Rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përveç përshtatjes legjislative, e realizimit të reformave të kërkuara nga BE, ka edhe një faturë të majme financiare.
Qeveria parashikon që realizimi i 24 reformave e strategjive, nga lufta kundër korrupsionit, strategjitë për shëndetësinë, arsimin, energjinë, teknologjinë, financat publike, klimën e biznesit, tregu i punës apo informaliteti, të ketë një kosto rreth 7.6 miliardë euro.
Në programin e Politikave Prioritare 2026-2028 të qeverisë që tashmë ka hyrë në fuqi thuhet se shpenzimi i këtyre fondeve është i domosdoshëm për të përmbushur ‘detyrat e shtëpisë’ të lëna nga BE, në mënyrë që të sigurohet një ‘PO’ për anëtarësim deri në 2029-ën.
Përtej shpenzimeve, gjatë kësaj periudhe Shqipëria pritet edhe të përfitojë. Në dokument thuhet se për vitet 2024-2027, vendi do të përfitojë afro 922 milionë euro grante dhe kredi që do të shkojnë si mbështetje për klimën e biznesit, kapitalin njerëzor, aftësitë dixhitale, energjinë dhe shtetin e së drejtës. Por për të përthithur këto fonde do të duhet të plotësohen disa kushte.
“Vlera e përgjithshme që pritet të përfitojë, në parim, vendi ynë, për periudhën 2024–2027, në total kap vlerën e 922,085,888 euro (grant dhe kredi), pagesa të kushtëzuara me zbatimin e reformave kyçe siç janë përcaktuar në Agjendën Kombëtare të Reformave të secilit vend”, thuhet në dokument.
Ky dokument i qeverisë ka të listuara edhe 134 investime madhore në të gjitha fushat e ekonomisë, nga të cilat 52 projekte janë maturuar dhe ka nisur zbatimi, 43 projekte janë në proces dhe 39 të tjera janë vetëm projekte të pamaturuara.
Ndër projektet kryesore që janë në zbatim janë porti i Durrësit 390 mln euro, ndërtimi i Korridorit VIII 360 mln euro apo zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës 298.8 milionë euro.
Ndërsa projektet më të kushtueshme hekurudhore që konsiderohen të matururara janë rehabilitimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit 313.1 milionë euro, Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë 122.9 milionë euro si dhe linja Tiranë Durrës dhe elektrifikimi i tyre. Ndërsa aeroporti i Jugut, TEC i Vlorës, HEC i Skavicës apo Baza autonome detare Porto-Romano, janë pjesërisht të maturuara.
Komente
