Brezat ndër vite ndryshojnë, këtë e tregon edhe koha që po jetojmë. Nëse para viteve 1990 fëmijët ishin më socialë dhe oborret e shtëpive shërbenin për lojëra nga më të larmishmet, sot mjafton të ulen diku me një celular apo ipad në dorë duke jetuar një botë virtuale. Por a është kjo rruga e duhur për mirërritjen e një fëmije?
"Si çdo gjë që përdoret keq edhe interneti që është një arritje shumë e madhe, po u përdor keq bëhet armiku jonë, na dëmton", tha psikologia për fëmijët Lira Gjika
Fëmijët nuk e dinë ku është kufiri midis dëmit dhe përfitimit nga teknologjia. Psikologja për fëmijë Lira Gjika këshillon prindërit që me durim tua shpjegojnë dhe ti bëjnë të kuptojnë se përdorimi i saj pa kufi i dëmton dhe do ndikonte drejtpërdrejt tek komunikimi dhe socializimi i të vegjëlve.
"Telefonat, ipadet po u përdorën që në fillim të jetës, 0-2 vjeç që dihet që është shumë e dëmshme, dëmtojnë fëmijën, sepse fëmija nuk e mëson fjalën nga njeriu , por e mëson nga sendi. Kjo krijon një hendek, një çarje dhe nuk krijohet marrëdhënia njëri-njeri. Me teknologjinë duhet të jemi të vëmendshëm, është në dorën e të rriturve se si do menaxhojë, sa kurajë do ketë, sa vëmendje do tregojë që ti thotë fëmijës, kaq. Që ti tregojë kufirin", u shpreh Gjika.
Nëse nuk i tregon kufirin, psikologët thonë se të vegjlit do shkojë pas asaj që i pëlqen. Disa fëmijë na thonë se prindërit i kufizojnë në përdorimin e telefonave, pavarësisht dëshirave të tyre.
" Jo, se nuk më lë mami. Jo, nuk dua ta përdor. "
"Jo, se nuk më lë mami. Po kur nuk është mami shikoj televizor."
"Jo, nuk kam telefon, telefonin e mamit çik e përdor, më pëlqen shumë sporti, sidomos futbolli", thanë disa nga fëmijët
Prindërit edhe gjyshërit janë të vetëdijshëm që kohët kanë ndryshuar, fëmijëria në përgjithësi ka ndryshuar dhe se përballja me teknologjinë është e pashmangshme, pavarësisht se thonë se përpiqen që t’i kufizojnë fëmijët.
"Me zor, por po ia dalim, se humbasin orë të tëra lojëra elektronike, humbasin orë të tëra. "
"Më parë s'ka pasur telefona, mbesa ime 4-vjeçe rri më shumë në telefon, dhe prindërit e rinj duhet të jenë më të kujdesshëm se i shkaktojnë probleme në sytë, prandaj duhet të jenë më të kujdesshëm, t'i aktivizojnë, në lojëra."
"Fëmijët evoluojnë si çdo gjë tjetër. Nuk jemi të aftë t'ua frenojmë fëmijëve këtë gjë, telefonat janë për fëmijët jo të mira se harxhojnë kohën, çdo gjë duhet të evoluojë duke filluar nga kopshtet dhe shkollat".
"Janë bërë të varur, ia kam zhdukur telefonin sa ul dhe zilen dhe shkëputet nga bota reale, sa më të vegjël aq më të rrezikuar janë."
"Telefoni po i bën shumë dëm, unë e kam vajzën 18-muajshe dhe e kërkon si gjë të domosdoshme, na shikon ne dhe do të na imitojë, është shumë dëm për fëmijët".
"Po ka ndryshuar, janë bërë të varur. Po mundohemi të bëjmë sa më shumë aktivitete, ti nxjerrim në natyrë, por është e keqe e paevitueshme. Kur nuk e kemi të mundur duhet të bëjmë kompromis dhe me telefonin."
