Nga e hëna 3 mars 2025, ka filluar shpërndarja e 62 milionë eurove të shpërblimit të pranverës 2025, që qeveria synon ta bëjë tradicional për të 730 mijë pensionistët tanë. Për 524 mijë prej tyre, me pension të vogël, nën 200 mijë lekë të vjetra në muaj, shpërblimi është 100 mijë lekë të vjetra. Po 100 mijë lekë të vjetra marrin edhe invalidët e punës, tetraplegjikët, fëmijët jetimë dhe nënat kryefamiljare, ushtarakët, etj..
Ndërsa për 206 mijë prej pensionistëve me pension mujor më të madh se 200 mijë lekë, shpërblimi është 50 mijë lekë të vjetra.
Është hera e parë në historinë 35 vjeçare të buxheteve pluraliste, që pensionistët marrin shpërblim, bonus në pranverë. Në tre vitet e fundit, shpërblimet kanë ardhur në shtim në shpeshshtësi dhe masë shperblimi.
Të dhënat e para jo zyrtare nga Ministria e Financave flasin për një dymujor janar-shkurt 2025 në nivel rekord të të ardhurave, në krahasim me dymujorët e mëparshëm janar-shkurt të katër viteve të fundit.
Me këtë ritëm të ardhurash në buxhet, janë të gjitha mundësitë që edhe në fund të këtij viti, pensionistët të marrin shpërblimin e fundvitit, në atë masë sa e morën në dhjetor 2024, në mos më shumë.
Me fjalë të tjera, t’u shpërndahen të paktën 105 milionë euro(5 milionë më shumë euro në dhjetor 2025, ngaqë numri i pensionistëve deri në atë kohë do të jetë shtuar).
Pse pensionet do rriten bindshëm në vitet që vijnë
Në tetor 2024, kryeministri ndërmori një tur nëpër Shqipëri, me një pjesë të mirë të qeverisë, për të shpjeguar sfidën e qeverisjes së tij me pensionistët. Reforma e re në pensione do të shpallet së shpejti. Ndoshta jo deri ne zgjedhjet e 11 majit 2025, por me siguri menjehere pas tyre.
Pensioni minimal nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj do të kalojë në 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Kuptohet, nuk do të rritet që ditën e dytë të shpalljes së reformës së re, por shtimi do të ndodhë shpejt. Po sa shpejt?
Ndoshta mund të presim disa muaj, të paktën sa të mbarojë ky vit. Gjërat nuk janë të lehta. Përkundrazi. Reforma e vitit 2014 që nisi të zbatohej nga janari 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vite, deri në vitin 2032, si dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Kjo reformë tashmë është e tejkaluar në kohë dhe qasja duhet ndryshuar rrënjësisht.
Reforma e re do të sjellë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social, të cilët tani janë në nivele të njëjta. Pensioni minimal do të rritet me 50 përqind, duke u bërë 15,000 lekë të reja në muaj dhe do të shkëputet nga pensioni social, i cili jepet kryesisht në fshat, për të mos lënë jashtë skemës së pensioneve asnjë qytetar të vendit.
Planifikohet të ndryshohet me ulje edhe numri i viteve të punës për pensionin minimal dhe pensionin e plotë, duke rritur efektivisht një pjesë të pensioneve, pasi më shumë pensionistë tek ne do të gëzojnë pension të plotë. Deri tani, me reformën që kemi, numri i pensionistëve me pension të pjesshëm është rritur frikshëm në dhjetë vitet e fundit, nga 28 përqind e totalit në vitin 2014, në mbi 50 përqind vitin e kaluar.
Vitin e kaluar dhe në këtë vit, qeveria ka parë mundësinë e një rritjeje të diferencuar për pensionet e ulta dhe për pensionet e larta, duke favorizuar të parat. Deri tani, kjo është bërë me dy shpërblimet për pensionistët, atë të dhënë në dhjetor 2024 dhe atë që po jepet nga 3 marsi 2025. Nuk përjashtohet mundësia që i njëjti trajtim i diferencuar në shpërblim të bëhet edhe në shpërblimin e dhjetorit 2025, me të paktën 105 milionë euro për t’u shpërndarë si shpërblime për të 737 mijë pensionistët në atë muaj.
Në bazë të punës së bërë deri tani nga grupi i ekspertëve të Bankës Botërore dhe Ministrisë së Ekonomisë, reforma e dytë e pensioneve është pothuajse gati. Ajo do të përbëjë një shpresë dhe ndryshim të madh, por do të dojë të paktën 5-7 vite, që të rrisë ndjeshëm pensionet. Në garë me këtë kohë, qeveria po përpiqet të shtojë sadopak pensionet përmes shpërblimeve.
Duket një fillim i mbarë.
Komente
