Serrë bujqësore

Opinion

Fatos Çoçoli: T’i besojmë skemës së investimeve në bujqësi?

11 Gusht, 11:54| Përditesimi: 11 Gusht, 12:00

  • Share

Nga data 30 korrik 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 në bujqësi.

Për herë të parë, skema ka në dispozicion në dy muajt gusht-shtator këtë vit, një fond rekord prej 20 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, në mbështetje të fermerëve dhe bizneseve bujqësore.

Skema përfshin kredi të buta dhe grante investimi, të ndara në nëntë masa mbështetëse, që synojnë rritjen e prodhimit bujqesor e blegtoral, përmirësimin e teknologjisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë.

Tabela 1. Nëntë masat e Skemës Kombëtare të Investimeve 2025
· Ndërtimi i serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës
· Mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta
· Rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese
· Sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta
· Ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendarisë
· Mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale
· Pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri
· Investime në agroturizëm
· Koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë

Mundësi të reja për fermerët dhe agropërpunuesit

Janë me mijëra fermerët dhe shoqatat e tyre si shoqëri biznesi me status fizik ose juridik, të cilët mund dhe po aplikojnë për ndihmë financiare per nente masat e Skemes, nëpërmjet agropikave(zyra rajonale për dhënie informacioni) ose agjencive rajonale të ekstensionit(shërbimit) bujqësor në zonën e tyre.

Tabela 2. Objektivat kryesore të Skemës
·         Rritja e prodhimit bujqësor, duke nxitur mekanizimin dhe teknologjitë moderne
·         Rritja e ndjeshme e investimeve private në bujqësi
·         Sigurimi i cilësisë dhe standardeve, në përputhje me kërkesat e BE-së (standardet HACCP, Global G.A.P., etj.)
·         Zhvillimi rural i qëndrueshëm përmes diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale
·         Rritja e eksportit të produkteve të përpunuara bujqësore
·         Ulja e varësisë nga importet bujqësore.

Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi 2025 ka hapur mundësi të reja për fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit e sektorit të agroturizmit. Kjo iniciativë, e cila është e hapur për aplikime deri më 30 shtator 2025, ofron një paketë mbështetjeje financiare të integruar, që përfshin grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe kredi të buta me normë të ulët interesi deri 2 përqind në vit, mbuluar me garanci shtetërore deri në 70 përqind të vlerës së kredisë.

Tabela 3. Përfituesit nga Skema
- Fermerë individualë ose familjar.
-Shoqëri tregtare që veprojnë në fushën e bujqësisë dhe agropërpunimi.
- Shoqata prodhuesish bujqësorë
-  Start-up-e bujqësore dhe agroturistike.

Orientimi i ri i politikës sonë bujqësore

Me këto masa të realizuara, politika bujqësore e Shqipërisë është orientuar drejt mbështetjes së investimeve të qëndrueshme në sektorin agro-ushqimor, me synim rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë së produkteve, si dhe fuqizimin e konkurrueshmërisë në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Nga ana tjetër, me këto 20 milionë euro mbështetet ndjeshëm edhe agroturizmi, i cili ndihmon në zgjimin e interesit të të rinjve për të qëndruar në fshat, në ruajtjen e traditave dhe promovimin e produkteve autentike shqiptare.

Skema ndihmon edhe promovimin e farës autoktone shqiptare, trashëgiminë në kuzhinën tonë karakteristike dhe mbështet edhe programin “Paketa e Maleve”, një nismë që deri tani ka marrë mbi 2500 aplikime.

Skema gjithashtu i jep mundësinë çdo aplikanti të përfitojë nga më shumë se një masë mbështetjeje, pa kufizime monetare, duke lejuar kombinimin e investimeve në mbjellje të reja, me investime në teknologji dhe mbrojtjen e prodhimeve.

Me këtë skemë, vetëm subvencionet për sektorin e bujqësisë kapin për këtë vit vlerën e 45 milionë eurove, ndërsa në qershor 2025 Ministria e Financave dha garancinë 3 miliardë lekë ose mbi 30 milionë euro për huatë e buta në bujqësi.

Tetë dobitë e Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 në bujqësi

Skema Kombëtare e Investimeve për bujqësinë në vitin 2025 synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme për fermerët dhe agropërpunuesit shqiptarë. Kjo skemë e financuar nga buxheti i shtetit ka disa përfitime të dukshme, që ndikojnë si në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së produkteve bujqësore, ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

1. Rritja e investimeve të menjëhershme në sektor

Mbështetja financiare nga skema u mundëson fermerëve dhe bizneseve rurale të realizojnë shpejt projekte të blerjes së pajisjeve, ndërtimit të infrastrukturës dhe zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, pa pritur procedurat e gjata të fondeve ndërkombëtare.

2. Mbështetje më e gjerë për fermerët e vegjël

Skema kombëtare është projektuar të jetë më e aksesueshme, me kritere më të thjeshta për aplikim. Kjo lehtëson pjesëmarrjen e fermerëve të vegjël dhe atyre me kapacitete të kufizuara administrative, të cilët shpesh kanë vështirësi të përfitojnë nga programe të tjera.

3. Përmirësimi i infrastrukturës bujqësore

Përmes fondeve të skemës, financohen sisteme moderne ujitjeje, sera të mbyllura, magazina ruajtjeje, pika grumbullimi dhe linja përpunimi, duke rritur cilësinë dhe jetëgjatësinë e produkteve.

4. Nxitja e mekanizimit dhe teknologjisë

Skema ofron mbështetje për blerjen e makinerive dhe pajisjeve të reja, çka ul koston e prodhimit, kursen kohë dhe rrit efikasitetin e punës.

5. Rritja e sigurisë ushqimore

Duke financuar investime në përpunim dhe paketim, skema ndihmon prodhuesit të përmbushin standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, duke rritur besimin e konsumatorëve dhe aksesin në tregjet e huaja.

6. Ulja e varësisë nga importet

Mbështetja për prodhimin vendas rrit ofertën e produkteve bujqësore dhe përpunuara në tregun e brendshëm, duke zvogëluar nevojën për importe dhe duke ruajtur bilancin tregtar.

7. Nxitja e punësimit në zonat rurale

Investimet e reja krijojnë vende pune të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke frenuar emigracionin dhe duke gjallëruar ekonominë lokale.

8. Rritja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare

Prodhuesit e mbështetur nga skema kanë mundësi të përmirësojnë cilësinë, sasinë dhe prezantimin e produkteve, duke fituar pozita më të mira në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

V.GJ /Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?