Foto ilustruese

Opinion

Fatos Çoçoli: Hapësirat publike dhe përfitimi ynë

16 Korrik, 12:03| Përditesimi: 16 Korrik, 12:08

  • Share

Sa prej nesh kemi kaluar në trotuaret e ngushta të qyteteve tona kryesore, shumica të zëna pjesërisht me rreshta tavolinash të kafeneve dhe restoranteve, apo pikave të tregtimit me pakicë? Ndoshta të gjithë prej nesh.

Sa prej nesh kemi qenë edhe të detyruar të dilnim në rrugë, për të shmangur hapësirat e zëna të trotuareve publike, duke rrezikuar ndonjë sponde makine? Ndoshta shumica prej nesh.

Sa prej nesh jemi ndjerë të pafuqishëm në vendin tonë për të ndryshuar këtë situatë anormale, duke thënë me mendje, ose shokut apo të afërmit: “Eh, ky vendi ynë nuk bëhet!”?

Ndërkohë, në ditët e fundit, për ata prej nesh që nuk janë në zonat bregdetare, por ende durojnë vapën e qyteteve, kemi ndjerë diçka të përzier, kur kemi parë shumë hapësira sheshe apo trotuare, të boshatisura nga zënia me rreshta tavolinash apo konstruksione panelesh me xhama të lokaleve dhe kioskave të stërzgjatura në mjediset tona publike.

Qytetet e përfshira në aksionin 11-16 korrik 2025
Tirana
Durrësi
 Vlora
Shkodra
Elbasani

Kemi përjetuar një ndjenjë lehtësimi, të përzier me një tjetër ndjenjë pakënaqësie ndaj shëmtirës së përkohshme të krijuar, bashkuar edhe me ndjenjën e pasigurisë dhe dyshimit se mos kjo boshatisje mbushet sërish me zgjatime private, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën.

Aksioni përfshin:
Heqjen e tavolinave dhe karrigeve të lokaleve që zënë trotuaret dhe kalimet e këmbësorëve pa leje;
Prishjen e ndërtimeve pa leje, kioskave, strukturave të përkohshme apo tarracave që shtrihen në hapësira publike;
Kontroll të përditshëm nga inspektoratet bashkiake dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IKMT-në, për të ndaluar çdo rikthim të informalitetit në këto hapësira.

Në rang vendi, përllogariten mbi 250 mijë m2 hapësira publike të zëna. Gati gjysma e tyre është liruar në pesë ditët e para të aksionit 11-15 korrik 2025

Apo do të jetë i përhershëm ky ndërtim i shtetit ligjor në këtë përmasë dhe bashkitë vërtet do të sjellin projekte të bukura për qytetarët në boshatisjen e shëmtuar që erdhi nga aksioni? Nisma e kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në qytetet tona kryesore, me theks të veçantë në Tiranë dhe në qytetet bregdetare si Vlorë dhe Durrës, është paraqitur si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’ia kthyer qytetin qytetarëve.

Arsyet e Aksionit:

1. Bllokimi i trotuareve për këmbësorët

Në shumë qytete, sidomos në zona të frekuentuara, qytetarët janë detyruar të ecin nëpër rrugë për shkak të lokaleve që kanë zaptuar çdo centimetër të trotuarit.

2. Kërcënimi ndaj sigurisë publike

Pengesat e paligjshme në rrugë dhe trotuare rrisin rrezikun për aksidente, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.

3. Pabarazia ekonomike

Bizneset që respektojnë ligjin ndihen të penalizuara përballë atyre që ushtrojnë aktivitetin mbi hapësira publike pa paguar taksa dhe tarifa.

4. Pamja urbane dhe e drejta për qytetin

Pushtimi i hapësirave të përbashkëta ka dëmtuar rëndë estetikën urbane dhe cilësinë e jetesës, veçanërisht në qendrat historike dhe zonat turistike.

Aksion i përkohshëm apo përditshmëri qytetare?

