Tiranë - Vizita në Shqipëri e Rektores së Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, u shënua nga një takim në ambientet e Rezidencës Studentore Universitare Nr.1. Takimi me Drejtorin e Përgjithshëm, Olsi Shahini, u vlerësua si një hap i rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe në përmirësimin e standardeve të akomodimit për studentët ndërkombëtarë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, vetëm gjatë këtij viti në Shqipëri kanë mbërritur mbi 200 studentë të huaj nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, të cilët po akomodohen në RSU Nr.1. Kjo rritje e ndjeshme e numrit të studentëve ndërkombëtarë vjen si rezultat i një strategjie të qëndrueshme dhe të koordinuar mes institucioneve shqiptare dhe atyre europiane.
Shahini bëri të ditur se deri më tani janë nënshkruar tre marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje prestigjioze, duke përfshirë dhe Kolegjin e Europës, për të mundësuar shkëmbime akademike dhe për të garantuar kushte cilësore jetese për studentët e huaj. Këto marrëveshje jo vetëm lehtësojnë procesin e akomodimit, por edhe nxisin programe të përbashkëta studimore, praktika profesionale dhe projekte kulturore.
Gjatë diskutimeve, palët ndanë ide për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, duke vlerësuar Tiranën si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për studentët ndërkombëtarë. Mogherini u shpreh e impresionuar nga përkushtimi i autoriteteve shqiptare për të krijuar kushte moderne dhe një mjedis të favorshëm për jetën studentore, duke e cilësuar këtë eksperiencë si një model të shkëlqyer për rajonin.
Ky takim shënon një moment domethënës në marrëdhëniet mes Kolegjit të Europës dhe institucioneve shqiptare, duke hapur perspektiva të reja për projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe diplomacisë rinore, si dhe duke forcuar rolin e Shqipërisë si një qendër në rritje për shkëmbimin akademik dhe kulturor në Ballkan.
Komente