"5-6-7 orë edhe më shumë, është e gabuar se i lodh nga sistemi nervor, nga ana psikologjike, u ha kohën e mësimit dhe i bën të varur. Prindërit janë midis dy alternativave, një është që ti lënë të shikojnë televizor dhe mos të merren me ta plotësisht dhe ana tjetër është që nuk i shkëpusin dot. Prindërit duhet të punojnë më shumë", thanë disa nga qytetarët
"Babai të hyjë shumë më shumë në jetën e fëmijës që në fillim. Ka burra që thonë janë punë grash. Babai ka pjesën e vetë dhe nëna pjesën e saj. Nuk zë nëna pjesën e babait apo anasjellas. Nëna të sjell në jetë, babai të mëson si të socializohesh. Kur ke pasur një baba pranë e ke të lehtë të mposhtësh frikën nëse do të pranojnë ose dhe nëse s’të pranuan të jesh gati të mbrosh fjalën tënde. Kjo është detyrë kryesore e babait. Nëna e ushqen babai e mëson", thotë Lira Gjika.
Mësuese Tatjana, me një eksperiencë 38-vjeçare në edukimin e brezave na thotë se teknologjia po i ndihmon fëmijët të marrin njohuri që tekstet shkollore nuk e kanë, por është dhe e shqetësuar pasi në atë mori informacionesh, të vegjlit përballen dhe me të dhëna dhe materiale që nuk iu duhen për moshën që kanë.
"Jemi në shekullin e 21, janë fëmijë digjitalë dhe nuk janë vetëm fëmijë të librave. Por prindërit duhet ti lënë për një kohë të caktuar dhe jo të rrinë gjithë kohën me celularët. Pra duhet t’ia racionojnë kohën. Nga bashkëbisedimin qe kemi me nxënësit ata flenë shumë vonë. Rreth orës 2 të natës, por kjo edhe nga ana shëndetësore nuk është mirë dhe jo nga ana e lodhjes, dhe vijnë në mësim dhe janë përgjumësh dhe nuk janë për mësim. Është vetëm prindi që duhet ti racionojë. Të merren dhe me teknologjinë, pasi po nuk e përdore nuk je i aftë, por me një kohë të racionalizuar. Jo se kanë dalë nga duarsh, pasi do përshtaten, ashtu siç përshtatej brezi i dikurshëm. Në internet mund të ketë info që nuk i duhet për moshën që ka. Mund të futet në ato grupet e dhe mund ti dëmtojnë, prandaj duhen të kontrollueshme edhe interneti dhe përdorimi i celularit", shprehet mësuese Tatjana Jaupaj .
Sipas të dhënave 95% e territorit të vendit tonë është e mbuluar nga interneti dhe afërsisht 80% e fëmijëve shqiptarë kanë qasje në internet. Pandemia nxiti prindërit të marrin internet në shtëpi që fëmijët të mund të ndiqnin mësimin online, por për Specialistin e Hetimit të Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Artan Dashin, prindërit duhet të kontrollojnë gjithçka tek fëmijët kur bëhet fjalë për telefonat, kompjuterët dhe rrjetet sociale, pasi interneti është pa kufij dhe ata janë të rrezikuar drejtpërdrejt nga rrjetet e pedofilisë.
