Foto ilustruese

Opinion

Fatos Tarifa: Fenomenologjia e ëndrrave

10 Qershor, 19:56| Përditesimi: 10 Qershor, 19:59

  • Share

Askush nuk erdhi e nuk iku nga kjo jetë pa parë ëndrra. Ëndrrat, si një dukuri neurofiziologjike e psikologjike shumë e çuditshme, janë pjesë e pandarë e jetës së çdo njeriu; vetëm të vdekurit nuk shohin ëndrra. Shkenca e sotme na thotë se ëndrrat marrin mesatarisht një të pestën e kohës së gjumit e, megjithatë, njerëzit rrallë herë i mbajnë mend ëndrrat që shohin, edhe pse ato janë pjesë e gjumit të tyre çdo natë.

Edhe vetëm ky fakt i bën ato të rëndësishme për t’u shpjeguar e kuptuar nga vijnë, pse dhe si krijohen dhe, mbi të gjitha, nëse ëndrrat kanë ndonjë kuptim të caktuar e na thonë ndonjë gjë të vërtetë ose jo. Ky do të ishte një kërkim fenomenologjik për shpjegimin e ëndrrave si një eksperiencë unike njerëzore.

Nga lindja e njerëzimit e deri më sot, ëndrrat kanë qenë dhe—për shumicën e njerëzve—vazhdojnë të jenë një mister, një eksperiencë njerëzore sa e habitshme, aq edhe mistike, ndonjëherë me efekte psikike tronditëse.

Në popujt dhe kulturat e lashta, njerëzit i shihnin ëndrrat si profeci që do u gjenin zgjidhje shqetësimeve të tyre—problemeve të shëndetit, dilemave morale, fatkeqësive natyrore, ose problemeve të shtetit—dhe, prandaj, i merrnin ato shumë seriozisht. Vedat dhe upanishadat e indianëve të lashtë, dokumentet më të hershëm të sanskrishtes klasike, që me konceptet e tyre u bënë më vonë baza e Hinduizmit, përmbajnë shumë referenca mbi ëndrrat. Ëndrrat shiheshin e shpjegoheshin prej tyre si mesazhe profetikë mbi të ardhmen, thuajse njëlloj siç bën astrologjia.

Në mitologjinë e indianëve të lashtë, shpirtrat e të vdekurve u shfaqeshin të gjallëve në ëndrra për t’i paralajmëruar mbi rreziqet e mundshëm. Lindja e një njeriu të madh e të fuqishëm paralajmërohej në ëndrrat që mund të shihte një grua, në të cilat shenjat, ose simbolet që e parashikonin ardhjen e tij në jetë mund të ishin një elefant i bardhë, një luan, një dem i bardhë, Hëna ose Dielli, dy peshq që kërcenin mbi ujë, një liqen i mbushur me zambakë të bardhë apo një oqean me qumësht.

Egjiptianët e lashtë i shpjegonin ëndrrat si komunikim me shpirtrat e njerëzve të vdekur. Ata besonin në fuqinë e ëndrrave për të parathënë të ardhmen e për të ofruar këshilla dhe kishin rituale të caktuar për t’i ruajtur ëndrrat e tyre. Legjenda thotë se, kur Thutmosi IV ishte një djalë i ri, e zuri gjumi nën hijen e Sfinksit dhe pa në ëndërr Sfinksin që i tha se, nëse ai e pastronte atë prej rërës që e kishte mbuluar të tërin, ai do të bëhej e do të sundonte si një Faraon i madh.

Për egjiptianët e lashtë, ashtu si dhe për shumë popuj të tjerë në lashtësi—madje për shumë njerëz edhe në ditët tona—ëndrrat e merrnin kuptimin nga simbolet e tyre. Të shihje Hënën në ëndërr, fjala vjen, ishte një shenjë e mirë, sepse kjo do të thoshte se perënditë të kishin falur. Por, nëse një grua, ose një burrë shihte në ëndërr fytyrën e vet në pasqyrë, kjo ishte një shenjë që do të thoshte se burri duhej të gjente një grua tjetër, ose gruaja një tjetër burrë.

