Autostrada Thumanë-Kashar

Fatos Çoçoli: Kategoria A e BE-së edhe në Shqipëri

10 Qershor, 13:15| Përditesimi: 10 Qershor, 14:08

  • Share

Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, pa patur boshte rrugësh cilësore dhe të shpejta, që t’i shërbejnë asaj dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Dy janë boshtet që na shërbejnë si ne, ashtu dhe Bashkimit Evropian, që na do pjesë të tij. Korridori Blu që vjen nga Veriu dhe përfundon në Jug të vendit, si dhe Korridori i Tetë, që nis në Durrës dhe përfundon në Qafë Thanë, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Korridori Blu i duhet BE-së, sidomos për shërbimet për turizmin dhe zhvillimin rural të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë, shteteve nga kalon.

Ky Korridor tek ne do të përbëhet nga aksi Milot Milot-Murriqan, aksi Thumanë-Kashar, për të vazhduar në rrugën e sotme moderne që kalon në by-pass-in e Fierit, shkon në by-pass-in e Vlorës dhe zbret në Jug deri në Greqi.

Korridori Blu transformon jetën ekonomike dhe sociale të vendit

Korridori Blu tek ne  do t’i shërbejë drejtpërdrejt një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit. Do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike, përmes tokës, njëlloj si Kroacia, që këtë gjë e ka tashmë prej vitesh. Dhe Kroacia e gëzon këtë, si rezultat i pozicionit të saj, por edhe si rezultat i infrastrukturës rrugore që ka.

Ne po vijmë aty me infrastrukturën rrugore. Aksi Thumanë-Kashar që përurohet këtë muaj, është rrugë e kategorisë A të standardeve të Bashkimit Evropian. Është një aks me çertifikatë sigurie të Bashkimit Europian. Nuk ka dyqane, kafene, bare, hotele, depo, magazina, makina që pozojnë në dy anët e rrugës, duke krijuar një rrezik të përhershëm.

Është një aks shpejtësie, i cili do të jetë një vlerë e shtuar për udhëtimin në zemrën e vendit, por ndihmon shumë edhe lëvizjen nga Rruga e Kombit, poshtë për në Durrës, apo edhe më tej, për në Vlorë.

Autostrada Thumanë-Kashar, të dhënat
- Gjatësia 21 km
- Kosto 226 mln euro
- Garanci shtetërore 22.8 mln euro
- Shpejtësia deri 140 km/orë
- 11 ura
- 12 mbikalime dhe nënkalime!
- Nyje me dalje në Aeroportin e Rinasit
- Nyja e Kasharit, lidhje me aksin rrugor Tiranë-Durrës

Në kantierin e autostradës së re Thumanë-Kashar, e para e kategorisë A të Bashkimit Europian tek ne, po punohet me tre turne, për të bërë të mundur përfundimin në 30 qershor 2024.

Ky aks rrugor është një nga më të rëndësishmit e Korridorit Blu në Shqipëri dhe rajon. Ai lidh Veriun e vendit me Jugun, me shpejtësi deri në 140 km në orë. Autostrada e re do të lehtësoje ndjeshëm trafikun, sidomos në pikun e sezonin turistik të verës, për shkak të fluksit të turistëve që vijnë nga Rinasi.

Zgjidhja evropiane e fluksit të rënduar rrugor

Kjo autostradë përfaqëson zgjidhjen europiane të fluksit të rënduar rrugor që po përjetojmë, për shkak të ngarkimit të rrugëve ekzistuese përreth Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, që në katër vitet e fundit ka tërhequr rreth vetës një trafik rrugor tre herë më shumë, në krahasim me vitin 2018. Aksi Thumanë-Kashar i jep frymëmarrjen e shumëpritur të qarkullimit nyjes së Rinasit, ndërkohë  që po gjatë këtij muaji lidhen kontratat për segmentet Kashar - Lekaj - Fier dhe Thumanë - Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot - Balldren dhe Balldren – Muriqan, Të gjitha këto segmente, së bashku me Thumanë-Kasharin që po përfundon, plotësojnë trupin e Korridorit Blu në Shqipëri, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.

Korridori i VIII-të po financohet fort

Me këtë Korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që po punohet fort me zgjerimin e rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë,  që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjeshtë një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot. Kalimi në Thumanë-Kashar, sikurse është vepruar me Rrugën e Kombit, do të jetë me pagesë.

Akset kryesore rrugore të çdo vendi, madje edhe shteteve përreth nesh, është normale të jenë me pagesë. Tarifa në Thumanë-Kashar do të varet nga lloji i mjetit, por nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kuptohet që paralel me autostradën e kategorisë A të Bashkimit Evropian ka edhe edhe zgjidhje alternative, ku kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët.

Po për qytetarin apo turistin që zgjedh të fitojë në kohë, një tarifë e arësyeshme për të përdorur këtë aks është mëse normale. Paralelisht me Korridorin Blu, do të vijojnë fort financimet për realizimin e Korridorit të VIII-të Durrës - Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje - Perëndim, duke përmbyllur boshtet e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • anna: 11/06/2024 08:53

    shqiperia po ecen perpara. Bravo e madhe per njerezit qe kontribuojne ne kete zhvillim. mendoj se do mbeten ne histori! sja mohojme dot, por as e nxijme dot gjithe kete pune per zhvillimin e atdheut tone.

    Përgjigju
  • Resi: 10/06/2024 21:05

    Shpresojmë qe te bashkohemi me ne fund me BE dhe t'iu tregojmë qe Shqiperia do t'a kaloj me sukses kte provim ????????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?