Ju, të rinjtë shqiptarë, që sot jeni 18-20 vjeçarë dhe më 11 maj do të votoni për herë të parë, ose nuk kishit lindur, ose kishit vetëm disa muaj qe ishit sjellë në jetë nga prindërit e tuaj kur, më 2005, Berisha sapo ishte rikthyer në pushtet pas tetë vitesh në opozitë.
Si fëmijë në atë kohë, ju nuk mund t’i dini - nëse s’i keni dëgjuar nga prindërit tuaj - se cilat ishin të parat gjëra që bëri ky njeri brenda disa muajve pasi mori në dorë drejtimin e qeverisë. Bëmat e tij të para ishin dy vepra shkatërrimtare makabre, të cilat kishte nisur t’i realizonte qeveria socialiste para tij.
Më 5 korrik 2006 Berisha shkatërroi një vepër publike shumë të rëndësishme, një mbikalim, në ndërtim e sipër, për lehtësimin e trafikut në hyrje të kryeqytetit, te Zogu i Zi. Ky veprim psikopatik çoi “për lesh” nuk e di se sa milionë euro. Ai mbikalim po ndërtohej me taksat e prindërve tuaj dhe të të gjithë shqiptarëve. Edhe pse prishja e tij u kundërshtua nga gjykatat e kohës, Berisha, i cili gjithnjë e ka parë veten mbi ligjin dhe mbi gjykatat, e shkatërroi atë mbikalim.
Bëma e dytë ishte prishja absurde e një kontrate që qeveria socialiste para tij kishte nënshkruar me konglomeratin gjigand amerikan General Electric (GE) për ndërtimin e një hekurudhe të elektrifikuar Tiranë-Rinas-Durrës.
Sapo u bë kryeministër, Berisha e prishi më mënyrë të njëanshme kontratën me GE. Përfundimi; jo vetëm që shqiptarët mbetën pa atë hekurudhë, por nga taksat e prindërve tuaj, të dashur të rinj, qeveria e Berishës u detyrua t’i paguajë gjigandit amerikan 20 milionë USD dëmshpërblim, pasi humbi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.
Përse këto bëma shkatërrimtare, që s’janë të vetmet? Sepse Berisha vuan nga një sindrom post-socialist shkatërrues. Kurdoherë që ky vandal ka ardhur në krye të shtetit (më 1992), ose në krye të qeverisë (më 2005), ai vetëm ka shkatërruar ç’kanë ndërtuar socialistët.
Ky sindrom është qartazi një çrregullim mendor, kognitiv dhe emocional, klinikisht i identifikueshëm, siç do ta cilësonte atë Shoqata Amerikane e Psikiatrisë. Një sindrom i tillë, tashmë kronik, reflekton një keqfunksionim psikologjik dhe, ndoshta biologjik, me simptoma të shumta. Ajo më kryesorja është një dëshirë arkaike për shkatërrim dhe hakmarrje.
Ky njeri nuk ka ide racionale; ai ka vetëm një instinkt primitiv agresiv shkatërrues, të cilin psikanaliza do e shpjegonte me parimin e kënaqësisë. Konservimi i primitives, dhuna dhe shkatërrimi janë kënaqësia e tij; e reja, modernia, paqësorja, e bukura i vrasin syte dhe provokojnë tek ai instinkte të dhunëshme shkatërrimtare.
Nëse votoni për këtë njeri dhe për koalicionin që ai drejton, ju, të dashur votues të rinj, qe më 11 maj do të ushtroni për herë të parë të drejtën tuaj qytetare për të zgjedhur, do të votoni jo për të ardhmen e Shqipërisë, por për të shkuarën, jo për ndërtimin e një Shqipërie moderne, por për shkatërrime të reja, si ato të viteve 1990 dhe 2005-2006, që nuk e ndihmojnë progresin; do të votoni jo për një kryeqytet modern europian, por për Tiranën që Berisha e çfytyroi dhe e fëlliqi në fillim të viteve 1990.
Berisha është një fatkeqësi kombëtare dhe ju nuk ju lidh asgjë me të dhe me këdo që për një vend në parlament i shkon pas dhe i bën temena. Të votosh për Berishën sot, në fund të çerekut të parë të shekullit të 21-të, do të thotë të votosh jo për perspektivën, por për retrospektivën, jo për progresin, por për regresin, jo për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës dhe reformimin demokratik të sistemit të drejtësisë, por për një njeri, padrejtësitë e të cilit s’kanë të sosur, për një drejtësi të adminstruar nga prokurorë skifterë dhe gjyqtarë analfabetë plepash.
Shqipëria juaj, të dashur të rinj, është Shqipëria e së ardhmes dhe të ardhmen tuaj nuk e lidh asgjë me një njeri si Berisha, me një njeri më të plakur në moshë se sa shumica e gjysheve dhe gjyshërve tuaj dhe aspak më të mençur e më qytetar se sa ata.
Vini në punë arsyen tuaj! Instinket tuaja demokratike natyrshëm shohin e ju çojnë përpara, nga modernia! Instinktet klanore e revanshiste të Berishës shohin dhe çojne pas, në primitiven, në një kohë që ju duhet ta refuzoni, të mos e provoni si eksperiencë jetësore tuajën.
Ju jeni më shumë se sa e ardhmja. Ju jeni edhe e sotmja. E sotmja është koha juaj. Është zgjedhja juaj e natyrshme. Sepse e sotmja juaj është hyrja solemne në të ardhmen tuaj./ Gazeta Dita
Komente

Shkrimi i profesor Tarifes eshte sh i sakte dhe arsyeshem, por te rinjte qe duhet ta lexojne dhe kuptojne, nuk dine as shkrim dhe as kendim. Nuk ka me te verber se ai qe nuk do te shikoj dhe me shurdh se ai qe nuk do te degjoj.
Përgjigju