30-vjeçarja, Kristina Saliaj është infermiere në Qendrën Shëndetësore të Këlcyrës, diagnostikuar një vit më parë me kancer gjiri. Nëna e dy fëmijëve të vegjël ajo i është nënshtruar terapive intensive por pa hequr dorë nga puna. Për Report TV, Kristina rrëfen momentet fillestare, impaktin që pati tek familja.
“Fëmijët vetëm qanin kur ishin vetëm, se në syrin tim nuk e jepnin veten. Unë e kam zbuluar vetë gjatë kontrollit të gjoksit. Kam bërë 4 kimio të kuqe dhe 4 të bardha dhe i jam nënshtruar ndrëhyrjes kirurgjikale”, tha Kristina Saliaj infermiere.
Me një kurajë që të befason, Kristina thotë se familja dhe fëmijët e saj janë arma kryesore në luftën ndaj kancerit.
“Unë jam shumë e fortë, vetëm një ditë kam qarë, ditën kur kam shkaur tek doktor Artani në Onkologjik. Ai më ka thënë mos qaj sepse gjysmën e punës e bën ti dhe gjysmën unë. Nëse do të stresohesh nuk do të fitojmë betejën. I thashë stop vetes, mendo për veten dhe për fëmijët”, tha më tej ifermierja Kristina Saliaj.
Ndërsa Sonila Kaziaj specialiste pranë Njësisë së Kujdesit Shëndetesor në Pogradec tregon se e ka fituar betejën me semundjen.
“Jam ekzaminuar para 7 vitesh nga makina lëvizëse e mamografisë që erdhi në Pogradec. Nëse kanceri kapet në stadin e parë është 100 për qind i shërueshëm dhe unë e kam kapur shumë shpejt”, tha Sonila Kaziaj.
Kanceri i gjirit shfaqet zakonisht tek gratë, por në Pogradec vihet re rritja e numrit tek meshkujt. Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, ndërmjet 22 rasteve të diagonistikuara, dy janë burra.