Në shumë kultura të lashta te banorët indigjenë të Amerikave, ëndrrat konsideroheshin si një hapësirë e shenjtë, në të cilën një person mund të shkëputej nga lidhjet me botën materiale të ekzistencës së tij e të lidhej me një mendje universale që drejtonte gjithësinë. Çdo fis dhe çdo kulturë e veçantë e tyre kishte simbolet e veta (kryesisht shpirtrat e kafshëve dhe të të parëve të tyre, si toteme të shenjtë, tabú), me të cilat u jepnin shpjegim ëndrrave.

Grekët e lashtë, në përgjithësi, besonin se ëndrrat kishin të bënin me parashikimin e së ardhmes. Ëndrrat gjetën një vend të veçantë në letërsinë e tyre klasike. Në Iliadën e Homerit (libri i dytë), Zeusi i dërgon një ëndërr mashtruese Agamemnonit, në formën e dikujt që e inkurajon të sulmojë Trojën. Te Odisea, Penelopa sheh në ëndërr një shqiponjë që vret një tufë rosash rreth saj dhe flet, duke e paralajmëruar se i shoqi ishte gjallë, do të kthehej e do të merrte hak ndaj armiqve të tij.

Frojdi vinte në dukje se pikëpamjet e të lashtëve mbi ëndrrat, që i konsideronin këto “jo si produkte të mendjes, por si një frymëzim hyjnor” që hyjnitë u çonin njerëzve “për t’i parajmëruar për ndodhi të së ardhmes”, përputheshin me botëkuptimin e tyre të përgjithshëm mbi jetën, i cili nuk pasqyronte botën e jashtme, por e shihte realitetin si produkt të mendjes”.

Për grekët e lashtë, ashtu si dhe për romakët, ëndrrat nuk nënkuptonin vetëm parashikimin e ngjarjeve të ardhshme, por konsideroheshin edhe si terapi për shumë sëmundje dhe shqetësime të trupit e të shpirtit. Galeni, një ndër mjekët më të njohur të botës së lashtë, thuhet se kreu një ndërhyrje kirurgjikale mbështetur në udhëzimet që mori në një ëndërr. Në fakt, vetë Galeni u bë mjek për shkak të një ëndrre që kishte parë i ati i tij.

Sigurisht, jo çdokush në Greqinë e lashtë i merrte ëndrrat seriozisht. Fjala vjen, Diogjeni, filzofi i njohur i shkollës së cinikëve, në shekullin IV para Erës së Re, i vinte në lojë ata njerëz që, sipas tij, “nuk kujdeseshin për ato që bënin sa ishin zgjuar, por merakoseshin e flisnin kaq shumë për ato që imagjinonin se shihnin kur ishin në gjumë”.

I pari mendimtar i lashtësisë që zhvilloi një pikëpamje origjinale për shpjegimin e ëndrrave ishte Aristoteli. Ai besonte se ëndrrat “nuk janë një dukuri mbinatyrore, por ndjekin ligjet e shpirtit njerëzor”.

Në mënyrën e tij, Aristoteli u përpoq t’i gjente shpjegim një prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat merren sot shkencat që studiojnë trurin dhe veprimtarinë e tij, pikërisht çështjes se si eksperiencat tona të ndërgjegjshme lidhen me veprimtarinë e trurit në gjumë, kur shkëputemi nga mjedisi ynë jetësor, dhe nëse ëndrrat janë të lidhura me imazhe mendorë apo me perceptimet tona.

Në traktatin e tij Mbi ëndrrat, shkruar në vitin 350 para Erës së Re, Aristoteli shpjegonte se, gjatë gjumit, kur sytë janë të mbyllur e nuk shohin gjë, njeriu nuk ka asnjë stimulim shqisor të jashtëm dhe nuk percepton asgjë. Sidoqoftë, sipas tij, “edhe kur [në gjumë] nuk perceptojmë më asnjë objekt të jashtëm, përshtypjet që ata kanë lënë tek ne mbeten…duke krijuar emocione njëlloj si objektet e perceptuar”.

Aristoteli sillte këtë shembull: dikush që i trembet diçkaje ditën, ndjen të njëjtin emocion frike prej saj edhe në ëndërr, ashtu sikurse dikush që është i dashuruar, përjeton të njëjtin emocion dhe të njëjtën dëshirë erotike edhe në ëndrrat që sheh. Sipas tij, ëndrrat janë veprimtaria mendore e një njeriu në gjumë. “Në gjumë”, shkruante Aristoteli, “veç imazheve, shpesh herë ne kemi mendime”, por, ndërsa “jo çdo imazh në gjumë është ëndërr, të menduarit në gjumë është ushtrimi i aftësisë së të menduarit”.