"Interneti është pa kufij , pa hapësirë, fëmijët janë viktima apo pre e këtij trendi, prindërit të mbajnë sa më afër dhe të komunikojnë sa më mirë me fëmijët për të mësuar , ndjekur apo edhe kuptuar shqetësimin e fëmijëve, luhatjet që mund të ketë. Ata duhet të dinë çfarë programesh kanë në telefon, asnjëherë fëmija nuk duhet të mbyllet në dhomë e vetë kur është minoren, pasi nuk dihet çfarë mund të bëjë në këto rrjete sociale. Duhet të dijë çfarë shokësh ka, çfarë adresash përdor. Prindërit duhet të instalojnë programe apo foldera në pajisje që mos të lejohen të futen programe të palejuara. Me avancimin e teknologjisë edhe krimi kompjuterik ka avancuar. Seksioni ynë përballet çdo ditë me problematikat e fëmijëve, bullizmi, hapje e adresave false , apo edhe pornografia me të mitur, qoftë edhe pedofili. Afërsisht ne marrim 4-5 raportime në javë për hapje adresash instagrami apo tiktoku për fëmijë, të cilët bullizohen, por në bashkëpunim me homologë të huaj, na vijë edhe njoftime për adresa për pornografi apo grupe pedofilie me të mitur ", tha Artan Dashi.
Një tjetër problematikë e të përdorurit të telefonit dhe largimit nga lojërat fizike janë edhe problemet me sytë. Okulistja Nora Burda na thotë se sipas studimeve në 6 vitet e fundit numri i fëmijëve që kanë probleme me shikimin ka shkuar në 21% nga rreth 14% që ishte në 2015.
"Janë shfaqur goxha problematika, për sa i përket ekspozimit të tyre në pajisjet digjiitale. Fëmija bëhet asocial dhe flet me mjetet dhe jo me njerëzit, kjo prish pjesën e socializimit. Ndikon edhe në pjesën e gjumit, nuk u lejohet fëmijëve që të rrinë përpara telefonit, televizorit, apo para kompjuterit 1 orë para gjumit, pasi ju prish ciklin e gjumit, do bëjnë gjumë të çrregullt duke i bërë më të mbyllur, më të stresuar, më asocialë, me dhimbje koke, janë edhe më të avashëm për të lexuar një tekst, bëjnë gabime dhe nuk kanë durim. Këto vijnë si pasojë e ekspozimit për një kohë të gjatë para pajisjeve elektronike. Në disa studime që janë bërë në Kinë dhe në Indi, nga ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj pajisjeve elektronike për fëmijët 6-18 vjeç, në Kinë 21% e fëmijëve të testuar kishin nevojë për syze për miopinë, krahasuar kjo me vitin 2015. Kjo është një rritje e konsiderueshme, përbën problem. Një studim tjetër i bërë në indi referon se rreth 50% e fëmijëve nga mosha 6-14 vjeç shfaqin problemet me pamjen", tha okulistja Nora Burda
Për fëmijët e teknologjisë doktoreshë Nora ka disa këshilla, disa rregulla të arta që të shmangin sa më shumë dëmtimin e syve dhe të mos kenë probleme me shëndetin.
"Ekspozimi nxjerr në pah miopinë, ose e nxit për ata që nuk e kanë si problem. Fëmijët kanë dhimbje kokë, shpim të syve, dhimbje të syve, skuqje të syve dhe nuk e kuptojnë nga se e kanë, por pajisjet kanë një filtër blu, e cila depërton në sy dhe është e dëmshme për shëndetin e syve dhe jep probleme. Është një sindromë ‘sindroma e ekspozimit në kompjuter për një kohë të gjatë’, ka disa rregulla duhet ti ndjekim në mënyrë që të ulim sadopak efektin negativ. Rregulli 20-20-20. Çdo 20 minuta që rri fëmija në kompjuter, më pas hedh shikimin 20 metra larg dhe për 2 minuta shkëputet nga kompjuteri dhe më pas rikthehet. Një rregull tjetër është, çdo një orë fëmija duhet të çohet nga kompjuteri dhe të bëjë diçka tjetër dhe të hedhë vështrimin larg, jashtë dritares. Fëmijët duhet të bëjnë mbylljen e syve që të ketë lot dhe syri mos të thahet dhe shpërqendron syrin duke e shplodhur dhe hidratuar. Kompjuteri duhet te mbahet drejtë. Dhe kjo nuk lejon që rrezet blu te hyjnë ne sy. Një gjë tjetër që prindërit të bëjnë është që duhet të ulin ndriçimin e ekranit. Prindërit duhet ti sjellin fëmijët patjetër për vizitë te okulisti dhe kur nuk kanë probleme. Rreth 50% e fëmijëve që kemi vizituar kanë probleme me shikimin larg. Për fëmijët rebelë, kompjuterin në sleeping mode pas gjysme orë, me kod dhe u fik dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Duhet të shpjegojmë, të komunikojnë. Një ngrënie e shëndetshme, nuk ka një dietë të përcaktuar, por karota, fruta të thata, peshk, të pasura me Omega 3 dhe anti-oksidant", ishin këshillat e doktoreshë Norës.
