Kryeministri Edi Rama

Fatos Tarifa: Një “monark” republikan

22 Korrik 2023, 19:39| Përditesimi: 22 Korrik 2023, 19:43

  • Share

Kur nipi im i vogël, Heru, i cili ende nuk i ka mbushur pesë vjet, u kthye dje nga kopshti, në ekranin e televizionit pa kryeministrin tonë.

“Edi Rama”, tha ai, si të kish bërë një zbulim.

Ishte hera e parë që e dëgjoja emrin e Ramës prej tij, ndaj edhe u habita, por nuk thashë gjë. Pas pak, Heru më pyeti në sintaksën e moshës së tij:

“Tosi, Edi Rama është më i mirë?”.

Kjo pyetje më habiti edhe më shumë, por nuk i ktheva përgjigje. Heru këmbënguli sërish, këtë herë duke ma thënë të plotë emrin, siç bën sa herë që kërkon vëmendjen time:

“Fatos! Edi Rama është më i mirë?”.

Nuk i ktheva as këtë herë përgjigje sepse, në fakt, nuk kisha një përgjigje për pyetjen e tij. Ose, ndoshta, nuk isha i sigurt në përgjigjen që mund t’i jepja. U përpoqa ta “gënjej” me një përrallë nga ato me “xhaxha Stefin” që brezi im i ka lexuar kur ishim fëmijë dhe Herusë i pëlqejnë shumë.

Në moshën e tij, fëmijët kanë nevojë të rriten me përralla e me lodra, jo me politikë; me “supermenë” dhe “xhaxha Stefë” që bëjnë të mira për njerëzit, jo me emra politikanësh.

Nuk do të doja në asnjë mënyrë që nipi im, në këtë moshë të vogël, të bëhej sado pak i interesuar për politikën. Politika është një botë për të rriturit, jo për fëmijët dhe të miturit. Fëmijët duhen lënë dhe inkurajuar të rriten e të zhvillohen në botën e tyre, e cila është shumë më e bukur, shumë më e pasur, shumë më e gjerë e më e hapur ndaj imagjinatës së tyre dhe, pa dyshim, shumë më e sinqertë në të vërtetat dhe të pavërtetat e saj sesa bota e të rriturve.

Në fakt, kisha një arsye më të rëndësishme pse nuk iu përgjigja pyetjes së nipit tim për Edi Ramën. Pyetja e tij (shumë e habitshme ta dëgjoja nga goja e një fëmije 5-vjeçar), provokoi tek unë, aty për aty, imazhin e një kryeministri që e sheh veten në postin dhe me pushtetin e pakufizuar të një monarku, që është mbi popullin dhe mbi parlamentin.

Rama nuk ishte i tillë. U bë i tillë. Një monark që e sheh shtetin si të ishte “prona e vet” dhe që mund të bëjë ç’të dojë e të veprojë si të dojë me subjektet e tij, me qytetarët e këtij vendi: të vendosë cilëve t’ua rrisë rrogat dhe sa; ç’pensione t’u japë të moshuarve dhe invalidëve; ç’moshë duhet të ketë kryetari i një akademie shkencash; kujt duhet t’i jepet dhe kujt s’duhet t’i jepet (dhe për sa kohë) diploma pas përfundimit të studimeve universitare; në ç’datë duhet të fillojë viti i ri akademik për të gjitha universitetet (publike dhe private) të vendit; pse duhet kultivuar dhe përdorur kanabisi; cilët figura historike duhen quajtur atdhetarë etj.

Lista është shumë e gjatë dhe për to vendos vetëm ai. Të tjerët, ata që ka rreth vetes, ose që janë të partisë së tij në parlament, vetëm ngrenë dorën. Gjithnjë siç i pëlqen atij, të parit të partisë, të parit të qeverisë, kryeministrit “monark” të republikës sonë parlamentare. Vetëm një monark bën si do vetë dhe nuk mban përgjegjësi para askujt, për asgjë.

Si mund t’i thoja nipit tim 5-vjeçar se Edi Rama është “më i miri”! Më i miri nuk është kurrë i vetëm. Këto fjalë i kam dëgjuar nga Nelson Mandela. Më i miri di gjithnjë të zgjedhë të tjerë njerëz të mirë, të zotë e të ndershëm rreth tij, që të konsultohet e të drejtojë bashkë me ta.

“Më i miri” nuk mund të bënte bashkëpunëtorin e vet më të ngushtë dhe zëvendësin e vet në krye të qeverisë, më të keqin. “Më i miri” nuk mund t’i varte në gojë ujkut mëlçinë e qingjit. Nuk mund t’ia besonte atij paratë e popullit dhe të thesarit të shtetit, fondet e rindërtimit, të pandemisë etj, etj.