Ëndrrat, sipas Aristotelit, dëshmojnë mbi arsyen e njeriut dhe ndikojnë në mirëqenien dhe personalitetin e tij. Ai besonte, gjithashtu, se jo të gjithë njerëzit shohin ëndrra. “Ka njerëz”, shkruante ai, “që nuk kanë parë asnjë ëndërr tërë jetën e tyre, siç ka të tjerë që fillojnë të shohin ëndrra duke u rritur në moshë”.

Frojdi e ka vlerësuar “përkufizimin korrekt dhe konciz” të Aristotelit mbi ëndrrat, që u hiqte atyre karakterin hyjnor, duke pohuar se “pikëpamjet e tij, nëse interpretohen drejt, përmbajnë një kuptim të thellë”.

Edhe pse ëndrrat kanë provokuar gjithnjë kureshtjen e njeriut dhe kanë qenë një subjekt spekulimesh për shumë mendimtarë, studimi shkencor rigoroz i tyre ka nisur shumë vonë. I pari që u përpoq t’u jepte ëndrrave një kuptim shkencor ishte Zigmund Frojdi. Frojdi ka shkruar për ëndrrat në shumë prej veprave të tij, por vepra që shkaktoi një tronditje sizmike në mendimin intelektual e mjekësor të kohës së tij ishte Interpretimi i ëndrrave, botuar në vitin 1899.

Vetë Frojdi priti deri sa ishte në mes të të dyzetave për ta botuar këtë vepër, madje, edhe pasi ajo u botua, u desh më shumë se një dekadë për ta bërë veprën de tij të famshme. Ajo u printua fillimisht vetëm në 600 kopje dhe u deshën tetë vite që ato të shiteshin, ndërsa në anglisht ajo u botua për herë të parë vetëm në vitin 1913.

Me këtë vepër, për të parën herë në historinë e mendimit europian, Frojdi u përpoq t’u jepte ëndrrave një shpjegim që lidhet me erotizmin. Ai besonte se ëndrrat janë mënyra me të cilën e pandërgjegjshmja komunikon me ne, përmes simbolesh, duke zbuluar mendimet, dëshirat dhe emocionet tona të shtypura, të cilat ne përpiqemi t’i mohojmë. Për këtë, ai zhvilloi një sistem kompleks interpretimi mbështetur në ëndrrat e pacientëve të tij.

Simbolet që shfaqen në ëndrra, argumentonte Frojdi, nuk janë arbitrarë, por kanë kuptime të caktuar dhe mund të deshifrohen përmes analizës së eksperiencave dhe emocioneve personale të personave që i shohin këto ëndrra. Sipas tij, numri i gjërave që përfaqësohen në ëndërr përmes simboleve nuk është shumë i madh; ato kanë të bëjnë kryesisht me trupin e njeriut, prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat, lindjen, vdekjen, lakuriqësinë etj.

Frojdi besonte se “një dëshirë e pandërgjegjshme krijohet gjatë ditës dhe shndërrohet në ëndërr gjatë natës”. Sipas tij, “rruga që të çon nga e parandërgjegjshmja tek e ndërgjegjshmja është e mbyllur për ëndrrat gjatë ditës për shkak të rezistencës që i bën asaj censori”; ato bëjnë vend tek e ndërgjegjshmja vetëm gjatë natës. “Kur ne flemë”, argumentonte ai, “e pandërgjegjshmja dëshmon forcën e saj duke formuar një ëndërr dhe me të ajo zgjon të parandërgjegjshmen”.

Me “censor” Frojdi kuptonte atë agjenci të mendjes, që është përgjegjëse për shtypjen e mendimeve, të emocioneve e të dëshirave të njeriut. Funksioni i saj është të përcaktojë se cilat dëshira, mendime apo ide mund të hyjnë në ndërgjegjen tonë dhe cilat duhen mbajtur të pandërgjegjshme e të shtypura, për shkak se vijnë në kundërshtim me standardet moralë të shoqërisë, ose janë në konflikt me dëshira të tjera dhe, për këtë arsye shkaktojnë shqetësime të mëdha.

