Fatos Çoçoli: Triptik 2 miliardë euro energji e gjelbër!

3 Tetor 2023, 12:10| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 12:19

  • Share

Tre parqet e erës të kontraktuara nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, projekti i kompanisë amerikane CWP dhe projekti i ri i Statcraft përbëjnë një triptik investimesh madhore

Triptiku i siguron Shqipërisë një pozicion shumë të mirë në prodhimin dhe eksportin e energjisë së gjelbër në rajon dhe më tej

Në fund të korrikut 2023, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës përfundoi ankandin për ndërtimin e parqeve eolike(të erës) për prodhimin e energjisë elektrike, me kapacitet total 222.6 megavat/orë(MW/h). Është sikur, pa harxhuar asnjë lek nga paratë e taksapaguesve, të ndërtohet një hidrocentral i dytë i Vaut të Dejës, i cili e ka kapacitetin 250 megavat/orë. Ky ankand është i pari që organizohet nga qeveria shqiptare dhe po ashtu i pari i llojit të vet në rajon.

Tabela 1. Çmimi me leverdi i energjisë nga era

1.       Gjigandi francez Total Eren                          44.88 euro/MWh

2.       Turkja Guris Insaat                                           74 euro/MWh

3.       Gjigandi austriak Verbund                            74.95 euro/MWh

·         Çmimi mesatar  i tre ankandeve 65.5 euro/MWh është sa gjysma e çmimit mesatar pesëvjeçar 128 euro/MWh, të importit të Shqipërisë në kohët pik (shtator-tetor)

Gjigandi francez Total Eren(https://www.total-eren.com/) , në bashkëpunim me një kompani shqiptare, do të ndërtojë një park ere me kapacitet 75 megavat/ore. 100 perqind e energjisë së prodhuar nga ky park do t‘i shitet shtetit tonë me çmimin shumë të leverdisshëm, 44.88 euro për megavat/orë.

Konsorciumi i udhëhequr nga kompania e mirenjohur turke Guris Insaat (https://www.guris.com.tr/)   ka ofruar të ndërtojë një park ere me kapacitet po 75 megavat/ore. Edhe këtu, 100 përqind e energjisë së prodhuar nga ky park do t‘i shitet shtetit tonë, me çmimin konkurrues ne treg prej 74 euro për megavat/orë.

Gjigandi austriak Verbund (https://www.verbund.com/), i cili ka ndërtuar në Shqipëri, së bashku me kompaninë tjetër austriake EVN, hidrocentralin e Ashtës, ka ofruar të ndërtojë një park ere me kapacitet 72.6 megavat/orë. Edhe Verbund do t’ia shesë 100 përqind energjinë e prodhuar nga ky park shtetit tonë, me çmimin konkurrues në treg prej 74.95 euro për megavat/orë.

Tabela 2. Çmimi i ankandeve eolike evropiane

Çmimi i ankandeve eolike korrik-shtator 2023 në Evropë:

-          Shqipëria                                                             64.50 euro/MW

-          Gjermania                                                           73.40 euro/MWh

-          Franca                                                                   85.29 euro/MWh

·         Çmimi mesatar i ankandit në Shqipëri ishte 64.5 euro/MWh, më i ulët dhe i leverdisshëm, nga çmimet e siguruara nga shteti gjerman dhe ai francez në të njëjtën kohë

Gjigandi amerikan CWP vjen në Shqipëri

Kompania amerikane e energjisë së rinovueshme CWP (https://www.cwp.global/our-projects/) , e cila ka investuar 4 miliardë dollarë amerikanë në rajonin tonë, ka në plan një projekt me investim mbi 1. 2 miliardë USD në Shqipëri, për marrjen e energjisë nga era dhe dielli.

Nga takimi i përfaqësuesve të CWP në ambasadën amerikane në Shqipëri

Projekti në Shqipëri është projekti i CWP më i rëndësishëm në rajon. CWP është kompani pionere e energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore. Projekti i saj në vendin tonë dallon për qëndrueshmërinë që ai garanton në sektorin e energjisë, ekonomisë dhe mjedisit, si dhe për ndihmën që pritet të japë në krijimin e plot 1,546 vendeve të reja të punës në zonat më të largëta të Shqipërisë. CWP parashikon zhvillimin e Fermës së Erës në Tropojë.

