Foto Ilustruese

Opinion

Fatos Çoçoli: Siguria e duhur ushqimore, bileta jonë për në BE

28 Korrik, 15:18| Përditesimi: 28 Korrik, 15:20

  • Share

Me vendim të Këshillit të Ministrave, më datën 16 korrik 2025, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, më 1 janar 2026 do të jenë një strukturë e vetme. Kjo strukturë do të ketë aftësinë ta ndjekë dhe kontrollojë produktin ushqimor nga fara në arë, në grumbullimin në fermë e deri në tregtimin në tregun me pakicë, apo përpunimin në fabrikë dhe pastaj tregtimin në tregun me shumicë dhe më tej në atë me pakicë.

Nga riorganizimi i AKU-t nis reforma e thellë në sigurinë ushqimore

Pezullimi dhe pastaj riorganizimi tërësor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), për t’u bërë pjesë e një strukture unike kontrolluese për sigurinë e jetës sonë nga ushqimet që marrim në treg, është një garanci për ne. AKU, i cili ka qenë përgjegjës për kontrollin e ushqimeve për 15 vite rresht, është kthyer prej kohësh objekt kritikash, për pamundësinë e tij për të adresuar informalitetin masiv dhe problemet serioze me sigurinë e ushqimeve në vend.

Vendimi për ta riorganizuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit nuk është thjesht një ndryshim organizativ. Përfaqëson një përpjekje për ta rifilluar nga e para një sistem të fragmentuar dhe të dobët, i cili nuk i përmbush më kërkesat e sigurisë së jetës sonë për ushqimet që marrim në treg, as edhe kërkesat e integrimit europian dhe të Komisionit Evropian për cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve tona ushqimore.

Problemet konkrete që kanë dëmtuar besueshmërinë e AKU-së janë të shumta. Mungesa e laboratorëve të akredituar, kontrolli i ndarë në mes institucioneve të ndryshme si AKU, inspektorëve tatimorë dhe veterinarëve, si dhe mungesa e rezultateve të qëndrueshme për cilësinë e produkteve, kanë krijuar një boshllëk të madh në sistem.

Mangësitë e rënda të AKU

-              Kontroll i ndarë mes institucioneve të ndryshme(AKU nuk di ç’bëhet nga ferma në treg)

-              Mungesë e laboratorëve të akredituar

-              Vendimet për bllokime, gjoba apo pezullime aktiviteti jo mbi standarde teknike, por shpesh mbi presione të ndryshme

-              Tentativa të shumta për gjobvënie vetjake ndaj bizneseve që kontrollohen

-              Përdorimi nga bizneset i disa segmenteve të AKU-t, për të dëmtuar, përmes kontrolleve, bizneset konkurrente

- Presion i madh që inspektimet të mos krijojnë pengesa për bizneset, sidomos për prodhuesit dhe importuesit e mëdhenj, që shpesh çon në komprometim të cilësisë së kontrollit

- Bizneset shpesh ankohen për mungesë transparence në mënyrën se si trajtohen nga AKU

Shifrat alarmuese të analizave që tregojnë nivele të larta pesticidësh dhe antibiotikësh në produktet e bulmetit, si dhe moszbatimi i plotë i Ligjit nr. 9863/2008 për sigurinë ushqimore, janë tregues të qartë që diçka nuk funksionon. Mungesa e rregulloreve nënligjore të domosdoshme për zbatimin e ligjit, që prej vitesh janë në pritje, ka penguar ngritjen e një infrastrukture të besueshme kontrolli.

Siguria ushqimore, bileta jonë për në BE

Në këtë situatë, siguria ushqimore merr një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në maj 2025, Shqipëria nisi negociatat për kapitullin e 12-të të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të titulluar “Siguria Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare”, ku një nga kushtet kryesore për avancim është plotësimi i standardeve evropiane në këtë fushë.

Këto standarde kërkojnë gjurmueshmëri të plotë të produkteve nga burimi deri te konsumatori, zbatim rigoroz të standardeve HACCP dhe kontroll laboratorik të standardizuar, si dhe dokumentacion të qartë e të saktë për të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. Çdo produkt pa faturë apo pa dokumentacion, është një rrezik për shëndetin publik dhe një pengesë në rrugën europiane të Shqipërisë.

Deri tani tek ne, sistemi i kontrollit ka qenë i fragmentuar dhe përgjegjësitë shpesh nuk kanë qenë të qarta ndërmjet institucioneve përkatëse. Mungesa e laboratorëve të akredituar dhe infrastrukturës së nevojshme për analizat e standardizuara bën që kontrolli i cilësisë të jetë i paplotë dhe i pasigurt. Nga ana tjetër, mungesa e plotë e rregulloreve nënligjore dhe standardeve të zbatueshme pengon në mënyrë të konsiderueshme përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ndërkombëtare.

Pse lidhen aksioni i 14 korrikut dhe tjetërsimi i AKU-t?

Rioraginizimi tërësor i AKU-t dhe ngritja e komisionit të posaçëm testues të inspektorëve të tij, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë nisur të sjellin një unifikim të kontrollit dhe një qartësi përgjegjësish. Qëllimi është forcimi i kapaciteteve teknike dhe njerëzore, si dhe vendosja e një sistemi funksional të gjurmueshmërisë që do të jetë në përputhje të plotë me kërkesat e Bashkimit Europian. Përveç kësaj, do të duhet të përfshihen masat për përmirësimin e infrastrukturës laboratorike dhe trajnimin e inspektorëve, për të siguruar zbatim rigoroz të standardeve të BE-së.

Në këtë kontekst, aksioni i nisur në terren nga e hëna e 14 korrikut nuk është një operacion i thjeshtë, por një provë e vërtetë e angazhimit të qeverisë për reformë. Ky aksion synon të tregojë se Shqipëria është gati të ndalojë informalitetin dhe të respektojë ligjet e kontrollit ushqimor. Megjithatë, suksesi i tij do të varet nga kapaciteti real i institucioneve për të zbatuar masat dhe nga gatishmëria e biznesit për të u formalizuar.

Në përfundim, riorganizimi i AKU-t në një strukturë tërësisht të re dhe aksioni për sekuestrimin e produkteve pa faturë janë hapa thelbësorë në përpjekjen e Shqipërisë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të përmbushur kushtet për integrim në Bashkimin Europian. Siguria e ushqimit është më shumë se një çështje shëndetësore për ne. Ajo është bileta e Shqipërisë për në BE. Nga mënyra sesi do të zbatohen këto masa, do të varet në shumë mënyra edhe e ardhmja europiane e vendit

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?