Kjo ide u zhvillua më vonë nga Frojdi në konceptin e tij mbi superegon. Thelbin e teorisë së tij mbi shpjegimin e ëndrrave, ai e shprehte me këto fjalë: “Në çdo rast, interpretimi i ëndrrave është via regia për njohjen e së pandërgjegjshmes në veprimtarinë e mendjes”.

Çdo ëndërr, sipas Frojdit, është vetë “hija jonë fantazmë e një ekzistence të palumtur”. Ëndrrat janë shprehje e dëshirave më të fshehta, të parealizuara e të pamundura të njeriut; ato janë mënyra për të kënaqur dëshirat tona të pandërgjegjshme. Frojdi i shihte ato të lidhura me instinktet primarë të tij, veçanërisht me libidon. “Nuk është ëndrra ajo që prodhon fantazinë, por është fantazia e pandërgjegjshme ajo që luan rolin më të madh në formimin e ëndrrave tona”, shkruante ai. “Dëshirat që shfaqen në ëndërr e kanë origjinën tek e pandërgjegjshmja”.

Për Frojdin, pjesa më e madhe e simboleve që shfaqen në ëndrra i përkasin sferës së jetës seksuale të njeriut, janë pra simbole seksi. Edhe për këtë arsye, veç të tjerash, ai e lidhte interpretimin e ëndrrave me ndjenjat, dëshirat dhe eksperiencat seksuale të shtypura qysh nga fëmijëria, ose me konflikte të pazgjidhur që kanë të bëjnë me tërheqjen seksuale. Ishte pikërisht në këtë vepër që Frojdi përmendi për herë të parë tragjedinë e Sofokliut Edipi Mbret për të argumentuar idenë e tij mbi prirjen universale të çdo fëmije për t’u tërhequr seksualisht ndaj njërit prind, duke dashur ta mundë tjetrin, çka më vonë ai e quajti “kompleks i Edipit”.

Koncepti bazë për shpjegimin e ëndrrave, pohonte Frojdi, është ky: “Asnjë impulsi tjetër nuk i është dashur t’i nënshtrohet një represioni kaq të madh që nga koha e fëmijërisë sa impulsit seksual në të gjithë komponentët e tij të shumtë [dhe] prej asnjë impulsi tjetër nuk kanë mbijetuar kaq shumë dëshira të pandërgjegjshme e kaq intensive, të cilat tani, në gjendje gjumi, veprojnë në atë mënyrë që krijojnë ëndrrat. Në interpretimin e ëndrrave, rëndësia e komplekseve seksualë nuk duhet harruar kurrë”.

Sipas Frojdit, ëndrrat përbëhen nga dy shtresa. Shtresa e sipërme përfaqëson “përmbajtjen e shfaqur”, ose “të manifestuar” të imazheve e të ngjarjeve që kujtojmë kur zgjohemi; shtresa nën të është “përmbajtja latente” e çdo ëndrre, që ka të bëjë me kuptimin e fshehur të saj. Një ëndërr, sipas tij, është “plot kuptim dhe prandaj mund të interpretohet”.

Frojdi besonte se ëndrrat shprehin nevojën për përmbushjen e dëshirave tona, të atyre gjërave që duam të bëjmë, por që nuk guxojmë t’i bëjmë në jetën reale, shumë prej të cilave janë të një natyre seksuale. Një i panjohur që të shfaqet në ëndërr, fjala vjen, sipas tij përfaqëson aspekte të subkonshiencës tënde, ose dëshira që t’i i ke neglizhuar, ose edhe i ke mohuar se ekzistojnë. Për shkak se dëshirat tona seksuale shpesh bien ndesh me normat shoqërore, ato duhet të fshihen pas simbolesh, të cilët Frojdi besonte se i kuptonte dhe kishte mësuar t’i interpretonte.

