Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka marrë pjesë në prezantimin e fazës së dytë të projektit, EU4Law, projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, Gjermania, Italia dhe Franca.
Të pranishëm në këtë event ishin edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese.
Gjatë fjalës së saj, Kociu tha se e konsideron projektin si një shenjë të qartë të vendosmërisë së përbashkët për të forcuar sundimin e ligjit, për të modernizuar institucionet dhe për ta afruar Shqipërinë gjithnjë e më shumë me standardet e familjes europiane.
“Mbështetja juaj e palëkundur ka qenë vendimtare dhe mbetet kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. EU4Laë është një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë me BE, e konceptuar për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë piketat e ndërmjetme, veçanërisht në Kapitujt 23 dhe 24, si dhe për të konsoliduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, nënvizoi Koçiu.
Projekti do të rrisë kapacitetin tonë për të hetuar krime komplekse, me fokus të veçantë në hetimet financiare, rikuperimin e aseteve, krimin kibernetik, pajisjen me sisteme të teknologjisë së informacionit dhe krimin mjedisor; do të mbështesë trajnimin dhe zhvillimin profesional për gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e zbatimit të ligjit; do të pajisë agjencitë tona të zbatimit të ligjit me sisteme moderne dhe mjete të specializuara”, theksoi Ministrja e Punëve të Brendshme.
Ndërsa më tej, Koçiu ka deklaruar se në këtë mandat, teknologjia dhe inovacioni do të transformojnë cilësisht shërbimet dhe standardet për qytetarët dhe ku përdorimi masiv i sistemeve dhe pajisjeve inteligjente.
“Një mandat ku teknologjia dhe inovacioni do të transformojnë cilësisht shërbimet dhe standardet për qytetarët dhe ku përdorimi masiv i sistemeve dhe pajisjeve inteligjente do të rrisë sigurinë në rrugë dhe në hapësirën dixhitale. Politikat tona do të vendosin në qendër territorin dhe qytetarin, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt nevojave të tij. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është vetëm një detyrim europian – është mbi të gjitha një detyrim ndaj qytetarëve tanë, të cilët meritojnë siguri, drejtësi dhe transparencë nga shteti i tyre”, theksoi Ministrja Koçiu.
Komente
