Vetëm në 3 vitet e fundit janë 1600 të mitur shqiptarë të regjistruar që kërkuan strehë, ushqim dhe përkujdesje nga shteti italian duke u deklaruar si të pashoqëruar ose “braktisur” nga prindërit e tyre.
Në Itali dhe në Shqipëri autoritetet kanë nisur hetime për këta prindër që “braktisin“ fëmijët duke menduar se po u japin një jetë më të mirë në shtetin fqinj, por e ardhmja e tyre nuk është e sigurt. Nuk është fjala vetëm për vështirësitë kalimtare, por edhe rrezikun e përfshirjes së të miturve në kthetrat e krimit të organizuar dhe rrjetet e trafikut.
E ndërsa fëmijët e “braktisur” janë përballë rreziqeve edhe ndaj prindërve në Shqipëri prokuroria ka nisur hetimet në disa raste pas referimit nga policia, ndërsa kodi ynë penal parashikon 3 vite dënim me burg.
Shqetësimeve të autoriteteve në Romë, Tirana zyrtare i është përgjigjur me forcim të masave në kufi dhe me vënien para përgjegjësisë të prindërve që shkojnë në Itali bashkë me fëmijët dhe kthehen … vetëm.
Gazetari i Qendrës për Gazetari Cilësore dhe '31 Minuta', Antonio Çakshiri ishte në Modena dhe Parma ku bisedoi me të miturit shqiptarë atje dhe drejtues të shërbimit social në këto qytete italiane dhe sjell në video historitë e tyre. Tashmë, sipas autoriteteve është thuajse e pamundur që t'ia dalësh për të përfituar dokumentet italiane përmes kësaj mënyre.
Të miturit shqiptarë në Modena, Itali
***
Edisoni është një djalë 17-vjeç dhe sot jeton në Parma. Sapo mbërriti në Itali ai u deklarua si një i mitur i pashoqëruar
“Në Itali kam ardhur me xhaxhin tim me avion në Bolonja para 1 viti kur isha 16-vjeç. Rrija në shtëpi me kushëririn, më mori ai përsipër që ishte tutori im, kujdestari im dhe pastaj ata filluan procedurat me letrat e mia dokumentet”, shprehet Edisoni.
Edisoni është një nga 1600 fëmijët shqiptarë që janë deklaruar të braktisur nga prindërit në Itali, gjatë tri viteve të fundit.
Një prind bën jo vetëm të pamundurën për t’i siguruar të ardhmen fëmijës së tij, por edhe të paimagjinueshmen … e braktis!
“Përgjithësisht kanë qënë fëmijë që kanë udhëtuar me dy prindërit, ose me një prind ose me gjyshen apo me një të afërm. Pra nuk ka pasur raste kur këta fëmijë janë trafikuar në rrugë të paligjshme nga individë apo organizata kriminale.” thotë Rovena Voda, Zv.Ministre e Brendshme, e cila kryeson një komision të posaçëm dypalësh për këtë çështje.
Shumica e fëmijëve vendosen në komunite. Në Modena ka një prani më të madhe të të miturve shqiptarë, atje ata janë të shpërndarë në katër komunitete.
“Sot kemi 40 fëmijë shqiptarë të mitur në zonën e Modenas. Ata shkojnë fillimisht prezantohen si të pashoqëruar në Kuesturë ose tek forcat e rendit dhe më pas përmes shërbimeve sociale dërgohen në Komunitete”, shprehet Giuliana Urbelli, drejtuesja e Shërbimit Social në Komunën e Modenas
Mendimi i parë është që fëmijët e braktisur vijnë nga familje në kushte të vështira social ekonomike, por të dhënat e autoriteve shqiptare dhe italiane thonë ndryshe…
“ Gjysma e minorenëve të pashoqëruar që ndodhen në Itali, nuk vijnë nga familje të varfëra. Shumica shkojnë andej me qëllimin po shkoj, po qëndroj andej me mendimin të marr një letër dhe të futem në një shkollë”, thotë Zv. Ministrja e Brendshme Rovena Voda.
Mijëra shqiptarë kanë zgjedhur Italinë pasi ky shtet përkujdeset për të miturin që nuk ka mbushur 18 vjeç qoftë ky italian apo i huaj.
Shqipëria mban vendin e parë sipas autoriteteve italiane, për braktisjen e të miturve. Më pas vijnë vende si Gambia, Siria, Afganistani, vende tejet të varfra, ose në luftë civile.