Sipas Frojdit, edhe nëse përmbajtja e manifestuar e një ëndrre mund të duket se s’ka asgjë që lidhet me seksin, është e sigurt se përmbajtja e asaj ëndrre është seksuale. Sepse, argumentonte ai, neurozat, të cilat gjithnjë janë produkt i konflikteve të pazgjidhur mes prirjeve instinktive dhe pengesave të shoqërisë, apo “ndërgjegjes”, ka më shumë të ngjarë të kenë një origjinë seksuale. Për këtë arsye, ëndrrat, sipas tij, duhen vlerësuar si simptoma neurozash dhe, prandaj, shumica e tyre duhen interpretuar si të lidhura me seksin. Frojdi shkruante: “Sa më shumë të interesohesh për shpjegimin e ëndrrave, aq më shumë priresh të pranosh se shumica e ëndrrave që shohin të rriturit kanë përmbajtje seksuale dhe u japin shprehje dëshirave erotike”.

Pavarësisht prirjes së tij për ta shpjeguar çdo gjë me anë të seksit, Frojdi pohonte se disa ëndrra mund të mos kenë përmbajtje seksuale dhe këshillonte që shpjegimi përmes seksit “nuk duhet ekzagjeruar duke e konsideruar atë si ekskluziv”. Po kështu, vinte në dukje ai, “jo çdo dëshirë e ndërgjegjshme mund të nxisë një ëndërr; ëndrrat formohen vetëm atëherë kur dëshirat e ndërgjegjshme arrijnë të krijojnë reagime të pandërgjegjshme që i intensifikojnë më tej ato”.

Frojdi argumentonte, gjithashtu, se jo të gjithë simbolet që shprehen në ëndrra kanë vetëm një kuptim të mundshëm. Sipas tij, “e njëjta ëndërr mund të ketë një kuptim të ndryshëm tek individë të ndryshëm dhe në një kontekst të ndryshëm”.

Në veprën e tij Interpretimi i ëndrrave, Frojdi parashikoi se “studime më të thelluara në të ardhmen do i çojnë njohuritë tona përpara e do të zbulojnë një bazë organike të kësaj dukurie”.

Ky parashikim i Frojdit ka nisur të përmbushet vetëm në këto dekadat e fundit. Shumë shkencëtarë që janë marrë e merren me studimin e trurit i shpjegojnë sot ëndrrat si një dukuri neurofiziologjike, pa ndonjë kuptim latent. Neuroshkenca, sidomos ajo kongnitive, mbështetur në imazhet e përftuara nga teknologjia e skanimit të trurit (brain imaging, ose neuroimagining) dhe teknikat elektrofiziologjike i kanë ndihmuar të kuptuarit nga ana jonë të bazave neurotike të të ëndërruarit. Ato kanë provuar se ëndrrat s’janë veçse rezultat i transmetimeve rastësore të sinjaleve elektrikë në zonat limbike dhe paralimbike të trurit, të cilat kontrollojnë emocionet, dëshirat, motivimin dhe kujtesën tonë dhe janë veçanërisht aktive gjatë një gjumi të thellë.

Në dritën e kërkimeve e të zbulimeve të reja, sot janë të paktë ata psikologë që e marrin seriozisht teorinë frojdiste mbi shpjegimin e ëndrrave. Ajo është kritikuar e vazhdon të kritikohet në disa drejtime.

Një ndër kritikat më esenciale që i është bërë dhe i bëhet teorisë së tij ka të bëjë më qasjen metodologjike, përmes së cilës Frojdi mbërriti në përfundimet e veta. Ai u bazua kryesisht në vëzhgimet e tij klinike, në raste të veçantë dhe në interpretimin subjektiv prej tij të ëndrrave të pacientëve të vet.

Në ditët tona, studimi shkencor i ëndrrave nuk mbështetet thjesht në raportimin e tyre nga subjektet që i shohin ato, por në metoda rigoroze që i kanë mundësuar zhvillimi i shkencës dhe i teknologjive moderne të studimit të sistemit nervor. Sidoqoftë, studimi i tyre mbetet një detyrë shumë e vështirë për shkak të një vështirësie endemike, që lidhet me pamundësinë e vëzhgimit të procesit të ëndërrimit në kushte eksperiemntale, në të cilat do të bëhej e mundur manipulimi i përmbajtjes së ëndrrës përmes ekspozimit ndaj ngacmuesve të jashtëm para ose gjatë gjumit.

Përveç problemeve metodologjike, shumë prej kritikëve të Frojdit nuk pajtohen me pikëpamjen e tij mbi karakterin universal të simboleve. Disa prej tyre argumentojnë—me të drejtë—se simbolet e ëndrrave janë tepër të personalizuar e mund të kuptohen vetëm në kontekstin e eksperiencës jetësore unike të individëve të veçantë.

