Foto ilustruese e liqenit të Fierzës

Fatos Çoçoli: Si e larguam krizën energjitike?

28 Janar 2023, 15:57| Përditesimi: 28 Janar 2023, 16:01

  • Share

·         Erdhi si Shpatë Damokleu mbi ekonominë dhe portofolet tona si qytetarë. Po largohet e mundur

·         Fasha-Gogol me çmimin e rritur pesë herë mbi konsumin mujor prej 800 kilovat-orë nuk do të vendoset në asnjë nga të 11 muajt e mbetur këtë vit!

Kriza energjitike na u shfaq kërcënueshëm një vit e katër muaj më parë, në fund të shtatorit 2021. Erdhi me tre kuaj të Apokalipsit: me çmimet e rritura katër herë në bursat ndërkombëtare(nga 78 euro për megavat-orë në 330 euro), me një verë tejet të stërzgjatur dhe të nxehtë nga ngrohja globale, si dhe me një klimë pa rreshje për tetë muaj rrjesht(prill-tetor).

Kryeministri shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjitike më 3 tetor 2021, por shumë syresh nga ne thanë:”Ç’pati ky?! Po e bën për shou?”. Në fakt, vendet e tjera të rajonit, që nuk reaguan menjëherë me masa të forta në buxhet dhe në kapacitetet e tyre prodhuese dhe importuese, u gjendën në vështirësi të medha.

Shpata e trefishtë e Damokleut

Çmimet e larta rekord në bursat ndërkombëtare për energjinë elektrike, vijuan gjatë gjithë periudhës tetor 2021-janar 2022. Me mbi 180 milionë euro(20 miliardë lekë) të dhëna nga qeveria për të blerë energji në periudhën tetor-dhjetor 2021, arritëm të mos kemi kufizime të energjisë, por edhe të mos e rrisim çmimin fundor për qytetarët dhe biznesin e vogël, i cili ngeli me kokëfortësi 9.5 lekë për kilovat-orë.

Mirëpo në fund të shkurtit 2022, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, për shkak të agresionit të Putin dhe përdorimit të furnizimit me gaz natyror për Bashkimin Evropian si armë për ta bërë të mos mbështeste Ukrainën, çmimet e energjisë elektrike u çmendën krejt.

Tabela 1. Luhajtjet e çmimit mars-shtator 2022

- 18 mars 2022:                  386 euro/MWH

- 11 qershor 2022:                            432 euro/MWH

- 01 gusht 2022:                                 521 euro/MWH

- 08 gusht 2022:                                 1,044 euro/MWH

- 18 shtator 2022:                             463 euro/MWH

Çmimeve të çmendura iu shtuan edhe dy Shpatat e tjera të Damokleut, ajo e motit të zgjatur të nxehtë(praktikisht verë pesëmujore maj-shtator 2022) dhe ajo e një viti hidrik të thatë, me fare pak rreshje. Në fund të shtatorit 2022, qeveria deklaroi planet për të vendosur fashën e energjisë në tetor, me çmimin e rritur mbi 5 herë përtej nivelit 800 kilovat-orë në muaj(fasha). Për fat, koha na ndihmoi dhe mbajti e ngrohtë, si dhe qytetarët nisën ta kursenin energjinë dhe të mos e shpërdoronin aq sa më parë(tek ne mbi një e pesta e energjisë shpërdorohet, si në shtëpitë tona, dhe në institucionet shtetërore).

Qeveria iu rikthye vendimit të saj dhe nuk e vendosi fashën, ndërkohë që mori me qera dy termocentrale lundruese(baxho), të cilat, po të viheshin në punë, na siguronin 114 megavat-orë prodhim, ose sa 15 përqind të nevojave që kemi, ose sa të katër hidrocentralet e vegjël shtetërore të Ulzës, Shkopetit, Bitricës 1 dhe Bistricës 2, që më 13 qershor, një qeveri në ikje ia shiti një kompanie private, duke kryer një krim ekonomik për fatet e furnizimit me energji të mbarë vendit për gati dhjetë vjet!

Rikthimi i shirave në një dimër jo dimër!

Rikthimi i rreshjeve të dendura në gjysëm të nëndorit 2022, i shoqëruar, për fat të keq me përmbytje në Shkodër dhe Lezhë, risolli shpresën se dimri 2022-2023 mund të kalohej pa fashë. Shirat, si dhe menaxhimi me nikoqirllëk i Kaskadës së Drinit(nga shitjet krim ekonomik të qershorit 2013, na kanë ngelur shtetërore laj-thaj vetëm tre hidrocentralet mbi lumin Drin, Vau i Dejes, Komani dhe Fierza, por që ama japin 79 përqind të prodhimit tonë si vend, për shkak të madhësisë së liqenit te Fierzës prej 7 mijë hektarësh dhe me kapacitet 3.2 miliardë m3 ujë! Ky liqen përbën hambarin energjitik të Shqipërisë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare vendosi të mbushë Fierzën me çdo çmim, duke importuar energji dhe në fillim të rreshjeve të dëndura të nëndorit, më 17 nëndor. Jo pak prej nesh e quajtën veprimin si një absurditet dhe plot me hije për abuzim e korrupsion, por në fakt ishte vendimi i duhur. Në fillim të janarit 2023, Shqipëria kishte gjendjen e rezervës hidrike(sasia e ujit në liqenin e Fierzës kryesisht, e aftë të sigurojë prodhim vendas) 49 përqind më shumë se 1 janari 2022, ose rezerva energjitike më e madhe e 20 viteve të fundit në muajin janar!

