Pusi Nr. 5 në Shpirag, Berat

Fatos Çoçoli: Investimet e huaja, pse po na rriten?

20 Shtator 2023, 08:42| Përditesimi: 20 Shtator 2023, 08:53

  • Share

Në dy vitet e fundit, investimet e huaja të drejtpërdrejta(IHD) tek ne kanë shënuar rritje të shpejtë. Shtimi i fortë në turizëm(vetëm gushti 2023 solli mbi dy milionë vizitorë të huaj) dhe politikat nxitëse qeveritare në të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë gjeneruar shtim të kapitalit  të huaj në sektorë si hoteleria në bregdet, hidrokarburet, energjia e rinovueshme nga dielli dhe era, aeroportet, si dhe në pasuritë e paluajtshme.

UNCTAD dhe IHD në Shqipëri

Shtimi domethënës i investimeve të huaja direkte në Shqipëri është evidentuar edhe nga UNCTAD, agjensia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ekonominë dhe Tregtinë. Në një raport të tij të botuar kohët e fundit, UNCTAD bën një analizë të investimeve të huaja mes 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor(duke mos përfshirë Kosovën, pasi Kosova nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara).

Sipas UNCTAD, Shqipëria në Ballkanin Perëndimor renditet në vend të dytë për investimet e huaja direkte për frymë dhe si total të investimeve, duke lënë pas  vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Në raportin e UNCTAD, vlerësohen nismat e ndërmara nga Shqipëria në kuadër të mbrojtjes së mjedisit dhe prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Tabela 1. Shqipëria- e dyta në rajon për investimet e huaja
Investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor(2022):
-          Serbia                                      4.6 miliardë USD
-          Shqipëria                                 1.4 miliardë USD
-          Mali i Zi                                  0.87 miliardë USD
-          Maqedonia e Veriut                0.79 miliardë USD
-          Bosnje-Hercegovina                0.66 miliardë USD
Burimi: UNCTAD, OKB

Sa e rrit SPAK kapitalin e huaj?

Të huajtë tanimë nuk i step dhe frikëson më mish-mashi me të drejtat e pronës private në Shqipëri. Reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK, edhe pse në dukje pa shumë domethënie mbi kapitalin e huaj, në të vërtetë ka rritur garancitë për shtetin e së drejtës tek ne.Të huajtë ndihen të sigurtë jo vetëm kur kalojnë rrugëve tona, por edhe kur investojnë paratë e tyre. Vitin e kaluar, investimet e huaja të drejtpërdrejta arritën në 1.4 miliardë euro, ose 33 përqind më shumë se në vitin 2021. Ato shënuan rekord të ri edhe në dy tremujorët e parë të këtij viti, me 680 milionë euro, ose rreth 8 përqind më shumë se najar-qershor 2022.

Gjashtëmujori i parë më i mirë në histori

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për tremujorin e dytë prill-qershor 2023, vlera e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta arriti në 379 milionë euro, në rritje me 12.5 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta arriti në 686 milionë euro, me një rritje 7.9 përqind, krahasuar me janar-qershor 2022.

Sipas bankës sonë qendrore, rritja e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta është mbështetur nga shtimi i flukseve të reja të kapitalit dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 51 përqind e investimeve të huaja ishin fitime të riinvestuara, ndërsa 49 % e totalit ishin injektime të reja të kapitalit.

Flukset e eurove hyrëse në formën e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta ishin të përqendruara në pasuri të paluajtshme, në masën 20 %, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 17 %, në sektorin financiar, në masën 15 % dhe në energjetikë, në masën 9 % të totalit.

Tabela 2. 2023, tremujori i parë më i mirë në histori për IHD:
-          Janar-mars 2020                                198 mln euro
-          Janar-mars 2021                                246 mln euro
-          Janar-mars 2022                                297 mln euro
-          Janar-mars 2023                                308 mln euro

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja arriti në 308 milionë euro vetëm në tremujorin e parë janar-mars 2023. Kjo shifër përfaqëson vlerën më të lartë të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, të regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit. Duke marrë edhe shifrat e tremujorit të dytë, gjashtëmujori janar-qershor 2023 konsiderohet gjashtëmujori i parë më i mirë në historinë e IHD në Shqipëri.

IHD: kapital i ri dhe fitim i ri-investuar

Fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja edhe për këtë vit. Gjatë vitit të kaluar, sipas Bankës së Shqipërisë, fitimi i riinvestuar përbënte më shumë se 53 përqind të totalit të investimeve të huaja. Sektori financiar dhe sidomos ai bankar përfaqëson në vijimësi një faktor me peshë në investimet e huaja direkte, falë nevojave periodike që kanë bankat për të shtuar kapitalin e tyre aksioner, duke ri-investuar.

Gjatë gjysmës së parë këtij viti, IHD u përqëndruan në blerjen e apartamenteve nga të huajtë, në masën 20 përqind, si dhe në sektorin e hidrokarbureve, në masën 17 përqind. Në industrinë e nxjerrjes së naftës bruto, investimet e kërkimit nga kompania e mirënjohur ndërkombëtare Shell, e cila ka 12 vite në Shqipëri, kulmuan me zbulimin e naftës në thellësinë 6002 metra, në Pusin Nr. 5 të Shpiragut në Berat, në gusht të këtij viti. Rritja e çmimeve të naftës bruto në bursat ndërkombëtare krijon stimuj për rritje të mëtejshme të investimeve në këtë sektor.

Një të pestën e investimeve të huaja direkte e ka përbërë në këta dy tremujorë të parë të këtij viti, tregu i pronave. Ndër pasuritë e paluajtshme, janë kryesisht apartamentet, ato që janë blerë nga shtetasit e huaj, sidomos në bregdetin e Shqipërisë. Kjo është arësyeja pse investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë edhe ato kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte edhe për vitin 2022.

Tabela 3. Sektorët kryesorë kontribues në suksesin e IHD janar 2022-qershor 2023
-          Hidrokarburet                                   423 mln euro (21%)
-          Pasuritë e Paluajtshme  411 mln euro (20%)
-          Bankat-riinvestime                          318 mln euro (14%)
-          Energjitika                                           264 mln euro (11%)
-          TOTALI I IHD janar 2022-qershor 2023: 2 MILIARDË E 80 MLN EURO

E ardhmja në rritje e IHD-ve

Duke parë kontratën e përfunduar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një kompleksi turistik dhe marine në Durrës, me vlerë 2.1 miliardë euro, kontratën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, si dhe kontratat për parqet fotovoltaike dhe eolike, parashikimi për investimet e huaja direkte deri në fund të këtij viti është që ato do të tejkalojnë shifrën rekord të vitit të kaluar prej 1.37 miliardë euro. 

Puna për ndërtimin e Aeroportit të Vorës

Me këtë ritëm, investimet e kapitalit të huaj mund të kalojnë edhe vlerën e 1.5 miliardë eurove këtë vit, si dhe të jenë në rritje të mëtejshme edhe gjatë viteve 2024 dhe 2025.   

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?