Shqetësuese është kur dëgjojmë nga goja e fëmijëve të tjerë se e përdorin telefonin 2 ose 3 orë në ditë pavarësisht se prindërit edhe u bërtasin.
"Po shumë e përdor, prindërit më thotë hiqe, nuk është se më bërtasin shumë, ndoshta 2-3 orë në ditë e përdor telefonin. Telefoni është i imi e kam blerë me lekët e mia., luaj basketboll. Luaj edhe në telefon dhe lojëra fizike".
"Shumë e përdor, mami nuk më lë shumë ta përdor. Unë luaj shumë sport, i kam shumë qejf, po dhe telefonin e përdor shumë"
"Nuk luaj dot futboll se e gjithë lagjja është e rrethuar nga makina", thanë disa nga fëmijët
Ky është një tjetër problem, fëmijët e sotëm nuk janë më si dikur, atëherë kur oborret e pallateve gumëzhinin nga zërat dhe problemi i internetit apo teknologjisë nuk ekzistonte.
"Fëmijëritë kanë ndryshuar, ne ishim në kushte më të vështira, por preokupoheshim më shumë për të dhënë maksimumin në mësim, tani janë në kushte më të mira materiale, sociale, por ndoshta kjo ha kohën e mësimit"
"Jo nuk luajnë, ose luajnë shume pak lojëra fizike, sepse celulari i lidh, i ngjit pas vetes, por edhe kushtet fizike nuk janë, nuk ka më sheshe se pallatet janë bërë ngjitur. E para nuk kanë vullnet të dalin dhe e dyta nuk kanë kushtet për të dalë"
" Ka ndryshuar çdo gjë, ecën koha përpara, ne kemi lozur sa të duash, me top me volejboll, prindërit ishin në punë dhe ne kishim kohën tonë, bëni spartakiada, ku janë sot? ku është fizkultura në këtë kohë? "
" 100% ka ndryshuar, patjetër që ka ndryshuar. Disa gjëra kanë qenë më mirë, tani rrallë i gjen 5 kalamaj bashkë, por në atë kohë me të vërtetë kishte më pak lodra, por mblidheshin bashkë kishin më shumë shoqëri. Kurse tani lodrat elektronike, internet i kanë bërë individual kalamaj, rrallë i sheh 5 veta bashkë, lojëra të ndryshme janë zhdukur fare. Një nga lojërat e preferuara "doçja" që këta se njohin, loja me karbit, ka shumë lojëra që janë zhdukur"
" Fëmijëria ka ndryshuar, në atë kohë kur ishim ne nuk ishin këto kushte, unë kam punuar edukatore, jam pensioniste, ka përparuar koha, tani ka kushte, i çojnë në kurse anglisht, gjermanisht, janë më ndryshe. Lojërat fizike kishte basketboll, volejboll, kishte akoma dikush më prioritet, tani më shumë në privat se shtet, loznin, basketboll, volejboll, vrap tani kanë avancuar më shumë"
" Më parë kanë qenë lojëra kolektive, jo individuale, sot edhe sporti është bërë më individual, ka palestra, çdo gjë"
"Dikur luanim me këto lodrat tradicionale, tani fëmijët janë të kontrolluar nga gjyshërit, prindërit, por ka të tjera lojëra që mundohemi t'i çojmë fëmijët, por vetëm jo, ndërsa ne luanim në rrugë, afër shtëpisë, por ndiheshim shumë të lumtur për aq sa luanim, lloj lloj lodra, hapa dollapa, topa luftash, tani luajmë në shtëpi, fshihet nëna. Ndërsa dikur ndiheshim shumë të lirë dhe prindërit tanë ndiheshim shumë të sigurt se nuk shkëputeshim shumë nga shtëpia, ndërsa tani është më ndryshe. Tani këto lojërat, ku ka fshehti, topa rasash, hidheshim me litar tani nuk i shohim më, ndoshta duhen shtuar edhe këto lodra, se tani po të njëjtat po qarkullojnë."