Tabela 2. Pse duhet mbushur liqeni i Fierzës

Të mërkurën, datë 16 nëndor 2022(pa nisur shiu),

në Fierzë, mbi sipërfaqen e liqenit, kishin dalë shumë fort rrënojat e Kukësit të vjetër

Niveli i liqenit:

-          16 nëndor(para përmbytjes)       266 m( 24 m mbi nivelin ku HC nuk punon më)

-          21 nëndor(gjatë përmbytjes)      273 m

-          26 nëndor(pas përmbytjes)         280 m

Niveli optimal në nëndor:                             277 metra

Liqeni i Fierzës: HAMBARI ENERGJITIK I SHQIPËRISË

Me mbushjen e Fierzes dhe me nëndorin e dhjetorin 2022, me temperatura të moderuara(në Ultësirën Perëndimore, temperatura më e ulet nuk zbriti nën zero), vendi rifilloi prodhimin e energjisë me kapacitet të plotë dhe konsumi ishte më i ulur se dymujori nëndor-dhjetor i viteve të kaluara, pasi nuk pamë dimër në këtë periudhë!

Tabela 3 Po ikën Gogoli i energjisë?

Rezerva hidrike

-1 Janar 2022:                     800 Gigavat/orë

-1 Janar 2023:               1,192 Gigavat/orë (49% më shumë)

1.       Niveli i Liqenit të Fierzës

- Mars 2022:                       259 m

- Shtator 2022:                   268 m

- Janar 2023:                       288 m (kuota maksimale)

 

Pa fashë për 11 muajt e tjerë!

Të tre hidrocentralet tona shtetërore të Drinit, Vau i Dejës, Komani dhe Fierza, po prodhojnë energji elektrike pa rreshtur që pas datës 18 nëndor 2022, jo vetëm për të furnizuar vendin, por edhe për eksport. Reshjet e datave 18-20 janar 2023, edhe pse, për fat të keq, sërisht, përmbyten Shkodrën dhe Lezhën, sollën nivelin e Liqenit të Fierzës në kuotën maksimale të tij.

Korporata Elektro-Energjetike fitoi 12 milionë euro nga shitja e energjisë vetëm për këtë muaj, janarin 2023.

Në tre ankandet e hapur nga data 16 deri në 29 janar, KESH ka shitur 98 mijë megavat-orë, me çmim nga 70 deri në 160 euro. Këto jane çmime, me të cilat këto dite vepron edhe bursa e energjise elektrike e Hungarisë, bursë e cila shërben si referencë për shitje-blerjet e energjisë në rajon.

Me të ardhurat në dispozicion nga shitjet dhe me 80 milionë eurot dhuratë të Bashkimit Europian, vendi ynë është në një situatë të favorshme për të zbutur dhe madje larguar krizën energjitike që na u faneps kërcënuese në tetor 2021 dhe na shoqëroi gjatë gjithë vitit 2022, me çmimet e larta të çmendura të importit dhe me thatësirën e zgjatur të verës.

Tabela 4. Pse nuk do kemi fasha këtë vit?

1.       DIMËR I MODERUAR (KONSUMOJMË MË PAK)

2.       QYTETARËT PO KURSEJNË (DUHET TË KURSEJNË FORT DHE INSTITUCIONET!!)

3.       KEMI DEPOZITUAR ENERGJI NË KOSOVË

4.       NË JANAR EKSPORTUAM 12 MLN EURO

5.       DY TEC-ET LUNDRUESE SIGUROJNË 15% TË NEVOJAVE

6.       PO INVESTOHET FORT NË PANELE DIELLORE (DIGA E VAUT TË DEJËS ËSHTË MBULUAR ME PANELE DIELLORE)

Nga ana tjetër, investimet e reja për panele diellore, nisja e prodhimit hibrid të gjelbër në hidrocentralet tona shtetërore, si  dhe mbajtja si garanci për të betonuar sigurinë tonë energjitike, të dy TEC-eve të lundrueshme të Vlorës, na bëjnë të themi me plot gojën se të 11 muajt e mbetur të këtij viti (shkurt-dhjetor 2023) nuk do të kenë fashë, pavarësisht se gjatë verës do të na duhet edhe të importojmë.

 

F.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?