Faturim kromi në vend të duhanit, dosja në SPAK, 17 të kallëzuar për hapje të e 100 kompanive fantazmë! Mashtrim e vjedhje, në krye Xhevdet Hyseni

3 Shtator 2022, 12:05| Përditesimi: 3 Shtator 2022, 19:03

  • Share

Ka përfunduar në SPAK një nga dosjet më të pazakonta të mashtrimit të dyshuar me TVSH-në, falsifikimit, qarkullimit të parave, korrupsionit, hapjes së 100 kompanive në emra që nuk ekzistojnë dhe në emra që nuk kanë fare dijeni, përvetësimit të licencave etj., ku të implikuar dyshohet se janë biznesmenë, politikanë, deputetë, ekspertë kontabël, zyrtarë të tatimeve dhe bosë të kromit.

Bëhet fjalë për historinë e publikuar në Report Tv në prill të këtij viti, ku 94 fermerëve që kultivonin duhan në Korçë u janë faturuar sikur kanë shitur krom, në funksion të një skeme mashtrimi me rimbursimin e TVSH.

Kallëzimi është depozituar në SPAK nga biznesmeni i mbledhjes dhe përpunimit të duhanit Gazmir Sardi, i cili pretendon se ish ekonomisti i tij në kompaninë e Sardit “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L, Xhevdet Hysenit, në bashkëpunim me 16 persona të tjerë, ka hapur në emrin e Gazmir Sardit, disa kompani fantazmë, ka falsifikuar dokumente dhe i ka vjedhur licencën, me qëllim lëshimin e faturave fiktive, futjen në tendera dhe një sërë veprimesh të treta të paligjshme, me qëllim fitimin.

Në kallëzim, referohen 5 vendime gjykatash me nr. 20533, 24080, 656, 685, 5325, ku janë hapur kompani në emrin e Gazmor Sardi, emër që nuk ekziston fare në Shqipëri, ku përmes këtyre kompanive kanë qarkulluar, sipas Sardit, dhjetëra milionë euro me fatura fiktive, afera me kromin, tendera etj., ndërsa në llogaritë e tyre, sipas tij, kanë kaluar para të zyrtarëve të lartë. Gazmir Sardi thotë se janë hapur 100 kompani fantazmë me të njëjtin kod fiskal 551336, përfshirë edhe kompanitë ‘Zeqiri’, ‘Rubik Krom’, ‘Tur Alb Krom’ etj.

“Abuzimi i ish ekonomistit tim ka shkuar edhe më tej, duke i hapur nipt; K51713000J në emrin e kushërit tim Agron Sardi, i cili nuk ka asnjë informacion se ka biznes të hapur. Të 100 kompanitë fantazmë që janë hapur kanë të njëjtin kod fiskal 551336 dhe nipr fantazmë në emrin e gruas sime J6118555R. Gruaja ime ka jetur 10 vite në Francë...”, thuhet në kallëzim.

Për të mbështetur pretendimin se në emrin e tij dhe të kompanisë së tij është kryer një aktivitet kriminal ekonomik me kosto miliona euro, përmes hapjes së kompanive fantazmë, hapjes së magazinave doganore pa dijeninë e tij, faturimeve fiktive, falsifikimeve, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash etj., Gazmir Sardi ka sjellë edhe faktin e pazakontë që 94 fermerëve të Korçës, janë faturuar sikur kanë shitur krom.

Të kallëzuar

Në SPAK janë kallëzuar Xhevdet Hyseni, Valbona Sako, Bashkim Shehu, Shkëlqim Fortuzi, Kliton Tati, Refan Mali, Faik Nuri, Ylli Xharo, Luan Jonuzi, Dorina Bitri, Elena Bakallbashi, Cezar Keci, Agron Gjana, Shpëtime Pitaku, Edmond Kaloshi dhe Ardian Hasa. Gazmir Sardi pretendon në kallëzimin e tij se këta persona janë pjesë e një organizate kriminale. Biznesmeni i duhanit i wshtw drejtuar SPAK-ut pasi sipas tij policia, krimi ekonomik dhe prokuroria e juridiksionit tw zakonshëm, janë implikuar dhe kanw punuar pwr ta mbyllur çështjen, pwr shkak tw përfshirjes sw peronave me ndikim dhe lidhje tw forta politike.

Në dosje emri i biznesmenit turk i dënuar

Në dosjen që qëndron në Prokurorinë e Durrësit, rezulton edhe emri i kompanisë “Tur-Alb-Krom”, një subjekt që ushtron aktivitet minerar në Zonën D në Bulqizë dhe që ka qenë objekt masash ndëshkuese nga Ministria e Energjisë për shkak të mangësive dhe shkeljeve gjatë aktivitetit minerar.

Kompania “Tur-Alb-Krom”, me objekt shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve, është themeluar në qershor të vitit 2008, nga shtetasi turk Fethi Kaya. Ky i fundit ka qenë President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare-Turke deri në vitin 2020.