“Të themi të drejtën Shqipëria nuk është një vend ku ka vuajtje të madhe. Ata që vijnë ose kanë të afërm që më pas mbështeten tek ata ose janë të vetëm dhe duhet të jetojnë në komunitet derisa të bëhen 18 vjeç.”, Elisabetta Mora, Drejtuesja e Sektorit Social në Parma.
Për të miturit shteti Italian ofron strehim, shkollim dhe dokumente. Por, fëmijët përveç përkujdesjes humane janë të ekspozuar edhe para rreziqeve.
Në një vend të panjohur, fëmijët shqiptarë, rrezikojnë të bien pre e rrjeteve të trafikut apo grupeve kriminale.
Klajdi është 17 vjeç dhe sot jeton në Modena. Përballja e parë me realitetin në Itali ka qenë traumatike.
“Kur kam ardhur javën e parë kam qënë në dhomë, ishim të gjithë 5 veta. Kishte raca të tjera që pinin, bënin budallaqe e doje sdoje të binin në qafë. Edhe këto kanë qënë ditët e para që kam ardhur e doje që t’i shmangie, mos të bëheshe pre e sherrit. Normalisht kanë qënë momente të vështira e doje që t’i shmangie se nuk kishe ardhur për atë gjë.” shprehet Klajdi.
Autoritetet italiane janë të shqetësuar se të rinjtë mund të bien pre e grupeve mafioze.
“Situata sot në Itali nuk është e thjeshtë, këta djem përfshihen në vepra penale ndonjëherë dhe ata rrezikojnë largimin nga Italia. Gjithashtu ekziston edhe rreziku që këta të mitur të bien në duart e bandave kriminale pasi bëhen 18 vjeç”, thotë Giuliana Urbelli, drejtuesja e Shërbimit Social në Komunën e Modenas
“Ka pasur raste që të mitur shqiptarë e të tjerë pasi kanë mbushur 18- vjeç e kanë dalë nga komuniteti janë përfshirë në veprime ilegale dhe kriminale dhe janë arrestuar”. Elisabetta Mora, Drejtuesja e Sektorit Social në Parma.
Edhe për të rinjtë që ja dalin të integrohen, pas moshës 18 vjeç nis sfida e radhës…Shumë të pakta janë shanset për punësim, por edhe kur të afrohet punë ekziston sërish rreziku i mashtrimeve.
Arditi, një djalë tashmë 23 vjeç, shkoi në Itali vetëm kur ishte 15 vjeç. Ai braktisi shkollën në Shqipëri dhe jetoi për mbi 3 vite në Itali në kujdesin e shërbimit social në Itali. Pasi mbushi 18-vjeç ra pre e një rrjeti mashtrimi se do të punësohej në call center.
“Në Genova nisa të “punoj” për një call center për 3 muaj. Muajt kaluan dhe unë nuk u pagova kurrë. Pa asnjë lek për të përballuar jetesën u ktheva prapë në Shqipëri dhe tani ndjek Part time shkollën e mesme, ku jam në vitin e dytë”. tregon Arditi i cili është kthyer dhe jeton në Tiranë.
Shteti italian kujdeset për të miturit deri në moshën 18 vjeç, Më pas për të “braktisurit” shqiptar vjen “braktisja” e dytë.
“Pasi bëhesh 18 vjeç duhet të leshë Komunitetin (qendrën) dhe për ta marrë të duhet të kesh një punë e vendbanim por të themi të drejtën kohët e fundit, gjetja e një vendi pune është e vështirë për t’u gjetur edhe nga vetë italianët. Punë në Itali nuk ka”. Elisabetta Mora, Drejtuesja e Sektorit Social në Parma.
Alarmi për braktisjen masive të fëmijëve shqiptarë është dhënë në vitin 2017 nga autoritetet italiane, por fenomeni është më i hershëm.
Sokoli ishte 17-vjeç në 2006 kur mori rrugën ilegale drejt Italisë, duke kaluar një odise përmes 5 shteteve.
