izoluar, si Shqipëria, tani kaq të sigurtë, për ta vizituar

Përfitimi madhor ekonomik afatgjatë është pa dyshim shtimi i vëllimit të kapitalit të huaj, nga vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Ky kapital i huaj parashikohet të vijë i konsiderueshëm për pesë vitet e ardhshme 2023-2027, sidomos nga vende si Italia, Gjermania, Greqia, Austria, Holanda, etj.

Përfitimi i dytë afatgjatë është shtimi i projekteve zhvillimore nga ana e vetë Bashkimit Evropian. Do të jenë projekte të miratuara nga qeveria e BE-së, nga Komisioni Evropian, brenda buxhetit të tij vjetor prej mbi 298 miliardë eurosh. Do të kemi projekte më shumë në industrinë e paneleve diellore, parqeve eolike, aplikimeve në bujqësi, zhvillim rural, agro-turizëm, etj.

Përfitimi i tretë afatgjatë dhe krejtësisht i dukshëm do të jetë rritja e imazhit të turizmit tonë, edhe nga kërshëria dhe raportimet e mbi 400 gazetarëve të huaj, të pranishëm në samitin e parë të BE-së, të zhvilluar jashtë një vendi anëtar të Bashkimit Evropian.

Mjediset e bukura ku miqtë u pritën në Tiranë dhe koha e mrekullueshme me diell, përmes një Evrope Perëndimore të përfshirë nga stuhitë e dëborës dhe kohës së keqe, përbëjnë një sponsor jo të vogël për turizmin shqiptar për vitin 2023 e më tej, deri në vitin 2027. Viti i ardhshëm 2023 shpresojmë fort që të jetë i mbarë për turizmin tonë, siç ishte dhe ky që po mbyllim, i Tiranës, kryeqytetit evropian të Rinisë 2022 dhe vend organizator i një finaleje të futbollit evropian. Për vitin 2023 kanë nisur që tani prenotimet. Koha e mirë duket që në mëngjez, thotë populli.   

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?