Fermerë

Opinion

Fatos Çoçoli: Pse fermerët i besojnë ndihmës së shtetit?

3 Qershor, 15:30| Përditesimi: 3 Qershor, 15:35

  • Share

Mbi 68 mijë fermerë aplikuan gjatë periudhës 14 prill-30 maj 2025 për ndihmë të drejtpërdrejtë në para, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025. Pra, në 45 ditë që qëndroi hapur thirrja për aplikime për ndihmë të drejtpërdrejtë(subvencion) nga Shteti për bujqësinë, 68 mijë përfaqësues familjesh rurale plotësuan disa formularë dhe aplikuan.

Nëse konsiderojmë një fermer aplikues që ka një familje me të paktën 5 anëtarë, i bie që të interesuar për këto aplikime dhe këtë ndihmë të jenë rreth 350 mijë banues në fshatrat tona. Ose gati gjysma e popullsisë që kemi ende në zonat tona rurale.

Tabela 1. Fermerët që aplikuan në Skemën e Mbështetjes 2025
1.       Mbështetje për naftë                    51,000 fermerë
2.       Mbështetje për sera, blegtori, etj.           16,700 fermerë
3.       Aplikuan në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër                 24,000 fermerë
4.       Të interesuar direkt në ndihmën në bujqësi        350,000 qytetarë në zonat rurale

 Kjo dëshmon që fermeri po i beson gjithnjë e më shumë ndihmës së drejtpërdrejtë nga Shteti. Sipas të dhënave nga drejtoritë tatimore, për këtë vit, ata fermerë të rinj që kërkuan dhe u rregjistruan me NIPT ishin 5 mijë e dyqind.

Në këtë mënyrë, fermerët me NIPT në të gjithë vendin shkojnë në gati 75 mijë vetë. Në Jug të vendit, në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër u dorëzuan pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit(Shërbimeve) Bujqësor mbi 24 mijë aplikime. Shenjë e qartë që sërisht Jugu është shumë aktiv në punët për bujqësinë dhe blegtorinë. Ndërsa Veriu duhet ndihmuar ta marrë veten.

Si ndihmohen fermerët me skemën shtetërore?

Qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve ndihmë të drejtpërdrejtë për 8 aktivitete në bujqësi dhe blegtori, si mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi, mbështetje për tufën bazë të matrikuluar, si lopë, dele dhe dhi, mbarështimi i bletarisë, mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera, mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore(viti i dytë ky), mbështetje për fermat organike dhe mbeshtetje per çertifikimin me standardin “Global GAP”.

Tabela 2. Veprimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025 në bujqësi
1.       Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi
2.       Para ne dore per fara, fidanë dhe inpute të tjera
3.       Para ne dore per bimët mjekësore-aromatike
4.       Para ne dore per tufën bazë të matrikulluar gjedhë
5.        Para ne dore per tufën bazë të matrikulluar të imta
6.       Para ne dore per bletarinë
7.       Para ne dore per fermat organike
8.       Para ne dore për çertifikimin Global GAP

Ata që kanë lopë dhe aplikuan, do të marrin 10 mijë lekë për krerë, ndërsa ata që mbarështojnë të imëta, nga 1 mijë e 200 lekë. Me 1 mijë lekë do të mbështeten bletarët për çdo koshere, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektar. Për bimët mjekësore, mbështetja është 30 mijë lekë për hektar. Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia e blegtoria është më e zhvilluar, si në Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan. Fondet e vëna në dispozicion për fermerët kanë rritur ndjeshëm formalizmin në bujqësi, pasi kushti kryesor për të përfituar është pajisja me NIPT.

Si skema kombëtare 2025 nxit eksportet bujqësore

Skema Kombëtare 2025 e mbështetjes së drejtpërdrejtë në bujqësi është një qasje që krijon sinergji dhe vijon punën e Skemave të vitit 2024, në mars dhe shtator. Ajo plotëson kështu një cikël të mbështjetjes financiare, që qeveria ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, si bujqësia, e cila në eksport është e pranishme me produktet shqiptare në 80 shtete të ndryshme në Evropë dhe në botë. Politikat mbështetëse të qeverisë dhe Skema Kombëtare 2025 po bëjnë që fermerët të shtojnë investimet në përmirësimin e cilësisë dhe të standardeve të produkteve te tyre.

Për të katërtin vit rradhazi, Ministria e Bujqësisë synon të plotësojë me 100 përqind pagesat për fermerët e kualifikuar të Skemës Kombëtare. Institucionet e Ministrisë së Bujqësisë që kanë marrë aplikimet, kanë kohë vetëm një muaj për të parë aplikimet dhe për të shpallur fituesit. Prej këtej, i gjithë fondi mbi 50 milionë euro do t’u shpërndahet fermerëve fitues pa humbur kohë, duke filluar nga muaji korrik 2025.

Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore “Made in Albania” gjatë vitit të kaluar dhe në këto muaj të parë të vitit 2025(janar-mars 2025, 26 përqind më shumë se janar-mars 2024), jep një pasqyrë të qartë të shtimit të cilësisë se prodhimeve dhe të fuqizimit të fermerëve në vend, të ndihmuar dhe nga mbështetja e drejtpërdrejtë e Shtetit.

Fermerët tanë po e rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare. Në Skemën Kombëtare të Zhvillimit të Bujqësisë 2025 aplikuan shumica e fermerëve, të cilët kanë një NIPT, shoqëritë tregtare të angazhuara në sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor. Skema favorizon fermerët e bashkuar në shoqëri bujqësore dhe numri i këtyre shoqërive po rritet në mbarë vendin.

Viti i 250 milionë eurove hua të buta, kryesisht për bujqësinë

Viti 2025 është edhe viti i shpalljes nga Banka e Shqipërisë e programit të huave të buta prej një totali 250 milionë euro në vit, për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me qasje të kufizuar në sistemin bankar. Huaja e butë, e garantuar me garanci sovrane nga Shteti, do të shkojë deri në 250 mijë euro, për investime në rritjen e kapacitetit prodhues dhe të shërbimeve të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

Një pjesë e mirë e programit, ndoshta pjesa më e madhe e tij, do t’i kushtohet bujqësisë dhë fermerëve shqiptarë. Kjo është një arësye tjetër e fortë, pse fermerët tanë po i besojnë ndihmës shtetërore dhe programeve të shpallura. Jemi në kohën më të mirë për bujqësinë tonë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?