Turbinat e fermës do të lidhen nëpërmjet linjave të tensionit të mesëm, me një nënstacion të projektit që, nga ana tjetër, do të lidhet me rrjetin shqiptar të transmetimit. Panelet diellore PV do të instalohen në grupe në kreshtat dhe zonat ngjitur, për të minimizuar ndikimin në terren dhe për të siguruar prodhim maksimal të energjisë. Këto grupime nuk do të kalojnë kapacitetin e prodhimit 190 MW. Ferma e erës dhe impiantet diellore PV do të lidhen me njësinë e ruajtjes së baterive të projektit prej rreth 100 MW.

Kompania amerikane CWP ka zhvilluar, financuar dhe ndërtuar me sukses projekte të shumta në rajon, duke përfshirë fermat më të mëdha të erës në Serbi dhe Rumani. Misioni i kësaj kompanie është të përshpejtojë tranzicionin e energjisë në rajon, duke rritur pjesën e burimeve të rinovueshme në përzierjen e energjisë. Për pasojë, duke rritur pavarësinë energjetike të vendeve ku investon, si dhe duke ulur emetimet në atmosferë të gazeve serrë.

Triptiku 2 miliardë euro i energjisë së gjelbër në Shqipëri

Projekti i tretë madhor për energjinë e gjelbër të vendit tonë përmblidhet në një marrëveshje që u miratua pak ditë më parë në qeveri dhe që ka mbërritur në Kuvend ,për t’u shndërruar në ligj.

Kompania e njohur norvegjeze Statkraft(https://www.statkraft.com/) planifikon të zgjerojë investimin e saj në hidrocentralin e Moglicës, me një vlerë shtesë prej 590 milionë euro.

Hidrocentrali i Moglicës, Devoll,  Shqipëri

Projekti i ri rrit ndjeshëm kapacitetin e instaluar në kaskadën e Devollit, që vetëm nga shtesa mund të jetë mes 800 dhe 1600 MW. Statcraft ka kryer disa studime paraprake, të cilat synojnë optimizimin e shfrytëzimit hidrologjik të lumit Devoll.

Studimet tregojnë se ndërtimi i një impianti me sistemin e rezervës së pompuar, mund të jetë i realizueshëm dhe do të ofronte një përdorim me të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll. Nga optimizimi përfitojnë të dyja kompanitë bashkë-koncesionare dhe shteti ynë, për shkak të shtimit të kapacitetit të ruajtjes së energjisë në vend.

Hidrocentralet mbi lumin Devoll përfaqësojnë projektin më të madh hidroenergjetik të 30 viteve të fundit, që po zbatohet në Shqipëri. Ai përfshin dy HEC-e të mëdha, Banja dhe Moglica, si dhe projektin për HEC-in e Kokel. Të dy hidrocentralet e parë në funksion kanë kapacitet të instaluar prej rreth 256 MW.  Investimi shtesë parashikon ta rrisë kapacitetin e instaluar në 800-1,600 MW. Kosto totale e investimit të Projektit të ri Hidroenergjetik të Devollit është vlerësuar ne rreth 590 milionë euro.

Të tre megaprojektet, tre parqet e erës të kontraktuara nga Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës, me vlerë investimi rreth 200 milionë euro, projekti i kompanisë amerikane CWP prej 1.2 miliardë USD dhe projekti i Statcraft prej rreth 600 milionë euro, përbëjnë një triptik investimesh madhore në energjinë tonë të gjelbër, me vlerë rreth 2 miliardë euro, që i sigurojnë Shqipërisë një pozicion shumë të mirë në prodhimin dhe eksportin e energjisë së gjelbër në rajon dhe më tej.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • alfred: 03/10/2023 21:58

    Po për Skavicën a ka ndonjë haber ,se nuk po ndigjohet .

    Përgjigju
  • Durres: 03/10/2023 15:38

    Uroj te realizohet sa me shpejt ideja qe shqiptaret te paguajne vetem mirembajtjen e rrjetit energjitik dhe energjine ta kene falas.. duke shpresuar ne nje brez te ri politikanesh qe do te duan vendin dhe popullin e tyre

    Përgjigju
  • MINUSHE: 03/10/2023 12:25

    INVESTIME TE MIRA DO ZOTI TE ECIN

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?