Duke u atribuuar simboleve një vlerë dhe një kuptim universal në interpretimin e ëndrrave, shpjegimi i tyre—në mënyrë standarde njëlloj për çdo individ, pavarësisht kulturave dhe eksperiencave individuale e shoqërore të ndryshme dhe të kuptuarit e kompleksitetit të psikikës njerëzore—thjeshtëzohet e vështirësohet.

Po kështu, qasja metodologjike e tij është kritikuar për theksin e tepruar që Frojdi vinte te instinktet seksualë agresivë, si motivi kryesor që shpjegon sjelljen njerëzore dhe, në këtë kontekst, edhe ëndrrat. Këto mangësi i bëjnë shumë nga kritikët e sotëm të Frojdit të mendojnë se teorisë së tij i mungojnë evidenca empirike dhe rigoroziteti shkencor, ndaj edhe përfundimet në të cilat erdhi Frojdi për interpretimin e ëndrrave përmes një sistemi simbolesh që kanë karakter universal e mund të interpretohen përmes metodës së tij psikanalitike, nuk mund të kenë vlerë shkencore, aq më pak përgjithësuese.

Kjo është arsyeja pse, në vend që të merret me shpjegimin e përmbajtjes së ëndrrave të caktuara, kërkimi i sotëm shkencor mbi ëndrrat është fokusuar në të kuptuarit retrospektiv të lidhjes së aktivitetit neurotik me formën e ëndrrës dhe jo me përmbajtjen e saj, çka do të thotë, duke u përqendruar në cilësitë e përbashkëta të të gjitha ëndrrave dhe jo te një numër i vogël lidhjesh neurotike të një ëndrre të veçantë.

Shumica e psikologëve të sotëm i janë larguar interpretimit frojdist simbolik të ëndrrave, duke theksuar rëndësinë që kanë eksperiencat individuale unike të njerëzve, besimet dhe formimi kulturor i tyre në analizimin dhe në interpretimin e tyre.

Pavarësisht kritikave që i janë bërë, edhe ata më skeptikët detyrohen të pohojnë se Frojdi kishte të drejtë të paktën në një pike në atë se shumë nga ëndrrat tona kanë të bëjnë me seksin dhe jo vetëm me shprehjet simbolike apo me kuptimet e fshehura të tij.

Ideja frojdiste se ëndrrat na sjellin pranë Unit tonë sekret, seksual, mbetet ende e rrënjosur thellë në kulturën perëndimore dhe në atë që njihet si “psikologji popullore”—pop psychology—me çka kuptojmë ata koncepte dhe ato teori mbi proceset mendorë dhe sjelljen e individit që gjoja mbështeten në shkencën e psikologjisë dhe konsiderohen të besueshme e të pranueshme nga masa e gjerë e popullsisë.

Shumë studime empirike të kryera gjatë këtyre tri-katër dekadave të fundit na thonë se njerëz të moshave dhe nga kultura të ndryshme pohojnë se shohim shpesh herë ëndrra të një natyre seksuale. Këto studime na thonë, gjithashtu, se ëndrrat erotike nisin në moshën e pubertetit, janë më të rralla kur njerëzit bëhen seksualisht aktivë dhe akoma më të rralla në moshat e rritura. Ëndrra të tilla shohin si djemtë e burrat, ashtu edhe vajzat e gratë, pavarësisht nëse janë ose jo të martuar apo në një marrëdhënie intime.

Sidoqoftë, ëndrrat e këtij lloji vazhdojnë të jenë një subjekt dhe një eksperiencë njerëzore pak e studiuar. Nëse u ka ndodhur, rrallë herë ose shpesh, të shihni ëndrra erotike, dijeni se ju nuk jeni të vetmit; kjo u ka ndodhur, ose u ndodh shumë njerëzve, në mos të gjithëve. Psikologët thonë se ëndrrat seksuale janë një dikuri krejtësisht normale, por ndahen kur vjen puna në vlerësimin e tyre si kryesisht simbolike ose realiste. Përgjithësisht mendohet se për to nuk mund të ketë shpjegime tërësisht të besueshme.