Për të ndaluar procesin e shëmtuar disa dekadash tashmë, të zaptimit të trotuareve, parqeve, brigjeve të detit dhe shesheve publike nga ndërtimet pa leje, kioskat, lokalet dhe bizneset që kanë zgjeruar aktivitetin jashtë çdo rregulli e logjike bashkëjetese mes sipërmarrjes private dhe hapësirave publike.

Kryepyetja e qytetarëve, përtej shqetësimeve të vogla sociale të atyre të punësuarve në bizneset që një pjesë të mirë të aktivitetit e mbështesnin mbi kaparimin e hapësirës publike, është: a do të vijojë gjatë ky aksion, për të sjellë shtetin ligjor në kaosin tonë urban, apo do të jetë jetëshkurtër, si shumë të tjerë përpara tij?

E vërteta e parë është që një kontroll të tillë të rreptë urbanistik nga Policia Bashkiake dhe punonjës të Institutit të Kontrollit dhe Menaxhimit të Territorit (IKMT) nuk kemi parë deri tani në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Si dhe kundërpërgjigje të menjëhershme të vetë bizneseve kaparuese, që kanë çmontuar brenda natës strukturat prej duralumini dhe xhama në zonat e zëna, si dhe hequr rreshtin e dytë të tavolinave dhe karrigeve në sheshe apo mbi trotuare.

Sfidat e zbatimit afatgjatë të Aksionit:
Rezistenca e bizneseve që kanë investuar në struktura të përkohshme
Mungesa e alternativave të ligjshme për zgjerimin e hapësirave tregtare, sidomos në zonat me shumë frekuentim
Presioni ndaj bashkive, që shpesh kanë lehtësuar këtë zaptim, përmes tolerancës ose dhënies së lejeve të dyshimta

Sfidat e lirimit të hapësirave publike

Megjithëse nisma kryeministrore ka marrë mbështetje nga pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe nga opinioni i arkitektëve të pashitur tek bizneset abuzive, nuk kanë munguar disa kritika tërësisht të drejta. Shumë qytetarë kanë pyetur gati me pezëm: “A nuk mund të pritej sa të mbaronte ky sezon veror turistik shumë i rëndësishëm dhe të nisej aksioni në ditët e para të tetorit?!”.

Disa të tjerë kanë theksuar rrezikun e përzgjedhshmërisë në zbatim. Nuk duhet lejuar që ndërhyrjet të bëhen në mënyrë përzgjedhëse, duke kursyer sipërmarrje private me lidhje politike dhe duke goditur më shumë tregtarët e vegjël.

Deri tani kemi mungesë alternativash, për të prekurit më rëndë nga nisma. Disa nga personat që humbasin hapësirat e zëna, si tregtarët ambulantë, ngelen të pambrojtur dhe të paofruar me alternativa të ligjshme për punën e tyre.

Vërtet, nisma për lirimin e hapësirave publike është hap pozitiv drejt urbanizimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në qytetet tona kryesore, por ama, suksesi i saj do të matet në mënyrën se si zbatohet në praktikë. A do të zbatohet njësoj për të gjithë? A do të shoqërohet me politika sociale për ata që preken?

Vetëm një qasje gjithëpërfshirëse dhe tërësisht transparente, dukë përparësuar tani dialogun me shoqatat e biznesit, mundet dhe do ta bëjë këtë nismë një model real të menaxhimit modern urban në Shqipëri. Duket se momentalisht, luftën për qytetarinë dhe rregullin urban në qytetet tona e ka fituar nisma kryeministrore. Bizneset kanë paralajmëruar protesta përballë Kryeministrisë. Të shohim si do të vijojë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Geofrey: 16/07/2025 14:16

    Ne kucove tek parku 50-60 metra larg bashkise se qytetit jane 3-4 lokale qe kane zene sejcili mbi 600m2 hapesire dhe me e bukura eshte se paguajne 100m simbolike.Ne fund te bulevardit kryesor ne te dy anet jane zene lulishtetnga lokalet.A duhet te spastrohen e parku me lulishte ti kthehe qytetareve?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?