Banka e Shqipërisë

Opinion

Fatos Çoçoli: Pse FMN vlerëson sektorin bankar?

27 Prill, 18:14| Përditesimi: 27 Prill, 18:18

  • Share

Në studimin e publikuar më 16 prill 2025, me titull “Testimi i stresit në sektorin bankar shqiptar”, Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se gjatë dekadës së fundit, sektori bankar shqiptar ka pësuar një zhvillim të dukshëm transformues për mirë. 

Ulja e kredive me probleme dhe Banka e Shqipërisë

Specialistët e FMN-së krahasojnë se, që nga kulmi i kredive të këqija prej gati 25 përqind ose një të katërtën e totalit të huave bankare në vitin 2014, këto kredi ranë në më pak se 5 përqind gjatë vitit 2024. 

Tabela 1. Kreditë me probleme 2014-2024 në totalin e huave bankare
-    Viti 2014        24.2%
-    Viti 2016         18.1% 
-    Viti 2020        8.4%
-    Viti 2023        4.7%
-    Viti 2024        4.1% (6 herë më pak se viti 2014)

Sipas ekspertëve të FMN-së, ky rezultat u arrit nga puna e kujdesshme e Bankës së Shqipërisë në uljen graduale të stokut të kredive të keqija, duke i fshirë nga bilancet aktive të bankave tregtare këto kredi, si dhe duke i lejuar dhe pastaj duke monitoruar me kujdes punën e institucioneve private të mbledhjes së kredive me probleme. 

Tabela 2. Kreditë me probleme 2014-2024 në vlerë
-    Viti 2014        1.3 miliardë euro
-    Viti 2023         352 milionë euro
-    Viti 2024         348 milionë euro

Beteja për mbajtjen e inflacionit nënnivelin dyshifror në vitet 2022-2023 

Qëndrueshmërinë financiare të vendit e ka ndihmuar shumë edhe mbajtja nga banka qendrore e një inflacioni nën kontroll gjatë pjesës më të madhë të dhjetëvjeçarit 2015-2024, duke përjashtuar vitet 2022-2023 të inflacionit të ndjeshëm, të importuar nga kriza e konfliktit ushtarak në Ukrainë, pas agresionit të Putin më 24 shkurt 2022. 
Megjithate, edhe në këtë dyvjeçar, inflacioni i lartë u mbajt nën nivelin dyshifror, falë ndërhyrjeve të shpejta të Bankës së Shqipërisë me instrumentin e saj kryesor, normën e interesit të lekut, por edhe falë mosrritjes nga qeveria të çmimit fundor të energjisë elektrike. 

Tabela 3. Norma e interesit dhe frenimi i inflacionit 

-    23 mars 2022    1% (BSH dyfishon normën e interesit. Rritja e parë pas 11 vitesh!)
-    Qershor 2022         1.25%
-    Gusht 2022             1.75%
-    Tetor 2022             2.25%
-    Nëntor 2022        2.75%
-    Mars 2023             3%
-    Nëntor 2023         3.25%

Inflacioni në Shqipëri kulmoi në tetor 2022, me 8.3 përqind. Po të mos ishin ndërhyrjet e shpejta dhe energjike mbi normën e interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë nga marsi e deri në tetor, ai mund të kishte shkuar edhe 11 ose 12 përqind. Mund të kishte vazhduar rritjen e tij edhe në periudhën nëntor 2022-korrik 2023, periudhë që përkon me kulmin e presioneve inflacioniste në Eurozonë, për shkak të ndalimit të importeve të naftës dhe gazit rus në mes të një dimri shumë të vështirë.
Kjo gjë nuk ndodhi tek ne.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë mundësuan frenimin e inflacionit dhe nuk e lejuan atë të kalonte në një inflacion shumë të rrezikshëm dyshifror, sikurse ndodhi në vendet e tjera të rajonit, gjatë periudhës gati dyvjeçare mars 2022-dhjetor 2023.

Sistemi bankar rrit pronësinë nga kapitali vendas

Ndërkohë, FMN konstaton se pronësia e huaj e bankave tregtare në Shqipëri ka rënë ndjeshëm. Nga niveli i 90 përqind të tyre me pronare banka të huaja në vitin 2013, në 65 përqind gjatë vitit 2024. Sipas specialistëve të Fondit, kjo ka pakësuar ndjeshëm cënueshmërinë e sistemit bankar shqiptar nga rreziqet e jashtme.
 FMN konstaton se mbikëqyrja bankare nga ana e Bankës së Shqipërisë është forcuar vazhdimisht, duke përmirësuar dhe harmonizuar  rregulloret me standardet dhe direktivat ndërkombëtare të sistemit të Bazel III. 

Kjo ka sjellë ruajtjen e qëndrueshmërisë bankare dhe financiare të vendit. FMN del në konkluzionin se në dhjetë vitet e fundit, sektori bankar, i mbikqyrur nga Banka e Shqipërisë, ka përballur mirë një sërë goditjesh të forta, si tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit 2019, Pandeminë nga Covid-19 të vitit 2020 dhe inflacionin e lartë të importuar nga lufta në Ukrainë. 

Të tre këto goditje përbënin një lak të trefishtë për ekonominë e vendit dhe sistemin e saj bankar. Sektori bankar i Shqipërisë ia doli t’i përballojë të treja dhe të shohë përpara drejt anëtarësimit efektiv në tetor 2025 në SEPA, me qëndrueshmëri financiare të përforcuar. 

FMN: Bankat të mirëkaptalizuara dhe likuide 

Sipas FMN-së, ndërsa ekziston heterogjeniteti, bankat kanë mbetur të mirëkapitalizuara dhe likuide(me para letër në bollëk). Niveli mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit të tyre ishte 19.3 përqind në korrik 2024, shumë më lart se minimumi rregullator prej 12 përqind. Kjo i jep sistemit qëndrueshmëri dhe siguri. 

Ndërkohë, studimi tërheq vëmendjen tek disa rreziqe që kalon sistemi ynë bankar sot. Sipas tij, ka hapësira për cënueshmëri të sistemit, pasi Shqipëria mbetet ndër vendet e para në Evropë, përsa i përket ekspozimit të bankave ndaj borxhit të qeverisë. 

Sipas ekspertëve të FMN-së, tregjet e letrave me vlerë të qeverisë në lekë dhe në euro mbeten jolikuide. Me fjalë të tjera, këto letra me vlerë, këta tituj nuk ritregtohen, njëherë që bankat ose individët e kanë blerë detyrimin qeveritar. 

Po ashtu, rrezik potencial për sistemin bankar mund të përbëjë ekspozimi i tij në kredinë ndaj blerjes së pasurive të paluajtshme, e cila është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.

Studimi i FMN-së vlerëson masat e fundit të marra nga Banka e Shqipërisë. Në tetor 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”.

Rregullorja ka për qëllim të zgjerojë të dhënat që mblidhen nga bankat tregtare, lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare. 

Ajo ndihmon në parandalimin e rreziqeve që mund të vijnë nga goditje të papritura, të cilat mund të dobësonin fuqinë paguese të bizneseve apo qytetarëve që kanë marrë kredi për pasuri të paluajtshme. Rregullorja i mundëson Bankës së Shqipërisë që të kufizojë kredidhënien bankare në këtë sektor, nëse bie fuqia paguese e qytetarëve apo e bizneseve. 
 

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?