Krerët e partive të vogla opozitare të mbledhura bashkë, kanë propozuar krijimin e një federate të përbashkët të opozitës. I ftuar në emisionin "Frontline" në Report Tv me Marsela Karapançon, kreu i PDK Nard Ndoka teksa komentoi idenë e federatës së opozitës të propozuar nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, tha se pjesë e saj mund të bëhet dhe kryetari i PD Lulzim Basha ndonëse Sali Berisha ka përjashtuar çdo mundësi “bashkimi” me të.
Qëllimi i kësaj federate, Ndoka tha se është për ta parë opozitën si institucion.
“Ishte momenti më i volitshëm për politikën shqiptare për këtë draft të bërë publik. E djathta e ka ruajtur pjesën plurale, pjesën e përfaqësimit. E djathta është më liberale sa i takon bashkëpunimit gjithmonë ka divergjenca përplasje mospajtime.
PD është partia më e madhe e opozitës që drejtohet defakto nga Berisha por ka edhe mjaft parti të tjera. Është shumë e rëndësishme që ne opozitën ta shohim si institucion. Ka shumë më tepër përtej zotit Berisha. Hapi i dytë është që dhe vetë për Bashën e përmendëm si emër, nuk e kemi të qartë është si peng te Edi Rama apo do bashkohet me frontin opozitar, apo ka dhe parti të tjera që janë në parlament.”
Ai ka dhënë detaje sesi do të funksionojë federata.
“Do jetë diçka kolegjiale janë drejtues të forcave politike parlamentare dhe jo parlamentare që e ndiejnë veten që janë në opozitë. Do ketë vendimmarrje të përbashkët të të gjithë forumit”.
Ndërsa Berisha ka deklaruar se mund të bashkëpunojë me të gjithë përveç Bashës, për Nokën do ishte krejt normale që kreu i PD t’i bashkohet federatës së opozitës që do krijohet.
“Do ishte krejt normale të marrë pjesë. Është tjetër historia e përplasjes së Berishës me Bashën, janë përplasje më shumë morale. Është e rëndësishme që Basha ta shohë veten pjesë të opozitës”, u shpreh kreu i PDK në Report Tv.
“Basha është i lirë të bashkohet, nuk ka vota për ta pranuar ose jo. Nuk ka përjashtime. Ai është qëndrim personal i Berishës për Bashën. Ai e ka thënë për partinë e tij. pse ndodh kjo. Sepse Basha ende sillet si skuth. Derisa shumicën e partisë e ka zoti Berisha”, tha Ndoka.
Pikat e propozuara nga partitë e vogla opozitare:
1-Krijimi i Federatës opozitare
2-Organizimi parlamentar, përfshihen të gjithë deputetët e opozitës të dalë nga zgjedhjet e 2021
3- Ngritja e një grupi pune për marrëdhëniet me ndërkombëtarët
4-Krijimi i senatit të opozitës, ku të marrin pjesë figura të shquara shqiptare
Në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Lulzim Basha bashkë me Enkelejd Alibeajn dhe anëtarë të Kryesisë bënë homazhe në Boletin, në kullën e Isa Boletinit në nderim të luftëtarëve të Kosovës që mbështetën Ismail Qemalin.
Kreun e PDK Nard Ndoka bëri një koment për këtë vizitë të Bashës.
“Basha nuk bën asnjëlloj lajmi. Tani po e marr vesh se paska qenë në Kosovë. Shpresoj të ketë shkuar për të luajtur me topa bore me gocat e veta. Nuk përcjell asnjë mesazh. Nuk e di pse e shpenzon kohën për të dhënë mesazhe politike. Ndoshta e ka ngatërruar, ka menduar se është shpallja e pavarësisë së Kosovës.”
Prej vitesh tashmë politika e feston e ndarë Çlirimin e Shqipërisë pasi e djathta feston 28 Nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa 29 nëntori është festë vetëm për të majtën. Për Ndokën këto janë kacafytje kot.
“Partizanët tonë duhet të bënin një betejë më të madhe. Gjermania iku u largua vetë jo nga ne, kjo pastaj e zhvlerëson dhe pjesën e luftës tonë. Partizanët kanë dalë në mal dhe kanë vra edhe vëllezërit e tyre. Problemi është se ne e lidhim me çlirimin e Serbisë. Edhe këtu e deshti politika një kacafytje kot.”