Sipas një informacioni shërndarë nga drejtori i FBI-së Christopher Wray, Byroja Federale e Hetimit (FBI) po zhvillon më shumë se 1 mijë hetime për vjedhje të pronës intelektuale në të 50 shtetet amerikane dhe pothuajse të gjitha rastet kanë lidhje me Kinën.
Duke dëshmuar përpara komisionit Juridik të Senatit, Wray e karakterizoi kërcënimin kinez si "më të thellin, më të larmishmin, më të ndërlikuarin, me sfiduesin, mëgjithëpërfshirësin e më shqetësuesin se çdo kërcënim tjetër për kundër zbulimin".
Kërcënimi kinez varion nga ndërhyrjet kibernetike deri tek korruptimi i personave të brendshëm në kompanitë amerikane të vogla e të mëdha tha Wray duke përmendur një seri rastesh të fundit të spiunazhit ekonomik kinez të hetuara nga FBI-ja.
I pyetur rreth zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2020, Wray tha jo për herë të parë se Moska ka si qëllim ndërhyrjen, duke e quajtur Rusinë kërcënimin numër 2 sipas shërbimeve amerikane të zbulimit.
Dëshmia e Christopher Wray vjen një ditë përpara dëshmisë në dy komisione të Dhomës së Përfaqësuesve të ish-Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller rreth hetimit të tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.