Fethi Kaya shfrytëzonte miniera në Kalimash dhe Bulqizë. Sipas burimeve, turku është dënuar për punësim të paligjshëm, ndërsa çështja aktualisht është në Apel.

Kapitali fillestar i kompanisë “Tur-Alb-Krom” ishte 100 mijë lekë, por befas, kapitali, në 2013, u rrit në rreth 1.6 milionë USD, ndonëse gjatë kësaj periudhe, referuar historikut të kompanisë, nuk kemi bilance dhe shtim asetesh, por vetëm shtim vendndodhjesh. Në një rast, si vendndodhje e kompanisë në Bulqizë, shënohet një rimorkio me targë DR 7159 D. Aktualisht kapitali i kompanisë është 4.5 milionë USD.

Po si figuron kompania e turkut Fethi Kaya në dosjen që biznesmeni i dëmtuar Gazmir Sardi ka referuar në prokurori?

Gazmir Sardi dyshon për një bashkëpunim mes pronarit të kompanisë së kromit Fethi Kaya dhe Xhevdet Hysenit, duke u faturuar kromin fermerëve të duhanit, në mënyrë të paligjshme dhe për qëllime fitime me rimbursimin e TVSH. Sipas dosjes, Gazmir Sardi thotë se i ‘besuari i tij’ si ekonomist Xhevdet Hyseni, fillimisht, ka hapur në Kavajë një dyqan të tregtimit të cigareve dhe më pas një dyqan fantazme, duke e kthyer në magazine doganore. Gazmir Sardi pretendon se nga kjo magazinë, Xhevdet Hyseni ka bërë hyrje të sasive të ndryshme kromi, veprime, sipas tij, të kryera në shkelje të detyrës që kryente. Nga ana tjetër, Xhevdet Hyseni ka ushtruar edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës. Biznesmeni i kromit Fethi Kaya ka deklaruar si adresë edhe një shesh për grumbullimin e kromit në portin e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit ka tentuar të mbyllë dosjen, pavarësisht faktit që fermerëve u është faturuar krom dhe në emrin e Gazmir Sardit është kryer një sagë veprimesh abuzive dhe me pasoja të rënda. Por, kërkesa e prokurorisë për mbylljen e dosjes, është rrëzuar nga Gjykata e Durrësit me vendim në 68/659, në 16 qershor 2020. Përpos të tjerave, në detyrat që gjykata i lë për zbatim prokurorisë, është edhe “Në hetim duhet të pyeten dhe shtetasit Agim Demrozi, ish ortak me personin që ka bërë kallëzimin penal Gazmir Sardi si dhe shtetasi Xhevdet Balla administrator i subjektit “Orxhepa”, e administratori i subjektit “Tur-Alb-Krom” sh.p.k, me qëllim sqarimin e të gjithë pretendimeve të ankuesit Gazmir Sardi. Në varësi të veprimeve hetimore të mësipërme, Prokuroria mund të zgjerojë hetimet me veprime të tjera hetimore për të vendosur për mënyrën e përfundimit të çështjes penale të mësipërme”.

Gjykata ka kërkuar nga prokuroria që këto veprime hetimore t’i realizojë brenda gjashtë muajsh.

Historia

Në 9 nëntor të vitit 2015, në Prokurorinë e Durrësit regjistrohet një kallëzim penal i biznesmenit të mbledhjes dhe përpunimit të duhanit Gazmir Sardi kundër Xhevdet Hysenit, i cili më parë kishte ekonomist në kompaninë e Sardit “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L. Gazmir Sardi pretendon në prokurori se Xhevdet Hyseni mbante vulën e kompanisë, licencën, përpilonte bilancet vjetore dhe kryente veprime në tatime në mirëbesim. Sardi pretendon se Xhevdet Hyseni ka kryer prapa krahëve dhe duke keqpërdorur besimin tij, një aktiviteti të gjatë abuziv, me kosto miliona euro, si hapje degësh fiktive, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash, faturime fiktive etj.

Gazmir Sardi është alarmuar dhe ka kuptuar gjithçka vetëm kur në derën e tij kanë trokitur tatimet me një faturë gjobe falimentuese. Sipas dosjes, Gazmir Sardi ka nisur aktivitetin e biznesit të grumbullimit dhe tregimit të dunat në vitin 1993 në Korçë. Në vitin 1997, këtë aktivitet e ka zhvendosur në Durrës, ku është njohur me Xhevdet Hysenin, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të financës në ish Fabrikën e Cigareve Durrës. Me kalimin e kohës, Gazmir Sardi thotë se i ka besuar Hysenin veprimet procedurale në emrin e kompanisë në raport me tatimet, bilancet, faturat etj. Gazmir Sardi pretendon në prokurori se gjatë periudhës 2005-2010, Xhevdet Hyseni ka kryer aktivitet të paligjshëm në emrin e kompanisë, duke dëmtuar rëndë interesat e tij dhe të shtetit. Gjatë kësaj kohe, Xhevdet Hyseni ushtronte edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?