" Ne të paktën kemi qenë më të lidhur, nëpër pallate, nëpër rrugica, nëpër oborre, kemi luajtur shumë me shokët dhe shoqet, kurse tani ka ndryshuar shumë. Tani brenda familjes, me ndonjë kushëri që mund të dilet, nuk ka më si më përpara. Top e gropa, ne në Shkodër i thoshim top e cingël, po nuk e di si i thonë sot, këto janë që nuk shihen më", thanë qytetarët ndërsa kujtonin lojërat e fëmijërisë së tyre.
Mungesën e fëmijëve në sheshet e pallateve e ndjen dhe mëseuese Tatjana, e cila na thotë se lojërat kolektive janë zëvendësuar me kurset.
"E shikoj edhe në lagje, fëmijët dikur luanin në oborrin e pallatit dhe sot mungojnë, por sot kanë variante të tjera, ka kurse, volejboll, basketboll dhe ja zënë atë kohën e pasdites. Edhe ne kur ishim të vegjël nuk luanim gjithë kohën. Kemi luajtur një farë kohë, e kishim me orar, fillon orari i studimit dhe futeshim në shtëpi. Kurse sot nuk ndihet. Fëmija duhet të mësohet me njëfarë disipline.", tha mësuese Tatjana.
Për mësuese Tatjanën është edhe koha sot, prindërit që kujdesen më shumë për fëmijët, duke i bërë që të komunikimi i fëmijëve të zhvendoset në rrjete sociale, duke i bërë më asocialë.
"Nuk mund të them që janë të largët, janë pak të ftohtë për arsye të anës sociale, brezi jonë ka pasur më shumë afrimitet me shokët dhe shoqet, kurse sot ka probleme të tjera dhe prindi për ta ruajtur sa më të pastër atë fëmijë detyrohet t'i vendosë ca kufizime. Ato afrimitetin e kanë dhe dixhital, kanë grupe ëp, fb dhe që merren me njëri tjetrin, kjo është e keqja se devijon pak dhe fillon sharja. Dhe kacafyten në shkollë pasi bëjnë debat në grupe", tha ajo.
I të njëjtit mendim është edhe specialisti i Krimit Kibernetik, Artan Dashi, i cili thotë se nuk ka bazë krahasimi të fëmijërisë dikur, me fëmijërinë sot.
"Këta janë të mirinformuar, këta lindin me ipad, me internet, këta lindin me gjuhë të huaj. Problemi i këtyre është që e marrin informacioni shumë shpejt dhe nuk dinë si ta përdorin dhe janë target grup që mund të bien pre shpejt e rrjeteve të pedofilisë. Me fëmijërinë time s'ka lidhje fare, pasi këta nuk dinë si të krijojnë një lojë vete, kurse ne i krijonim të gjitha lojërat vetë. Ne ishim më social, këta janë më të mbyllur në vetvete. Uroj që këto ndryshime të ndikojnë për mirë në të ardhmen e tyre", tha specialisti i Krimit Kibernetik, Dashi.
