Më 14 shkurt 2025, Shqipëria emetoi (mori hua në tregjet e huaja të kapitalit) në bursën e Londrës eurobondin e saj të shtatë. Eurobondi është një hua në tregjet ndërkombëtare. Kërkuam si shtet hua në tregun e kapitaleve në Londër 650 milionë euro dhe i morëm këto para (pra emetuam eurobondin e shtatë) me një interes më të ulët, nga sa mendonim se do t’i merrnim.
Nga 5.5 përqind në 5 përqind. Ose 3.25 milionë euro më lirë. Kur dolëm për herë të parë në tregjet ndërkombëtare në maj 2010, 15 vite më parë, për Shqipërinë ishin të interesuara të jepnin para hua vetëm tre kompani të huaja.
Tani, për herën e shtatë në këto 15 vite, për ne ishin të interesuara 195 kompani investitore për këtë emetim. Ose, si numër, 31 përqind më shumë nga eurobondi i gjashtë në vitin 2023.
Pse investuesit e huaj na besojnë
Kjo hua na siguroi para për financimin e borxheve të kaluara dhe për mbështetje buxhetore. Dalja e Shqipërisë për borxh në tregjet ndërkombëtare ishte dhe një test, një provë e vendit. Ajo provoi besimin e investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare në tërësi dhe në financat tona publike në veçanti. Ky besim nuk ishte lëkundur. Në të kundërt. Ishte shtuar. Po pse?
Së pari, Shqipëria po kalon një moment pozitiv ekonomik. Ajo është vlerësuar në performannën e saj nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të aftësisë së pagimit të borxhit publik, “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”. Financat tona publike janë në një hov të mirëfilltë.
Treguesit kryesorë makroekonomikë, si rritja ekonomike, ulja e inflacionit vjetor, ulja e borxhit publik, kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Borxhi publik në fund të vitit të kaluar 2024, zbriti për herë të dytë që nga viti 2011, nën nivelin 60 përqind të prodhimit kombëtar. Ai ishte 58.2 përqind e Prodhimit tonë Bruto të Brendshëm(PBB, prodhimit kombëtar). Borxhi publik pritet të ulet akoma dhe më shumë në këto tre vite, duke shkuar në 55 përqind në vitin 2027.
Borxh me normë interesi më të ulët
Ky është eurobondi i shtatë që Shqipëria merr në tregjet e huaja të kapitalit, me afat shlyerjeje më të gjatin deri tani(së bashku me eurobondin e gjashtë). Plot dhjetë vjet. Që prej vitit 2010, vendi ka marrë hua me eurobonde 3.8 miliardë euro në tregun e huaj.
Borxhi i marrë këtë vit është me normë interesi gati një përqind (0.9 përqind) më i ulët se 600 milionë eurot e emetuara në 2023 që kishin interes 5.9 përqind.
Së dyti, për herë të tretë në vitin 2024, të ardhurat e buxhetit në bilancin primar(bilanc ky që del, pa llogatitur rishpërndarjen) ia kaluan shpenzimeve, ndërsa detyrimet e prapambetura arritën në nivelin më të ulët, që nga viti 2016 i nisjes së vëzhgimit të tyre. Ato kapën vetëm 0.8 përqind të shpenzimeve buxhetore vjetore.
Financat publike në përmirësim të ndjeshëm
Së treti, viti i kaluar shënoi po ashtu një përmirësim të ndjeshëm edhe në bilancin e llogarisë korrente, pra në bilancin se sa para na hyjnë në total dhe sa na dalin nga vendi. Në vitin 2024, pavarësisht se treguesit janë akoma operativë, tek ne hynë 4.9 miliardë euro nga turizmi, ose 700 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Nga ana tjetër, hynë edhe 1.6 miliardë euro investime të huaja të drejtpërdrejta dhe rreth 1.1 miliardë euro dërgesa të emigrantëve.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, Ministria jonë e Financave po avancon sistemet e kontrollit të brendshëm financiar publik, në përputhje me praktikat e ministrive të financave të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian.
Vendi po nxit dhe integron elementët e ekonomisë së gjelbër, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër(Green Deal) të Bashkimit Evropian, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzimet drejt aktiviteteve të gjelbra. Ministria e Financave po punon të rrisë kapacitetet për programimin makroekonomik, si edhe për parashikimet makro-fiskale, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së dhe të Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka rishikuar kuadrin ligjor për Menaxhimin e Investimeve Publike, duke përparësuar një listë unike me projekte me rëndësi kombëtare, si hekurudhat Tiranë-Rinas-Durrës, Durrës-Rrogozhinë dhe Vorë-Hani i Hotit, akse thelbësore rrugore, portin e ri kombëtar në Porto-Romano, etj.
Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është angazhuar për këto tre vite 2025-2027, në një investim trepalësh Shqipëri, Itali dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë 1 miliardë euro, për shtrimin e kabllit energjitik nënujor Shqipëri-Itali, si dhe për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe në energjinë e ripërtëritshme tek ne.
Të gjitha këto nuk kalojnë pa u vënë re dhe vlerësuar nga investitorët e huaj që na besojnë kapitalet e tyre.
Komente