“Ka qenë tetor 2006, i thashë babit tim dhe ai e gjeti një që kishte lidhjet e veta për me shku këtejj dhe ashtu u bë. Atë ditë që u nisëm isha unë vetëm dhe nuk nihja asnjë tjetër nga grupi ku ishin 3 veta të tjerë. Më i madhi ishte sa unë 17-vjeç, një 15-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Ne kaluam Maqedoni, Kosovë, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe dolëm në Udine të Italisë. Pagova 2500 euro dhe na u desh 2 javë për të mbërritur, 2 javë me peripeci dhe rreziqe të pafundme”, tregon Sokoli nga Parma.
Pas liberalizimit të vizave në dhjetor të vitit 2010, mbërritja në Itali është më e lehtë, por dëshmitë e marra në Parma, dhe Modena tregojnë se vështirësitë dhe rreziqet janë të një natyre tjetër.
“Në një komunita në Ascoli Piceno, u arratisa se ishte keq, nuk dilej fare nga shtëpia, rrije gjithë ditën brenda. Dhomat ishin të mbyllura përherë edhe u arratisa pastaj erdha në Modena” , thotë Mariusi 17-vjeçar.
Enjo sapo ka mbushur 18-vjeç dhe jeton në Parma
“Sapo kisha mbushur 16-vjeç kur erdha, fillimisht më çuan për 1 muaj në një vend të mbyllur ku nuk më lejohej të dilja ndërsa për 2 vite isha në një apartament me 9 minorenë, nga Afrika, Siria dhe italianë”, tregon Enjo.
Sipas zyrtarëve italianë të miturit vijnë kryesisht nga Lushnja, Fieri, Elbasani, Tirana, Lezha, Vlora, Shkodra, Dibra dhe shkojnë në Lombardi, Firenze, Romë, Emilia Romagna dhe Milano. Ata besojnë se ekziston një network i këtyre të rinjve ku ata që vijnë më parë njoftojnë njoftojnë të tjerë të veprojnë njësoj.
Kur është hartuar ligji për kujdesin e të miturve, ligjvënësit italianë nuk kanë parashikuar situata të jashtëzakonshme.
Shifrat e larta të braktisjes së fëmijëve shqiptarë, gjatë tri viteve të fundit, bënë që Italia të ngrinte alarmin përmes ambasadës në Tiranë në Qershor 2017.
Qeveria shqiptare, mori masat e para për të adresuar fenomenin e braktisjes: kontroll më të rreptë në pikat kufitare dhe forcim të kritereve të deklaratave noteriale.
Prindërit e fëmijëve të braktisur tashmë rrezikojnë burg. Kodi Penal shqiptar e dënon braktisjen e fëmijës deri në 3 vite burg.
“Kohët e fundit kanë qenë 17 procedime të bëra në prokurori ndaj prindërve për braktisje të fëmijëve të mitur, në fakt proceset në prokurori kanë zgjatur. Ne presim tani në fund të këtij muaji rezultatet e para”, shprehet Rovena Voda.
Ndërkohë edhe në Itali ka nisur denoncimi i këtyre prindërve.
“Aktualisht Gjykata e Emilja Romagnas ka filluar procedurat për të denoncuar prindërit që mbështesin ose lejojnë largimin e fëmijëve të tyre të mitur drejt Italisë. Për këto familje po kryen procedurat e denoncimit në Gjykata me akuzën për braktisje të të miturëve dhe favorizim të emigracionit klandestin”, deklaron Elisabetta Mora, Drejtuesja e Sektorit Social në Parma.
“Forcat e rendit dhe Gjykatat në Modena po kryejnë verifikime dhe hetimet për të gjetur të afërmit dhe prindërit e këtyre të miturve dhe ndaj tyre do kryen procedime. Duket qartë se këta fëmijë nuk janë të braktisur nga prindërit por ky përdoret si motiv. Prindërit rrezikojnë të procedohen e dënohen nga Gjykatat italiane për braktisje të fëmijëve”, deklaron edhe Giuliana Urbelli, drejtuesja e Shërbimit Social në Komunën e Modenas
Prindërit shqiptarë deri më sot kanë shfrytëzuar një hapësirë në ligjin italian për të t’i dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre. Sot ata nuk rrezikojnë vetëm dënimin me burg, por edhe vetë të ardhmen e fëmijëve të tyre!
Bajgëri e gjallë katnarije...na mxorën bojën..
PërgjigjuI vetmi komb qe eshte ne gjendje te beje gjithcka vetem per letra. Te braktisesh femijen ne nje vend te huaj, vetem ne shqiptaret e bejme. Dhe pastaj nxehemi kur na diskriminojne.