Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka njoftuar anëtarët e stafit të Luciano Spallettit te Italia, përfshirë Gianluigi Buffon, i cili do të mbulojë rolin e shefit të delegacionit.
Stafi përfshin ndihmësin e tij Marco Domenichini, që kanë punuar së bashku te Napoli, ku Spalletti fitoi titullin e parë të Serie A pas 33 vitesh në sezonin e fundit. Daniele Baldini, Salvatore Russo dhe Francesco Sinatti gjithashtu punuan në "Maradona" me trajnerin e lindur në Certaldo.
FIGC ka konfirmuar se Gabriele Oriali do të largohet nga kombëtarja pas një periudhe nëntë vjeçare me të kaltrit. Legjenda e Interit kishte punuar me Antonio Conten, Giampiero Ventura dhe Roberto Mancinin.
Largimi i Mancinit në mesin e gushtit solli edhe emërimin e Spallettit, me FIGC që do kërkojë një dëmshpërblim nga ish-trajneri Mancini, kjo për mënyrën e largimit nga ekipi dhe kohën e pamjaftueshme për pasardhësin, në përgatitjet për kualifikueset e Euro 2024.