Lulzim Basha dhe Shkëlzen Berisha

'Fëmijët' e politikës shqiptare dhe stacioni 'Shqipëria si Europa'

15 Dhjetor 2020, 11:23| Përditesimi: 15 Dhjetor 2020, 11:43

  • Share

Nga Ilirjan Blloshmi

“Në kohën e skllevërve ishin dy lloj zezakësh: Zezaku i shtëpisë dhe zezaku i fushës. Zezaku i shtëpisë jetonte pranë të zotit të tij. Në shtëpinë e madhe, në bodrum, ose në një pjesë ngjitur shtëpisë. Ai vishej mirë, hante mirë, atë çfarë i linte i zoti. Ai e donte të zotin e tij më shumë se sa i zoti e donte vetveten.Nëse i zoti thoshte, “kemi shtëpi të mirë,” ai thoshte, “po, kemi shtëpi të mirë.” Nëse shtëpia e të zotit zinte flakë, zezaku i shtëpisë ishte ai që do vraponte ta shuante këtë zjarr.

Nëse i zoti do të sëmurej, zezaku i shtëpisë do të thoshte, “çfarë u bë? Jemi sëmurë, jemi sëmurë”! Kjo është mënyra e të menduarit të një zezaku shtëpie.

Nëse nje skllav i fushës do të vinte e të thoshte: “Le të ikim, le të ndahemi nga ky zotri i vrazhdë”, ai thoshte “pse?” Ku mund të gjejmë më mirë se këtu? Unë nuk do të shkoj askund”.

Ky është zezaku i shtëpisë. Në atë kohë, ne i quanim zezakët e shtëpisë. Të njëjtë i quajmë edhe sot sepse kemi ende shumë zezakë të shtëpisë.”

Kjo është një pjesë nga intervista e Denzel Washington dhënë në fillim të viteve 90. Ngjashmëria me situatën që po kalon Shqipëria është tmerrësisht e ngjashme.

Sot në Shqipëri “zezakun e shtëpisë” e ka zëvendësuar ai që përfiton nga politika. “Zezakët e shtëpisë” sot janë fëmijët e Ilir Metës, që studiojnë në Angli. Është i biri Sali Berishës, që nuk ka asnjë ditë punë në librezën e tij, por është milioner. “Zezaku i shtëpisë” sot është i biri Ramës, i biri Fahriut, i biri Tom Doshit. “Zezaku i shtëpisë” është çdo barbon i administratës.

E për të mbrojtur këto të mira “zezakët” e politikës shqiptare nuk e kanë problem t’i vënë zjarrin Shqipërisë. “Zezakët e politikës” nuk duan t’ia dinë nëse shoqëria shqiptare, është gdhirë me ankthin e pasigurisë, me hallet e shumta e shpresat e vogla, me paperspektivën e tmerrshme dhe vizionet e cunguara.

“Zezakët” e politikës tonë nuk e dinë se çfarë është, kur numëron me ankth regjistrin e pafundmë të problemeve. Pa drita, pa punë, me infrastrukturë shkatërrues, pa përkujdesje shëndetësore, me korrupsion të madh etj. Ata nuk e njohin se kjo është fizionomia e jetës shqiptare. Gjithë kjo pasiguri e ky kaos, artikuluar me gjuhën më të thjeshtë, ka vetëm një adresë: politikën dhe zezakët e saj.

Duke parë zhvillimet politikë në Shqipëri, s’kemi sesi të mos gjëmojmë me të njëjtat klithma, sikur At Gjergj Fishta: Zot ruaje Shqypnin nga shqyptaret. S’do mend se kriza e përgjithshme shqiptare, degradimi dhe deformimi që po ndodhin kudo, i ka kundërshtarët e vet, pikërisht ata të cilët janë të thirrur të krijojnë zgjedhje më optimale, tek politika dhe zezakët e saj.

Prandaj ju që protestoni, protestën mos e ndalni, por mos e shkatërroni këtë vend, mos e prish atë biznesin privat, mos i thyej xhamat atij që shet celular.

Mos dëmto semaforin, as tabelat, shko e thyej turinjtë zezakut të politikës. Ai e ka fajin për këtë që po na ndodh ne. Edhe nëse fitojmë statusin e vendit kandidat në BE nuk fitojmë dot dinjitetin.

Duhet ngadhënjim. Beteja qytetare për dinjitet është e vetmja betejë reale për europianizim.

Beteja për dinjitet është e vetmja që mund ta lëvizë Shqipërinë nga stacioni “Shqipëria si Shqipëria”, tek stacioni “Shqipëria si Europa”, ku qytetarët e ngazëllyer shqiptarë nuk do të keqpriten nga evropianët e lodhur. Aktualiteti i klithmës kombëtare: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, merr vlerë vetëm nëse është e sinqertë dhe si ngasje e betejës për dinjitet, e jo për politikë e zezakët e saj.

Prandaj mos e shkatërroni këtë vend. Që për të qëndruar lirshëm duhet të palosesh në dysh.

Duajeni këtë vend, se ky vend si i yni është aq i vogël sa mund t’ja vizatosh hartën 1me1 në një paketë cigaresh.

*Titulli redaksional
Titulli origjinal: “Zezakët” e politikës shqiptare!

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 15/12/2020 22:18

    Ne foto dy pushta qe kane lyer duart me gjak me 21 janar dhe ne Gerdec

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?