FBI ka kryer kontrolle në shtëpinë dhe në zyrën e Rudy Giuliani, i cili ka shërbyer më parë si avokat personal i ish-Presidentit amerikan Donald Trump.
Bastisja e shtëpisë nga FBI është pjesë e një hetimi për lidhjet e Giuliani me Ukrainën. Avokati i Rudy Giuliani mohon që ky i fundit të ketë shkelur ligjin.
Giuliani akuzohet se përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020 është përpjekur për të zbuluar informacione inkriminuese për kandidatin demokrat Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden, në lidhje me Ukrainën dhe bizneset e tij. Presidenti Biden dhe djali i tij i kanë mohuar këto pretendime.
FBI sekuestroi disa pajisje elektronike gjatë kontrolleve në shtëpinë dhe zyrën e ish-kryebashkiakut të Neë York, Giuliani.
Hetimet përfshinin një pretendim se Giuliani nuk arriti të regjistrohej si një agjent i huaj. Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj kërkon që njerëzit të njoftojnë Departamentin e Shtetit nëse veprojnë si agjent i huaj në emër të një kombi tjetër.
Kohë më parë, Rudy Giuliani e ka konsideruar hetimin si një “përndjekje politike” po zhvillohet ndaj tij.
Giuliani ka qënë një nga mbështetësit më të fortë të ish-presidentit Trump, edhe pas humbjes së tij në zgjedhjet e 3 nëntorit 2020.