Një shfaqje me kukulla nga materiale të riciklueshme, por edhe me këngë e kërcim u shfaq mbrëmjen e së martës në Teatrin e Kukullave. Kësaj here, aktorë, instrumentistë dhe interpretues të përrallës “Hansel dhe Gretel” ishin fëmijët me aftësi të veçanta.
“Unë në rol do të kem babain e Hansel dhe Gretel, të cilët nuk kanë nënë.”, - thotë Briken Hasimi, aktor në shfaqje.
Brikeni thotë se kjo nuk është hera e parë që ai interpreton në një shfaqje, ndërsa studion për pikturë në Universitetin e Arteve.
“Piktura dhe aktrimi janë hobet e mia. I vogël bëja batutat e filmave shqiptarë. Ka shumë filma shqiptarë të preferuar, por ajo që më ngelet në mendje është “Dy herë mat”., - tregon ai.
Në këtë shfaqje interpreton edhe Belkisa, e cila luan në violinë dhe në piano.
“Më pëlqen të kërcej shumë me shokun tim, Marvin...”, - thotë ajo.
Me ideatore aktoren Shegushe Bebeti, projekti i titulluar “Ma jep dorën, pranoje botën time” kërkon të përcjellë një mesazh dhe vokacion të fortë: Diversiteti duhet njohur, pranuar dhe mbështetur.
“Këtë projekt e kemi bërë me bileta dhe duam që të gjitha të ardhurat e biletave t’u shpërndahen fëmijëve si shpërblim për aktivitetin e tyre artistik. Në këtë projekt për herë të parë përfshihet një shfaqje me kukulla që është “Hansel dhe Gretel”, kukullat e së cilës i kam realizuar unë vetë.”, - shprehet Bebeti.
"Përveç përrallës Hansel dhe Gretel kemi një interpretim në instrumentin e kitarës që do të interpretohet nga Soerdio, një kitarist i mrekullueshëm, një koreografi e realizuar nga Fatjon Sulstarova, që interpretohet nga Belkisa dhe Marvin. Kemi interpretues shumë të mirë: Tomasi në rolin e babait. Pastaj fillon përralla ‘Hansel dhe Gretel’, e cila ka si aktorë kryesorë Jamarbër Hoxhën, Dailën, Brikenin, Dartin dhe Joridën. Pasi të mbarojë përalla do të kemi një tregim fabule shumë të bukur bga Irisi, “Dhelpra dhe qeni” dhe pas saj, një skeç humoristik nga Jamarbër Hoxha, në rolin e djalit dhe me ndihmën time dhe Neritan Liçajt.”, - vijon aktorja.
Pjesë e shfaqjes ishin edhe aktorët Jorida Meta dhe Neritan Liçaj.
“Gjithë shoqëria duhet të ketë vëmendjen dhe kujdesin e duhur, jo vetëm strukturat shtetërore, që e kanë për detyrë ligjore, te këta njerëz, se janë engjëj. Një shoqëri e emancipuar këtu e tregon veten e vet: se sa vëmendje, përkushtim ka ndaj njerëzve që vërtet kanë nevojë për ndihmë. Marrdhënia me ta më prek, më bën të përlotem. Janë aq të pastër, të mirë. Mjafton t’i trajtosh me dashuri dhe të dhurojnë botën.”, - thotë Liçaj.
Një moment interesant ishte fundi i shfaqjes, kur nënat e këtyre fëmijëve u ngjitën në skenë.
“Janë heroinat që me sakrifica luftojnë për të çuar përpara këtë kategori fëmijësh.”, - vëren Shegushe Bebeti.
Fëmijëve iu dhanë certifikata pjesëmarrjeje dhe iu dhuruan personazhet kukulla si kujtim. Projekti u zhvillua nga Albania Community Assist (ACA) me mbështetjen e MEKI në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave.
Komente
