Më 22 shkurt 2025, në takimin me emigrantët në Parma të Italisë, Partia Demokratike premtoi që në 3 muajt e parë të qeverisjes së saj, do të vendoste minimumin jetik zyrtar, do të rriste rrogën mesatare në 1200 euro në muaj dhe pagën minimale me 25 përqind, në 50 mijë lekë të reja në muaj. Pa dyshim që angazhime të tilla, nëse do të ishte e mundur të realizoheshin, do të ishin të mirëpritura nga cilido.
Mirëpo problemi i madh që ka ekonomia dhe shoqëria jonë me premtimet zgjedhore ekonomike nga partitë tona politike, është se si t’i bëjmë ato të përgjegjshme që të jenë me këmbë në tokë me ato qe premtojnë dhe që zotimet e tyre të mos i ngjajnë një liste dëshirash.
Misioni i pamundur i minimumit jetik zyrtar të shpejtë
Që brenda tre muajve të parë të qeverisjes të premtosh vendosjen e minimumit jetik zyrtar, i cili, sipas studimit të Avokatit të Popullit, është të paktën 200 euro në muaj, do të thotë se në buxhetin e Shtetit duhet të parashikosh për seicilin vit të qeverisjes tëndë të paktën rreth 1 miliardë euro më shumë.
A mund ta bëjmë këtë? A është mision i pamundur?. Jo, për fat të keq. Po pse? Sepse janë me qindra mijëra persona në ndihmë ekonomike, si dhe që marrin pension social ose minimal në fshat, apo në qytet kanë një pension nën 20 mijë lekë në muaj. Janë plot 600 mijë të tillë!
Me vendosjen e minimumit jetik zyrtar, menjëherë të 524 mijë pensionistëve me pension nën 20 mijë lekë dhe 60 mijë personave në asistencë sociale 9 mijë lekë, duhet t’ua çosh 200 euro. Dhe, po të përcaktosh minimumin jetik 200 euro, duhet po ashtu që menjëherë të dyfishosh ndihmën ekonomike dhe pensionin minimal, si dhe atë në fshat.
Për të siguruar pastaj për katër vite rradhazi sa je në qeverisje, afro 1 miliardë euro çdo vit, të zbatimit të premtimit të parë, duhet që, ose të rritësh ndjeshëm të gjitha taksat me 15 përqind, ose të thellosh borxhin publik, duke marrë eurobonde pas eurobondesh. Rrugë të tretë nuk ka.
Kjo, pasi edhe lufta më e efektshme ndaj korrupsionit dhe abuzimit me fondet buxhetore kërkon kohë të sjellë frytet e saj.
Ndërkohë, në rast se shpresat për mbajtjen e premtimeve do t’i varnim në rritjen ekonomike të vendit, që premtimet e sotme ekonomike të Partisë Demokratike të mbahen që të gjitha, do të duhej që Shqipëria të kishte një rritje ekonomike vjetore 38 përqind për katër vjet rrjesht! Në fakt, nuk ka asnjë mundësi praktike ta kesh këtë rritje ekonomike as edhe për një muaj.
Paga mesatare 1200 euro dhe ajo minimale 500 euro
Nga ana tjetër, ekonomia jone është në 80 përqind të saj private dhe qeveria ka pak në dorë të rrisë pagën mesatare në rang vendi në 3 muaj, madje edhe brenda një viti, nga 766 euro që është tani, në 1200 euro, ose 56 përqind më shumë. Kjo, edhe sikur në tre muaj ta bëjë pagën mesatare në shtet 2 mijë euro! Gjë që e ka praktikisht të pamundur, sado të dojë ta bëjë.
E njëjta gjë mund të thuhet për pagën minimale, e cila është sot 40 mijë lekë në muaj dhe në 75 përqind merret nga punonjës në sektorin privat, në bujqësi, fason, etj.
Subvencioni për njësi në bujqësi
Partia Demokratike premton për fermerët subvencion nga shteti për çdo kokë bagëti dhe çdo njësi prodhimi. Sigurisht që një masë e tillë do të mund të ulte kostot e prodhimit ndjeshëm në bujqësi.
Mirëpo subvencioni për njësi prodhimi nuk pranohet nga Bashkimi Evropian, për shkak se deformon konkurrencën mes vendeve anëtare. Në rast se do ta merrnim përsipër këtë lloja ndihme direkte, Kapitujt 11 dhe 12 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që shpresojmë t’i hapim sa më shpejt, nuk do të hapeshin kurrë.
Nga ana tjetër, një politikë e tillë bujqësore do të na pengonte të hapnim për Shqipërinë Programin IPARD 3 dhe nëndë masat e tij, me mundësinë, që me ndihmën e këtij programi, të shtonim investimet në bujqësinë tonë me të paktën 280 milionë euro për katërvjeçarin 2025-2028
Ulja e çmimit të naftës
Është po ashtu, shumë e vështirë, në mos e pamundur, të ulësh çmimin e naftës në vend, për ta sjellë poshtë mesatares së rajonit, sikurse është premtimi zgjedhor i PD-së, pasi menjëherë buxhetit të Shtetit do t’i mungonin 380 milionë euro në vit, që vjel nga një pjesë shtatë taksave mbi naftën. Kjo, pasi e gjithë nafta që përdorin automjetet tona vjen nga importi dhe nafta që nxirret në Shqipëri shkon e gjitha për eksport.
Sigurisht që mund të ulnim çmimin e naftës me 20 përqind, duke hequr tre nga shtatë taksat e sotme mbi të, por do të kishim afro 400 milionë euro më pak në Buxhetin e Shtetit. Pra, më pak para për shëndetësinë, arsimin dhe pensionet.
Partitë tona politike e kanë për detyrë dhe duhet të bëjnë premtime të forta ekonomike, në sprovë për të bindur qytetarët në vullnetin e tyre për t’ua përmirësuar jetën, por jo premtime pa asnjë bazë të arsyeshme ekonomike.
Komente
