Me penela e bojëra shumëngjyrëshe, këta fëmijë mësojnë mbi artin e pikturës, ndërsa derdhin në kanavacë në teknikën e akrilikut imagjinatën e tyre. Pjesë e “Tulla Visual Art Lab”, prej disa ditësh ata janë bërë pjesë e një shkolle verore nën drejtimin e mësueses Dardane Hadri.
“Piktura gjithmonë ka qenë ëndrra ime që e vogël. E kam nisur rreth moshës 4 vjeç. Çdo vit ka qenë diçka ndryshe dhe kemi mësuar gjëra të reja. Këtë vit jemi fokusuar më tepër te arti japonez, arti australian dhe arti afrikan. Këtë vit ka qenë piktorja Yayoi Kusama dhe kemi mësuar rreth artit të saj. Ka qenë motra ime, e cila gjithashtu ka qenë në një fazë me mua, në kurse të pikturës dhe ajo, që më ka shtyrë të vazhdoj.”, - thotë për “Report TV” Era Bendo, nxënëse e “Tulla Visual Art Lab”
“Unë e kam për herë të parë që vij këtu. Tani jemi duke mësuar për artin japonez. Jemi duke folur për një artiste, stili i së cilës është shumë i veçantë. Ajo pikturon duke përdorur pika. Mua më pëlqejnë shumë gjërat që po mësojmë. Kam që e vogël që jam marrë me kurse dhe më pëlqen që mund të mësojmë gjëra të reja mbikëqyrur nga profesionistë. Më pëlqen atmosfera që krijohet, mënyra si mund të komunikojmë me të tjerët, ndërsa bëjmë diçka që duam dhe pëlqejmë.”, - thotë një tjetër nxënëse.
Pjesë e punëtorisë është edhe Buna, e cila ka udhëtuar që nga Kosova me dajën e saj, për të dytin vit.
“Unë këtu kam ardhur se kam qejf të vizatoj dhe më pëlqen që po mësojmë lloje të ndryshme të artit. Në familjen time tezja merret me pikturë.”, - shprehet ajo.
Ndërsa Ulini, bazuar mbi ato çfarë ka mësuar, ka krijuar një portet të mamit të tij, të cilën e ka pikturuar duke përdorur ngjyrën jeshile për pikturën dhe duke ia shndërruar flokët, nga bionde, që i ka në jetën reale, në të kuq.
“Unë kam bërë portretin e mamit tim se e dua shumë. Më pëlqen të pikturoj. Kam gjyshin artist.”
Ky është viti i tretë që në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë mbahet një punëtori e tillë e udhëhequr nga piktorja Dardane Hadri, e cila prej 25 vitesh punon në Londër si mësuese arti, ku ka organizuar ekspozita të ndryshme.
“Gjatë punëtorisë dëshira jonë është të prezantojmë stilet në art dhe artistë, të cilët fëmijëve do t’u duken interesantë. Ditën e parë, fëmijët mësuan për thjeshtësinë e artit japonez, ndërsa ditën e dytë eksploruan punën e artistes bashkëkohore japoneze Yayoi Kusama, për të mësuar në vijim edhe për artin aborigjen australian e afrikan. Iu tregova fëmijëve foto të Shqipërisë dhe mendova të prezantojnë kafshët që jetojnë në Shqipëri dhe peizazhet në stilin aborigjen. Gjithë punimet do të paraqiten në një ekspozitë kolektive të nxënësve këtë të enjte.”, - thotë Hadri për “Report TV”.
Ideja e këtij laboratori është që t’u krijohet mundësia të marrin mësime arti të gjithë fëmijëve, pavarësisht mundësive ekonomik apo prejardhjes, ndaj dhe pjesë e shkollës verore gjatë dy viteve të para kanë qenë edhe fëmijë të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, ndërsa këtë vit, fëmijë nga fshati SOS.
“Ideja jonë, e imja dhe e Albanit është që gjithmonë në qendrën Tulla të sjellim gjëra sa më ndryshe dhe novatore. Eksploruam shumë këtë vit. Është edicioni ynë i tretë. Vitin e parë ka qenë arti afrikan. Vitin e dytë kanë qenë disiplina të ndryshme të artit: kubizmi etj., kurse këtë vit kemi artin japonez. Fëmijët pjesëmarrës janë të talentuar. Vit për vit ne kemi mysafirë të ndryshëm. Këtë vit kemi fshatin SOS dhe fëmijë fantastikë dhe me imagjinatë kreative. Gjithë ideja e kursit është t’u japë mundësi fëmijëve të eksplorojnë në fusha të ndryshme të artit. Ky kurs është pa pagesë. Ideja është që gjithë fëmijët mund të aplikojnë dhe të marrin pjesë.”, - thotë Kika.
Një vit më parë, punimet e realizuara gjatë punëtorisë u shitën në një ankand me pëlqimet e vetë fëmijëve tyre dhe të ardhurat e mbledhura u përdorën për të blerë vegla muzikore të frymës për fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, të cilët falë kësaj nisme, tani kanë edhe një bandë muzikore, ku japin mësim dy profesorë nga shkolla e artit. Këtë vit, kjo shkollë verore mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Komente
