Anthony Fauci

Bota

Fauci jep alarmin për rritjen e rasteve me variantin Delta në SHBA: Po shkojmë në drejtimin e gabuar, po vëmë veten në rrezik

26 Korrik 2021, 07:52| Përditesimi: 26 Korrik 2021, 08:00

  • Share

Eksperti më i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci dha një alarm të ri lidhur me rritjen e rasteve të koronavirusit në vend, veçanërisht në ato rajone ku njerëzit kanë refuzuar të vaksinohen, ndërsa varianti “Delta” po përhapet me shpejtësi.

"Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar. Pesëdhjetë përqind e vendit nuk është vaksinuar. Ky fakt përbën problem. Ne po e vëmë veten në rrezik", tha Anthony Fauci, këshilltari i lartë mjekësor i Presidentit Joe Biden.

Në Shtetet e Bashkuara, shtrimet në spital dhe vdekjet janë shumë poshtë shifrave kulmore të arritura dimrin e kaluar, por numri i infeksioneve të reja është rritur ndjeshëm në disa pjesë të vendit ku skepticizmi për nevojën e vaksinimit, siguria e vaksinave dhe rezistenca ndaj sugjerimeve të qeverisë për t'u imunizuar mbeten një pengesë e fuqishme.

Më shumë se 51,000 infeksione të reja u regjistruan në Shtetet e Bashkuara të shtunën, një rritje prej 172% gjatë dy javëve të fundit, ndërsa më shumë se 250 vdekje kanë ndodhur çdo ditë gjatë kësaj periudhe.

Qeveria thotë se deri tani më shumë se 162 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, ose 49% e popullsisë së vendit, gati 60% e të rriturve.

Por sondazhet kanë treguar se rreth 80% e amerikanëve të pavaksinuar thonë se nuk do të vaksinohen duke mos marrë parasysh paralajmërimet që po bëjnë zyrtarët.

Shumë politikanë konservatorë më parë kishin përkrahur një qasje më të kujdesshme ndaj vaksinimeve ose kishin deklaruar se vaksinimi ishte një çështje zgjedhjeje personale. Tani disa prej tyre po shprehin irritim ndaj atyre që nuk pranojnë të vaksinohen. Guvernatorja republikane Kay Ivey nga shteti i Alabamës iu drejtua javën e kaluar të pavaksinuarve:

"Këta njerëz po zgjedhin një mënyrë jetese të tmerrshme", tha ajo.

Një guvernator tjetër republikan, Asa Hutchinson i shtetit Arkansa, ka bërë thirrje prej kohësh për vaksinime në shtetin e tij jugor, por ky shtet ka ende një nga nivelet më të ulëta të imunizimeve. Dy adoleshentë vdiqën kohët e fundit nga COVID-19 në shtetin e tij.

"Këto janë kambana alarmi", tha ai. Megjithatë, ai vuri në dukje, "se rezistenca ndaj imunizimeve është shtuar".

Por Hutchinson shprehu optimizëm se të pavaksinuarit do të ndryshojnë mendimin.

"Njerëzit mund të ndryshojnë rezistencën e tyre," tha ai. "Këtu duhet të përqëndrohemi". Fauci tha se personat e vaksinuar "janë shumë të mbrojtur", përfshirë edhe kundër variantit Delta.

Por ritmi i vaksinimeve ka rënë në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 80% që nga mesi i prillit. Disa qytete, përfshirë Los Anxhelosin në Perëndim dhe Seint Luisin në qendër, kanë vendosur udhëzime të reja për njerëzit që të mbajnë maska në hapësirat e brendshme publike, pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Qytetet e tjera po shqyrtojnë direktiva të ngjashme./ VOA

Komento

Komente

  • Lame: 26/07/2021 07:49

    Eh mor dr. Fauci! Mire e ke ti qe jep alarmin. Por ne ketu ne Shqiperi nuk e vrasim shume mendjen. Qeveria na ka thene se kemi imunitet bagetie, dmth te tufes! Meqe 80% e kapen kovidin dhe nja 10% u vaksinuan ia hodhem. Ne qeme nder te paret qe hoqem kufizimet, po te tera ama. As maska asgje. Mbajme vetem kufizime te tipit "audio". Se sipas shkencetareve tane me ne krye Keno Gjinushin, te ne virusi perhapet nga veshet dhe pas orarit qe i vete per shtat Kryeshkencetarit, kryeministrit Rama. Kete llojin Delta tashme e kemi edhe ne. Por me vapen e madhe dhe armen me te fuqishme qe askush nuk e ka, vec nesh, SPAKun, delta ska nga ia mban! Po te doni, thojini teta Kimit, ambasadores, tu sjellim Ben Krajen e ta shfarosi kovidin nga SHBA.

    Përgjigju
  • Kosta: 26/07/2021 06:43

    Nese njerezit nuk duan te vaksinohen ky eshte problem i tyre dhe eshte zgjedhje individuale. Ka shume persona NOVAX ne shoqerine njerezore dhe Fauci apo te tjere dubet te respektojne zgjedhjen e gjithsejcilit. Ska asnje arsye pse bota te mbyllet nese individe te caktuar zgjedhin te luajn me riskun. Shteti del garant, mbyll vendin apo mbron njerezit per sa kohe nuk ka zgjidhje ndaj epidemise keshtu qe me e mira gje qe mund te beje ky tipi (qe presidenti trump e perzuri me shkelma dhe te njejten gje do beje dhe biden me sa duket) eshte te mbylli zgavrren dhe te na lere rehat ne vendimet dhe zgjedhjet tona.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?