Duke kujtuar fëmijërinë e saj, doktoreshë Nora na thotë se donte të rrinte vetëm jashtë shtëpisë dhe të luante, por këtë nuk po e bën dot me fëmijët e saj dhe pse ajo është përpjekur t'i largojë nga telefoni.
"Mua më pëlqente të rrija gjithë ditën në rrugë, unë jam nga Korça dhe fëmijëria jonë në kohën e shokut Enver nuk kishim shumë lodra, të rrija gjithë ditën jashtë kur binte orë dhe bënin skitë prej druri, hidhnim ujë që rruga të ngrinte dhe plakat binin dhe thyenin qafën. Hapa dollapa, lojë me top, luanim basketboll. Lojëra pak të varfra por që kishin shumë kënaqësi, më mungon, por koha ecën para. Fëmija ime në telefon ka qëndruar, por dhe jo shumë se nuk e kam lejuar, e kam motivuar që të merret me veten, të shkojë në palestër, të dalë me shokët dhe shoqet, por është e vështirë ta shkëputësh nga teknologjia, mundohem të minimizoj kohën që ai ekspozohet", tha doktoreshë Nora.
Këto ftohje dhe largime mes fëmijëve, psikologjia Lira Gjika i lidh me prindërit, të cilët nuk ua kanë mësuar dhe nuk merren aq shumë me fëmijët, të cilët kanë nevojë për ta për të bërë lojëra fizike.
"Nuk ua kemi mësuar, për shembull me peta me lirat, përpiqem unë ti fus, rrisin shumë përqendrimin trupor, përpiqem tua bëj fëmijëve në kopsht, kukamshefti, toparrasash, tani kanë shumë, ne ishim me mjete rrethanore, gura çokthi, por ato ishin shumë të mira. nuk është e keqja se nuk bëhen disa lojëra. puna është sa rrinë bashkë, fëmija do luajë edhe vetëm, sa ka edhe vëmendjen e të rriturve, nuk ka lojë pa të rritur, nuk ekziston prishet, fëmija e do të rrituri aty pranë që të tregojë sa i zoti është sa është rritur. kanë ato grindjet e vogla që të ndërhyjë me takt, që ti thotë prit se po e mësoni tani, është një etikë që është e domosdoshme prezenca e të rriturve. që nuk i lë fëmijët të prishin lojën, loja duhet të mbarojë dhe jo të prishet. kur loja prishet i rrituri është indiferent. dhe duhet të ndërhyjë që ato të ndahen në paqe me njëri tjetrin dhe jo të armiqësohen. Janë ca detaje të vogla shumë të rëndësishme që dalëngadalë ndihmojnë në karakterin e fëmijëve në krijimin e marrëdhënieve, apo në të mësuarit për të bërë marrëveshje", tha psikologia Gjika.
Ndërsa okulistja Burda na thotë se fëmijët nuk duhet të rrinë më shumë se 20 minuta në ditë përballë pajisjeve teknologjike.
"Deri në moshën 6 vjec, për rreth 20 minuta në ditë. Me rritjen e moshës mund të rrinë diçka më shumë por duke zbatuar rregullin 20-20- 20, çdo një orë të shkëputesh. Një mënyrë tjetër e të mbrojtur është mund të blejnë një pajisje qe quhet mbrojtëse ekrani që nuk lejon ekspozimin nga rrezja blu, ose nëse kanë probleme me shikimin të marrin syze me filtra blu, kjo u rekomandohet të gjithëve. Eliminon efektet dhe nuk parandalon", tha okulistja
Në kohën e internetit është shtuar edhe stresi, angazhimet, koha e kufizuar për familjen. Prindërit janë të ata që kanë dhënë shembullin e gabuar për fëmijët e tyre duke i servirur një botë virtuale e duke lënë në harresë jetën reale.
"Uroj që këto ndryshime të ndikojnë për mirë në të ardhmen e tyre", tha specialisti i Krimit Kibernetik, Dashi.