Martin Cani

Fëmijët e vdekur nuk largohen kurrë nga shtëpitë e tyre! Thika që ‘goditi’ në zemrën e çdo shqiptari

19 Nëntor, 08:03| Përditesimi: 19 Nëntor, 09:57

  • Share

Sot një derë u mbyll, një nënë hodhi shaminë e zezë të vajit mbi kokë dhe lotët iu thanë, ndërsa një baba mban peshën e mundimshme të humbjes së të birit. Vakti i ngrohtë i drekës mbeti në tryezën e Martin Canit, futbollistit 14-vjeçar të Dinamos që thika i ndali frymën ende pa dalë në jetë.Mbrojtësi i majtë të diel ishte në fushë së bashku me shokun e tij të plagosur, Luis Meçen, që shënoi edhe dy gola. Thika e ‘helmuar’ vjen si goditje në zemrën e çdo shqiptari, si një këmbanë alarmi për brezat e rinj dhe të ardhmen e shoqërisë.

Kjo nuk është vetëm tragjedia e familjes së Martinit, e nënës që nuk do e heqë veshjen e zezë dhe do gdhihet dhe shtrihet në shtrat me imazhin e vendprehjes së fundit të engjëllit të saj, kjo është tragjedia e shqiptarëve.
Është tregues se kemi dështuar në familje, shkollë dhe komunitet. Tregues se për një fjalë goje, a qoftë për një kapriço moshe nervat na dërgojnë direkt te vetgjyqësia. Kemi kopjuar shembujt e këqinj të rrjeteve sociale, që vetëm të tilla nuk janë, të klipeve plot dhunë që nuk edukojnë.
Secili prej nesh sheh në rrugë adoleshentë jo të qetë, që janë gati për grushtin edhe për ‘pse më pe’. Martini ishte fatkeqi i radhës, që thika i preu ëndrrat në mes. Si një mbrojtës i majtë ai me gjasë ëndërronte të bëhej një futbollist, pasi trajneri i tij thotë se ishte ndër më të mirët e ekipit.

Martini e bëri bashkë ekipin edhe sot, këtë herë disa adoleshentë u mblodhën jashtë spitalit ku trupi i pajetë i Martinit ndodhej, e shpirti i tij u largua me engjëjt.
Thonë se ‘fëmijët e vdekur kurrë nuk largohen nga shtëpitë e tyre, vërtiten aty, kapen pas fustanit të nënës së tyre, kur ajo po përgatit ushqimin dhe dëgjon ujin që zien, thua se po studion avullin dhe kohën.

Gjithmonë janë aty. Dhe shtëpia merr një dimension tjetër, si një shi i butë në mes të verës, në fushat e shkreta’. 
Fëmijët e vdekur nuk ikin, qëndrojnë në shtëpi dhe luajnë në korridorin e mbyllur. Martini do i ketë ‘takat’ e futbollit në shtëpi dhe nëna e tij ulëritjen në gjumë do e këtë nqaqë do ndjejë përsëri dhimbjen, këtë herë jo të lindjes.
Mirë u pjekshim Martin, luaj i qetë me engjëjt…
 

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?