Fatos Kongoli rrëfen për Report Tv përjetimet për aktualitetin politik e social në vend: Lexuesi shqiptar i pari për mua, krijoj për të!

28 Shkurt, 16:51| Përditesimi: 28 Shkurt, 17:59

  • Share

Në sallën franceze të qendrës “Sotir Kolea” Fatos Kongoli është i ftuar këtë mesjavë për të folur mbi veprën e tij. Rrethohet nga botimet, ose siç ai i quan ‘krijesat e tij’...

“I rrethuar nga librat e mi në këtë 80-vjetor të lindjes ndihem mirë, sepse librat e mi kanë bërë rrugën e tyre, janë pëlqyer, kanë pasur lexuesit e tyre dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe që mund të ketë një autor”, shprehet shkrimtari Fatos Kongoli.

Janë një sërë aktivitetesh që realizohen në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Toena”, me rastin e këtij përvjetori të 80-të të shkrimtarit. Kontakti i drejtëpërdrejtë me lexuesit e gëzon.

“Është një kënaqësi e veçantë, takimet me lexuesit kanë qenë ndër momentet më interesantë të jetës sime. Madje mund t’ju them se sa herë që organizohen panaire libri, unë rri me orë e orë të tëra. Nuk mërzitem duke firmosur libra.”, shprehet Kongoli.

Në panel, Dhimitraq Furrxhi (drejtori i Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore), vë theksin tek Kongoli si rast i rrallë i matematicienit që iu përkushtua letrave, ku me ekzaktësinë e shkencave ndihmoi edhe në pasurimin e gjuhës shqipe. Shkrimtarja Majlinda Rama vlerëson letërsinë e Kongolit, që depërton lehtë tek lexuesi, ndërsa Nevila e rrëfen si një nga autorët më të lexuar.Të rinjtë mbizotërojnë mes dëgjuesve, e ndonëse është i përkthyer në disa gjuhë, me kritika pozitive edhe në mediet e huaja, thotë se lexuesi i vendit të tij ka tjetër peshë.

“Një shkrimtar në radhë të parë duhet të kalojë nëpërmjet lexuesit të tij. Lexuesi im është lexuesi shqiptar, sepse unë për atë kam krijuar dhe krijoj”, thotë ai.

Në librat e tij ka shkruar për të shkuarën, për njeriun e zakonshëm, ka rrëfyer të vërteta që kërkonin guxim, ka treguar episode familjare... , prej tyre veçon dy.

“Si dy librat e mi më të rëndësishëm unë konsideroj “Iluzione në sirtar” dhe “Kapitulli i Amerikës”. Këto janë romane të mirëfilltë, por kanë një theks të fortë autobiografik”, shton ai.

Shqipëria është vendi që kanë zgjedhur të jetojnë pleqërinë bashkë me bashkëshorten.

“Sigurisht, kemi zgjedhur të jetojmë këtu”, shton më tej.

Për letërsinë, ka shumëçka mund ta frymëzojë nga vendi i tij, pse jo për një roman të ardhshëm.

“Kam një parim, që gjërat që deklarohen nuk shkruhen”, thotë Kongoli.

Por, në fjalët e tij ndihet premtimi për një tjetër kapitull letrar.

“Shkrimtaria ose të shkruarit për çdo njeri që shkruan është një lloj sëmundje. Domethënë në momentin që nuk merresh më, nuk je më. Domethënë është një mënyrë ekzistence për mua”, tregon.

 Por, në një periudhë zhurmnaje si kjo, tregon se si e përjeton sfondin politik e social në vend.

“E përjetoj me një ndjenjë jo të mirë, që nuk më jep asnjë arsye për të qenë i kënaqur”, tregon me keqardhje shkrimtari.

Por, si do të donte ai ta shikonte realitetin në këtë kontekst?

“Vetëm kështu siç është nuk do të doja ta shikoja”, konkludon shkrimtari.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?