Samiti i VI-të i Komunitetit Politik Europian në Tiranë

Opinion

Fatos Çoçoli: Rëndësia e samitit të sotëm në Tiranë

16 Maj, 18:12| Përditesimi: 16 Maj, 18:17

  • Share

Tirana priti sot në hapësirën brenda Sheshin Skënderbej drejtuesit e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta të Bashkimit Evropian. Kryeqyteti ynë mirëpriti takimin e nivelit më të lartë(samitin) e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian.

Komuniteti Politik Evropian, i krijuar me nismën e Presidentit francez Emanuel Makron në vitin 2022, është një platformë diskutimesh politike e strategjike mbi të ardhmen e Europës. Komuniteti funksion, në një përpjekje të gjerë, për ta mbajtur të bashkuar kontinentin, përballë kërcënimeve që vijne nga Rusia. Rusia dhe Bjellorusia janë lënë qëllimisht jashtë këtij forumi.

Komuniteti Politik Evropian mblidhet dy herë në vit, në nivelin e tij më të lartë, duke u alternuar mes një vendi të Bashkimit Evropian dhe një shteti evropian jashtë BE-së. Takimi i parë u mbajt në Pragë më 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i pesti, i fundit deri sot, u zhvillua në nëntorin e vitit të kaluar në Hungari.

Pse Komuniteti Politik Evropian zgjodhi Shqipërinë?

Shqipëria është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që zgjidhet si vend mikpritës i Komunitetit Politik Evropian. Ajo u zgjodh si vend mikpritës, në vend të Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut, për shkak të rolit të saj aktiv në ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit efektiv në kontinent, sidomos në zonën e trazuar të Ballkanit Perëndimor, por edhe përtej tij.

Vitet e fundit, Shqipëria ka qenë aktive në struktura të larta ndërkombëtare, si në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si vend anëtar i përkohshëm, në drejtimin e OSBE-së, etj., duke punuar mirë në këto struktura.

Tirana e samiteve ndërkombëtare

Në tre vitet e fundit, në Tiranë janë zhvilluar katër samite(takime të nivelit më të lartë) të strukturave drejtuese të Bashkimit Evropian, shumica e të cilave ndodhet në Bruksel. Për krahasim, në Shkup samite të tilla në vitet 2023-2025 janë zhvilluar vetëm një dhe në Podgoricë asnjë.

Tabela 1. Samitet në Tiranë
•           16 tetor 2023               Samiti i Procesit të Berlinit
•           28 shkurt 2024            Samiti Ukrainë-Evropë Juglindore
•           29 shkurt 2024            Samiti BE-Ballkani Perëndimor
•           16 maj 2025                Samiti i Komunitetit Politik të Evropës
•           Qershor 2027              Samiti i NATO-s

Më 16 tetor 2023 u zhvillua në Tiranë samiti i Procesit të Berlinit. Më 28 shkurt 2024, samiti Ukrainë-Evropë Juglindore dhe më 29 shkurt 2024 samiti Bashkimin Evropian-Ballkani Perëndimor.

Vetëm brenda 135 ditëve, 16 tetor 2023-29 shkurt 2024, në Tiranë janë mbajtur tre samite të rëndësishëm, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në kryeqendrën e zhvillimeve diplomatike të kontinentit.

Dikur të pamësuar me takime të një niveli ndërkombëtar, tashmë ato kanë krijuar ndjesinë se mbajtja e tyre në Tiranë është bërë diçka e zakonshme.

Ato kanë bërë që faktorizimi i Shqipërisë të ngrihet në një shkallë më të lartë dhe kontributi i saj si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE të jetë jo dhe aq modest.

Nuk kishte parë më parë Shqipëria drejtuesit e Evropës së bashku të qëndronin në Tiranë siç ndodhi më 16 tetor 2023, por edhe sot më 16 maj 2025.

Katër fitimet e mëdha nga samitet

Organizimi në Tiranë i disa takimeve të nivelit më të lartë të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm(në qershor 2027 është në kalendar që po në Tiranë të zhvillohet mbledhja vjetore e NATO-s), po na sjell katër fitime shumë të rëndësishme.

Së pari, fonde jetësore për zhvillimin tonë të qendrueshëm. Në tre vitet 2023-2025, samitet na ndihmuan që të arrijmë të sigurojmë 922 milionë euro për zhvillimin tonë, nga fondet e Procesit të Berlinit dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perendimor 2025-2027.

Së dyti, me Brukselin më afër, vendi ynë është konfirmuar jo vetëm një aleat dhe partner i besueshëm për Perëndimin, por edhe një faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Së treti, Shqipëria fitoi satusin e një vendi që është jo thjesht një partner i sigurtë i SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, por edhe një qendër që, nëpërmjet samiteve të mbajtur, vepron si  kundërpeshë ndaj çdo përpjekjeje per te shtuar ndikimin perçares rus në rajon.

Së katërti, Shqipëria fitoi të jetë pjesë e një projekti të madh të zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në vitet 2025-2027. Kjo, jo vetëm nga paketa e 6 miliardë eurove që jep Plani i Rritjes i BE-se për këtë rajon, por edhe nga miliarda euro të tjera, mbi bazën e reformave që vendi po ndërmerr dhe të përshpejtimit të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian që po realizon. Vota e qetë e 11 majit për Shqipërinë evropiane ishte një tjetër hap përpara në integrim.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?