Sipas raportit të publikuar kohët e fundit nga Banka e Shqipërisë mbi treguesit kryesorë të ekonomisë, bizneset dhe individët kanë marrë kredi më të lira në muajt e parë të këtij viti.
Banka qendrore kumton se interesat e kredisë së re që kemi marrë në lekë, janë shfaqur relativisht të qëndrueshme dhe në nivele të ulta në tremujorin e parë të këtij viti.
Kështu, interesi i kredisë së re në lekë për biznese rezultoi mesatarisht 6,4 përqind në periudhën janar-mars 2025, më poshtë se mesatarja e vitit 2024 prej 6,6 përqind. Për kreditë konsumatore të qytetarëve, interesi është ulur në 8.2 përqind, nga 8.5 përqind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar tetor-dhjetor 2024.
Ndërkohë, norma e interesit për kreditë për banesa shënoi nivelin 3.7 përqind këtë tremujor, duke mbetur e njëjtë me atë të tremujorit tetor-dhjetor 2024.
Interesi i huave bankare në Shqipëri është ulur edhe për kreditë në euro. Në periudhën janar-mars 2025, interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset ra në nivelin 5.7 përqind, nga 6.1 përqind që ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Përcjellje e mirë e politikës monetare të BSH
Këto të dhëna tregojnë për përcjellje të mirë nga bankat tregtare të dy uljeve të normës bazë të interesit të parasë, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, më 3 korrik 2024 nga 3.25 përqind në 3 përqind dhe më 6 nëntor 2024, nga 3 përqind në 2.75 përqind.
Ndërkohë, primet e rrezikut të kredisë bankare qëndrojnë në nivele të ulëta historike, sikurse dëshmohet nga diferencat e vogla mes normave të interesit të kredive dhe bonove qeveritare 12-mujore.
Nëse për këtë vit interesat e kredive për qytetarët dhe bizneset kanë rënë, kredia për banesa është rritur ndjeshëm. Kjo dëshmon për kërkesën e lartë të qytetarëve për të shtuar banesat e tyre. Sipas studimit të një OJF-je serioze në fushën e ekonomisë, në tre vitet e fundit, numri i familjeve me më shumë se një shtëpi është rritur me 60 përqind.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të këtij viti, bankat tregtare dhanë 16 miliardë lekë ose 162 milionë euro hua të reja për blerje banesash. Në krahasim me periudhën janar-mars 2024, vlera e kredisë së re është rritur me 23 përqind. Në fund të muajit mars 2025, vlera totale e portofolit të kredisë bankare për blerje banesash nga familjet shqiptare arriti në 218 miliardë lekë ose 221 milionë euro, me shtesë 15.6 përqind, në krahasim me marsin 2024.
Kreditimi nga sektori bankar vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një kërkese të lartë në tregun e pasurive të paluajtshme. Vrojtimi i radhës i Bankës së Shqipërisë tregoi se në 6-mujorin e dytë të vitit 2024, çmimi mesatar i banesave u rrit me 44.5 përqind, krahasuar me një vit më parë.
BSH: limit për huanë për shtëpi
Në këto kushte, ditët e fundit, Banka e Shqipërisë e përshkallëzoi ndërhyrjen e saj rregullatore, duke vendosur për herë të parë disa kufij për tregues të veçantë të administrimit të rrezikut për huanë bankare për shtëpi. Rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë parashikon caktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale. Kështu, nga 1 korriku 2025 nuk do të kemi më hua pa limit për blerjen e një banese. Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës, që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë.
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në lekë do të jetë 85 përqind për shtëpinë e parë dhe 80 përqind për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75 përqind për shtëpinë e parë dhe 70 përqind për shtëpinë e dytë.
Me fjalë të tjera, qytetari nuk mund të marrë nga banka hua për banesë më shumë se 85 përqind të vlerës së saj në treg, në rastin e shtëpisë së parë. Ndërkohë, raporti i shërbimit të borxhit(kthimit të huasë në këste nga qytetari) ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona te patundshme, në raport me të ardhurat e qytetarëve.
Sipas vendimit të Bankës së Shqipërisë të datës 5 maj 2025, raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në lekë do të jetë në nivelin 40 përqind për shtëpinë e parë dhe 35 përqind për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, ky nivel tavan do të jetë 35 përqind për shtëpinë e parë dhe 30 përqind për shtëpinë e dytë.
Këto limite të vendosura i ndihmojnë dhe mbrojnë si qytetarët, ashtu edhe bankat, për të mos akumuluar kredi që nuk mund të shlyhen dot. Pra, kredi me probleme.
Zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi. Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur, për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe të monedhës në të cilën jepet kredia.
Komente
