Tre individë kanë dominuar historinë politike të shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur - Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur; Enver Hoxha (1944-1985), si kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjithë pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”, ose “diktaturë e proletariatit”; dhe Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë postsocialiste.
I pari, Zogu, ishte dhe mbetet një figurë shumë kundërthënëse. Ai e uzurpoi pushtetin me dhunë, i ndihmuar nga forcat jugosllave dhe rusët e bardhë, asgjësoi kundërshtarët politike kryesorë të tij, burgosi shumë të tjerë dhe, më në fund, si mbret, e braktisi vendin në prag të pushtimit fashist italian, në vend që të organizonte e të drejtonte rezistencën e armatosur të popullit të vet kundër atij pushtimi.
Hoxha sundoi me dorë të hekurt për dyzet vite me radhë, por, siç kam argumentuar në studimin tim Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë, ky njeri dhe sistemi politik që ai krijoi dhe drejtoi me metoda autoritariste kishin, për një farë kohe - pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri aty nga fillimi i viteve 1960 - një farë legjitimiteti që u venit dhe humbi krejtësisht më pas për arsye politike, ekonomike dhe ideologjike, të cilat i kam shpjeguar hollësisht në studimin e lartpërmendur. Sot, nga një distancë e mjaftueshme në kohë për të gjykuar e vlerësuar me ftohtësi, figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e pranishme, provokuese, kundërthënëse dhe polarizuese në narrativën postsocialiste dhe në debatin publik e atë akademik që zhvillohet në vendin tonë.
Kur bëhet fjalë për Berishën, ky, në gjykimin tim, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Këto tipare të tij i kam përmbledhur shkurtimisht në esenë “Prognozë retrospektive: Berisha në historinë e së shkuarës”, botuar disa vite më parë në gazetën DITA.
Është e çuditshme se si Berisha, nga një individ thuajse i panjohur për publikun deri në fundin e viteve 1980, përveçse si një mjek -dhe si sekretar i organizatës së partisë në spitalin ku ushtronte profesionin e tij- u shfaq në skenën e politikës shqiptare krejt papritur, me imazhin e një intelektuali disident antikomunist (pa qenë as edhe një ditë të vetme i tillë) dhe pretendoi se themeloi të parën parti opozitare në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990.
Në fakt, ishin të tjerë individë ata që e organizuan dhe e drejtuan lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila çoi në galvanizimin e skenës politike shqiptare, në krijimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e para demokratike dhe në rënien e sistemit socialist.
Berisha ishte një free rider. Ai diti të shfrytëzojë përpjekjet e të tjerëve pa rrezikuar vetë asgjë, për të fituar gjithçka për vete. Humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por fitoi në zgjedhjet e një viti më vonë dhe u bë presidenti i parë i Shqipërisë postsocialiste.
Në Poloni, e para qeveri postsocialiste, e krijuar në vitin 1989, zgjodhi në krye të saj një individ si Tadeusz Mazowiecki, një shkrimtar dhe një prej figurave qendrore të lëvizjes opozitare “Solidarnost”, i burgosur nga regjimi i Jaruzelskit në fillim të viteve 1980, ndërsa president i parë i atij vendi u bë udhëheqësi kryesor i “Solidarnostit”, Lech Walesa, edhe ky i burgosur në të njëjtën kohë dhe, në liri, shumë herë i papunë nën atë regjim.
Në Çekosllovaki, presidenti i parë pas rënies së socializmit shtetëror në atë vend u zgjodh Vaclav Havel, një dramaturg disident dhe një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i burgosur edhe ky disa herë nën atë sistem. Më vonë, pas ndarjes së Çekosllovakisë në dy shtete më vete përmes një marrëveshjeje paqësore që u konsiderua si një velvet divorce, Havel u zgjodh presidenti i parë i Republikës Çeke.
Në Bullgari, gjithashtu, njeriu që u bë presidenti i parë postsocialist i atij vendi, Zhelyu Zhelev, kishte qenë më parë një disident.
Po Berisha? Nga mbiu ai?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit. Përkundrazi, Berisha ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar dhe militant. Ai nuk e pa kurrë portën e burgut të diktaturës, as edhe atë të rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hyri në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre.
Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij prej peshkaqeni për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe-në rastin e tij-mundësinë që ofron një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta.
Ishte fati ynë, apo zgjedhja jonë që e polli Sali Berishën dhe e ngriti atë në fronin më të lartë të shtetit më 1992?
Nëse ishte thjesht fati, ky paskësh qenë një fat shumë i keq, një fat i zi. Por, unë nuk besoj në fat; në rastësi, po. Sidoqoftë, rasti Berisha nuk mund të shpjegohet me parimin hegelian të filozofisë së historisë, se domosdoshmëria e çan rrugën e vet përmes rastësisë. Sepse hyrja e një njeriu si Berisha në politikën shqiptare dhe ardhja e tij në krye të shtetit mund të ishin çdo gjë, por jo një domosdoshmëri historike.
Nëse ishte zgjedhja jonë, kjo ka qenë zgjedhja më e keqe, më e gabuar, më joracionale që një popull mund të bëjë. Zgjedhjet që bëjmë, sidoqoftë, rrallë herë janë fatale. Të gabuara, po. Të dëmshme, gjithashtu. Tragjike, disa herë po. Por rrallë herë janë fatale. Sepse, pasi kemi nxjerrë mësime prej zgjedhjeve të gabuara të së shkuarës, mund të heqim dorë e të bëjmë zgjedhje të reja, më të informuara, më të arsyeshme, më të dobishme.
Këtë bëmë kur Berishën e rrëzuam dy herë nga pushteti-më 1997 dhe 2013. Në këta dymbëdhjetë vitet e fundit, Berisha është përpjekur të rikthehet në pushtet me çdo mënyrë e me çdo mjet, por ka dështuar ta arrijë këtë me të vetmen rrugë legjitime-zgjedhjet e lira demokratike. Berisha humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013; humbi përsëri në zgjedhjet e vitit 2017; humbi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëri humbi në zgjedhjet e këtij viti. Ai meriton të quhet “humbësi i madh”.
Shumica e shqiptarëve duket se kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e gabuara të së kaluarës dhe, më në fund, e kanë ndarë mendjen: Berisha është kohë e shkuar! Berisha është kthim pas! Berisha është pa të ardhme. Unë jam shprehur me kohë se Berisha, në fakt, është një fatkeqësi kombëtare.
May time prove me right!/Gazeta Dita
Komente

Shkrimi ska ku shkon më i saktë por kriminelët dhe banditët e tij nuk e pranojnë!
PërgjigjuNuk ka vënd për koment në një saktësi të tillë.përshëndetje.
Përgjigju