Thuajse të gjitha studimet që kanë synuar të shpjegojnë këtë dukuri mjaft të hulumtuar në dekadat e fundit, vijnë në përfundimin se, pjesës më të madhe të njerëzve u ka ndodhur, të paktën një herë në jetë, të jenë zgjuar nga gjumi pas një ëndrre erotike, ose në mes të saj.

Një studim i kohëve të fundit, i kryer në Kanada, pohon se 99% e pjesëmarrësve në atë studim kanë parë ëndrra erotike; te më shumë se 45% e tyre kjo ka ndodhur shpesh. Studime të tjera vijnë në përfundime të ngjashëm, duke pohuar se ëndrra erotike shohin pjesa më e madhe (85% e burrave dhe 75% e grave), por ka edhe studime që thonë se vetëm rreth 12% e burrave dhe rreth 8% e grave raportojnë të kenë parë ëndrra erotike. Përgjithësisht pranohet se, “në pjesën më të madhe, ëndrrat erotike që shohim burrat dhe gratë janë shumë të ngjashme”.

Edhe pse të dhëna të tilla janë shumë kontradiktore e të diskutueshme dhe, si të tilla, duhen marrë me shumë rezervë, pranohet se seksualiteti është një ndër subjektet më të zakonshëm në ëndrrat që shohin njerëzit. Me sa duket, trurit i pelqen të shohë ëndrra për gjëra të ndaluara dhe, për këtë arsye, shumë psikologë klinikë, në të njëjtën linjë me Frojdin, mendojnë se studimi i tyre mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë të pandërgjegjshmen te njeriu.

Ëndrrat, sipas tyre, edhe ato erotike, na thonë shumë—edhe pse jo gjithnjë në mënyrë të drejtpërdrejtë për nevojat dhe dëshirat tona. Ato, mund të përmbajnë mesazhe të rëndësishëm në momente kritike të jetës së njeriut. Nëse u kushtojmë vëmendje ëndrrave tona erotike, thonë ata, “prej tyre mund të mësojmë shumë mbi energjinë tonë seksuale, mbi marrëdhënien tonë intime, si dhe mbi qëndrimin tonë ndaj seksit”. Sepse, pohon një psikolog amerikan, në fund të fundit, “ëndrrat erotike janë produkt i marrëdhënieve dhe i shqetësimeve tona lidhur me seksin”.

Shumë psikologë ndajnë përgjithësisht të njëjtin mendim kur bëhet fjalë për llojet më të zakonshme të ëndrrave erotike dhe për personat që çfaqen në këto ëndrra, duke u dhënë atyre një kuptim simbolik, gati-gati njëlloj si egjiptianët apo indianët e lashtë apo popuj të tjerë të periudhës së lashtë.  David Luden, fjala vjen, pohon se “gratë shohim ëndrra erotike me partnerin e tyre nëse janë të kënaqura nga marrëdhënia me të”, ndërsa Richard Coutts beson se “ëndrrat erotike mund të thonë se nevojat dhe dëshirat erotike të njeriut janë të paplotësuara”.

Disa “psikologë popullorë” përpiqen të argumentojnë se, ëndrrat erotike me një person jashtë martese, ose jashtë një lidhjeje intime, mund të dëshmojnë se dikush ndihet i distancuar nga partneri i vet dhe ndjen nevojë për më shumë intimitet—“nëse ndjen nevojë të jesh më e lidhur me partnerin tënd, mund të ndodhë që të fantazosh në ëndërr sikur e tradhëton atë”—ndërsa ëndrrat erotike me një person tërësisht të panjohur mund të thonë se ti, thjesht, do të bësh seks, ose kërkon të jesh i pavarur, ose dëshiron të gjesh një partner të ri. “Psikologë popullorë” si këta, besojnë se ëndrra të tilla mund të simbolizojnë e të parashikojnë një ndryshim pozitiv, një marrëdhënie të re apo një mundësi të re, kur marrëdhënia në të cilën ndodhesh nuk është e kënaqshme.

Një fallxhor mund të të thoshte të njëjtën gjë si “psikologët popullorë” të sotëm, këta astrologë modernë, që edhe pse kanë mbetur mendërisht në kohën e egjiptianëve të lashtë, janë shtuar pa masë.

Sa lart qëndronte Aristoteli krahasuar me ta!

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?