“Më i miri”, si kryeministër, nuk mund të mbledhë rreth vetes, si bashkëpunëtorë, njerëz që t’u mundësojë të vjedhin e të bëjnë ç’të duan me portofolin që u jep në kabinetin e tij qeveritar me argumentin “nëse bëni gabime, vidhni apo shpërdoroni dhe kapeni, përgjegjësinë e mbani vetë. Unë nuk ju mbroj”.

Pra, si mund t’ia shpjegoj nipit tim 5-vjeçar ç’ka bërë zëvendësi i kryemimistrit “më të mirë” dhe pse ai është në arrati?

Si mund t’ia shpjegoj nipit tim se “më i miri”, ai që është në krye të vendit, nuk gjen kohë të marrë pjesë në një seancë plenare shumë të rëndësishme të kuvendit, ku si kryeministër duhet të japë llogari dhe të votojë ligjet që ai vetë ka propozuar, ndërsa gjen kohë të inspektojë, po atë ditë, ndërtimin e një rrugë në Vlorë?

Si mund t’ia shpjegoj nipit tim 5-vjeçar se “më i miri”, ai që i ka zgjedhur me dorën e vet socialistët që ulen në kuvendin e Shqipërisë , shpenzon më pak kohë në atë kuvend të përfaqësuesve të popullit se sa në Facebook, në Twetter, në Instagram, në podcast me Luiz Ejllin apo në studio televizionesh? Kemi zgjedhur të drejtojë vendin një kryeministër, apo një “social media influencer” dhe një “TV star”?!

Me thoni, ju lutem, ç’përgjigje mund t’i jepja nipit tim 5-vjeçar kur më pyeti: “Fatos, Edi Rama është më i mirë?”.

Të vërtetën? Cilën të vërtetë?

Gjykova se ishte më mirë t’ia merrja mendjen me një prej historive me xhaxha Stefin, sesa të gjeja një sinonim të thjeshtë e të kuptueshëm për moshën e tij të konceptit “self-aggrandizement”, apo “self-absortion” (vetë-lëvdim), me të cilin do ia cilësoja Ramën një të rrituri.

Nipi im do e kuptojë përmbajtjen e këtij koncepti kur të rritet, njëlloj si gjyshja ime e mirë gjirokastrite, ndjesë pastë, për burra si Edi Rama thoshte: “Eeeh, mor djalë, ai është SHIKOMËNI MUA…”

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj: 22/07/2023 20:55

    Po të shkruaj përsëri zoti profesor: 1.Lëre rehat nipin se Ai nuk e di kush është Edi Rama..! 2.Nëse të ka bër pyetjen që shkruan..qenka shumë i vëmënçëm nga për tu sqaruar te Ju Atë që ka dëgjuar se..E.Rama është KM më i mirë në Shqipëri në këto 33 vite. -Unë po i them nipit tënd se..pyetjen ta ka bërë mirë.Por,Ju që keni ndryshuar mendim për E.R.nuk i keni thën Po..po.Edi Rama është më i miri.Pasi atë e kan deklaruar PRESIDENTI ALFRED MOISIU DHE RILINDASI KOSOVAR REXHEP QOSE.Po të kisha nr.tënd do ti hidhja FOTOT E TYRE TË HEDHURA NË FB dhe që unë i ruaj në galerinë time. -Si unë edhe JU i dini mirë se ç'punë ka bërë E.Rama në këto 9 vite.Me gjith mangësitë në qeversje-E.Rama nuk ka vrar njërz.Nuk ka gjakosur gazetar.Nuk ka djegur redaksi.Nuk ka shpifur për Ambasador e Nd/Kombëtar. -Unë e kam votuar dhe do e votoi E.R edhe sikur 50 % e qeverisë të futet në burg nga SPAK+GJKKO..e Saliut 92.Pasi për ER nuk ka dosje e vidio me zë e figurë siç..të tjerët.

    Përgjigju
  • Xxx: 22/07/2023 20:44

    Jam dakort per ato qe shkruan,ne marredhenje me nipin,per histori te tjera te lene te kuptosh se ke hatermbetje me Ramen. Si mesues qe jam,nuk e shoh edukim te mire te nipi i cili sot 5 vjec te te therrasi ne emer Fatos,apo nuk ke deshire me te thene gjysh,ngaqe te duket vehtja i ri.Ne pergjithesi kam shume vrejtje per shkrimet tuaja te fundit.Amos te ka mbetur hatri.......?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?