Avion duke shuar flakët në Shqipëri

Opinion

Fatos Çoçoli: Sa zjarrvënës jemi?

15 Gusht, 16:23| Përditesimi: 15 Gusht, 16:28

  • Share

Sikur të mos mjaftonte korriku 2025 me zjarret e shtuara 15 herë në krahasim me korrikun 2024, po kalojmë edhe në këto dy javët e para të gushtit një nga periudhat më të vështira të këtij viti, për sa i përket emergjencave nga zjarret në pyje dhe kullota.

Zonat malore e Mirditës, Pukës dhe Tropojës kanë qenë ndër më të prekurat, kryesisht në sipërfaqe pyjore me pisha dhe dushqe. Terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve të aksesueshme ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Është prekur edhe Tirana nga zjarret, në periferitë e saj, ndërsa rajonet e Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit kanë raportuar disa vatra pranë zonave të banuara, duke rrezikuar banesat dhe infrastrukturën.

Po ashtu, edhe në qarqet Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë janë regjistruar zjarre në zona me bimësi të dendur, ku ndërhyrja ajrore ka qenë e domosdoshme.

Angazhim i plotë i strukturave civile dhe ushtarake

Forcat e Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit u angazhuan në të gjitha qarqet e prekura nga zjarret, me një rritje të konsiderueshme të numrit të efektivëve në terren. U krijuan shtabe të posaçme emergjence në prefektura për koordinimin e forcave zjarrfikëse, policisë, ushtrisë dhe pushtetit vendor.

Forcat e Armatosura vendosën në dispozicion trupa tokësore dhe mjete logjistike, përfshirë çisterna uji dhe mjete të rënda për krijimin e brezave mbrojtës. Qeveria përdori mjetet ajrore në dispozicion të saj. U angazhuan helikopterët Cougar dhe Black Hawk të Forcave të Armatosura për shuarjen nga ajri në terrene të paarritshme.

Nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së (RescEU), Shqipëria kërkoi dhe përfitoi mbështetje me avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Kroacia.

Tabela 1. Avionë zjarrfikës të marrë nga fqinjët
-              Gusht 2023                        9
-              Gusht 2024                        11
-              01-14 gusht 2025            14

Për herë të parë u përdorën dronë monitorues për identifikimin e vatrave të reja dhe për parashikimin e përhapjes së flakëve. Bashkitë u angazhuan me grupe vullnetarësh dhe mjete të thjeshta zjarrfikëse për të ndërhyrë në fazat e hershme të zjarreve. Falë ndërhyrjes së koordinuar, u arrit të mbrohen shumica e banesave dhe e infrastrukturës kritike në zonat e prekura. Mirëpo temperaturat mbi 40°C në disa ditë të këtij gushti, së bashku me erërat e ngrohta nga veriu, po përhapin me shpejtësi flakët.

Tabela 2. Zjarret gusht 2024-gusht 2025
-              Rritje me 18% e numrit të zjarreve nga 2024 në 2025
-              Sipërfaqja e djegur është rritur me rreth 700 hektarë
•              Ndërhyrjet ajrore janë shtuar, çka tregon për vatra më të mëdha ose më të vështira për t’u kontrolluar nga toka

Ndezim zjarre me qëllim!

Ndryshe nga zjarret në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet e tjera evropiane, ku mbi 70–80 për qind të tyre kanë origjinë rastësore (pakujdesi, etj.), për fat të keq, tek ne, pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se janë të qëllimshme.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Pyjeve dhe Policisë së Shtetit, mbi 60 për qind e zjarreve janë vënë qëllimisht! Kjo është e pafalshme!

Tabela 3. Përqindja e zjarreve të qëllimshëm në rajon korrik-10 gusht 2025
-              Kroacia                 9%
-              Greqia                   12%
-              Mali i Zi                 15%
-              Maqedonia e Veriut         24%
-              Shqipëria                             60%

Zjarrvënësit e qëllimshëm duhet të goditen fort, që të mos u shkojë më në mend të ndezin zjarre, për motive shpesh të dobëta ose edhe të përfitimit ekonomik.

Mbizotërojnë motivet, si mosmarrëveshje për kullota, pronësi toke ose përdorimin e pyjeve, synim për përfitim ekonomik, si pastrimi i tokës për ndërtim, apo shfrytëzim bujqësor, por edhe akte vandalizmi ose motive të dobëta personale.

Tabela 4. Motive e zjarrvënieve të qëllimshme në Shqipëri
-              Mosmarrëveshje për kullota
-              Mosmarrëveshje për pronësi toke
-              Mosmarrëveshje për përdorim të pyjeve
-              Synim për përfitim ekonomik (pastrim toke për ndërtim, etj.)
-              Akt vandalizmi
-              Motive të dobëta personale

Kodi Penal i Shqipërisë parashikon deri në 15 vite burg për zjarrvënie që shkakton pasoja të rënda. Ne duhet medoemos të rrisim vitet e burgimit për dënimet minimale dhe të kërkojmë aplikim më rigoroz të tyre.

Duhet të përdorim dronët, kamerat termike dhe analizat e mostrave të tokës, për identifikimin e pikës së nisjes së zjarrit. Duhet të realizojmë ndjekje penale pa tolerancë për zjarrvënësit e qëllimshëm. Prokuroria dhe gjykatat duhet të trajtojnë me përparësi çështjet e zjarrvënies gjatë sezonit të verës.

Ndërkohë, si masa parandaluese, qeveria njoftoi rritjen e buxhetit për Mbrojtjen Civile për vitin 2026 me mbi 30%, për të shtuar kapacitetet njerëzore dhe pajisjet moderne zjarrfikëse. Parashikohet krijimi i një flote kombëtare të avionëve zjarrfikës brenda vitit 2027, duke ulur varësinë nga ndihma e jashtme.

Do të ndërtohen sisteme të reja të vëzhgimit satelitor dhe paralajmërimit të hershëm, si dhe do të kryhet rikuperimi i zonave të dëmtuara me mbjellje pyjore.

Dhe ai 30 përqindësh i shtimit të buxhetit për Mbrojtjen Civile për vitin 2026 duhet të shkojë një pjesë e mirë medoemos për vendosjen e kamerave të sigurisë në zonat pyjore të rrezikut të lartë, për patrullime të përforcuara nga shërbimet pyjore dhe policore gjatë muajve korrik–shtator të çdo viti, si dhe për sisteme të hershme alarmi, me sensorë të tymit dhe temperaturës, në zonat turistike dhe ato të mbrojtura.

Meteorologët parashikojnë se deri në fund të gushtit temperaturat do të mbeten mbi mesataren sezonale, ç'ka mban të lartë rrezikun e zjarreve.

Duhet të mbrohemi fort nga zjarret. Beteja me to dhe vënësit e tyre nuk ka mbaruar!

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?