Fenomeni/Para 2014 paguheshin 200-300 mijë euro për të hyrë në drejtësi, sot gjyqtarët bum kërkesash për të dalë në pension të parakohshëm

19 Mars 2020, 21:03| Përditesimi: 19 Mars 2020, 21:06

  • Share

Nëse deri në vitin 2014, sipas një raporti të ekspertëve që asistuan komisionin për reformën në drejtësi, paguheshin 200-300 mijë euro për t’u emëruar gjyqtar apo prokuror, gjatë dy viteve të fundit, po ndodh e kundërta, gjyqtarë dhe prokurorë po luftojnë për t’u larguar nga drejtësia. Ky është efekti që ka prodhuar zbatimi i ligjit të Vetingut në drejtësinë shqiptare. Ndërsa ende nuk janë përballuar me Vetingun as 30 % të magjistratëve, numri i dorëheqjeve sa vjen e shtohet. Motivet janë nga më të ndryshmet, duke nisur që nga dalja në pension të parakohshëm, angazhimi në sektorin privat dhe deri tek përkeqësimi i shëndetit. Ka gjyqtarë që kanë lënë drejtësinë për të punuar në spitale private, kisha, universitete etj. Sipas ligjit, magjistratët dalin në pension në moshën 67 vjeç. Por, në Këshillin e Lartë Gjyqësor janë paraqitur shumë kërkesa nga gjyqtarë për të dalë në pension pa mbushur këtë moshë. Kërkesat bazohen në ligjin për statusin e magjistratëve, i cili parashikon që magjistrati mund të aplikojë për të dalë në pension edhe para se të mbushë 75 vjeç. Ky fenomen është bërë objekt diskutimi në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku anëtarët kanë ndarë mendime të ndryshme.

Diskutimet në KLGJ për daljen e gjyqtarëve në pension të parakohshëm

-Brikena Ukperaj: Atëherë, marrë shkas të flas sepse qëndrimi që Këshilli do mbajë në këtë rast është shumë i rëndësishëm për të gjitha dorëheqjet që gjyqtarët, pa mbushur moshën 67 vjeç, do t’i paraqesin Këshillit me motivimin që duan të dalin në pension. Unë e kam thënë edhe herë tjetër që gjyqtari mund të japë dorëheqjen në çdo kohë dhe nuk është e nevojshme të njoftojë edhe shkakun dhe dorëheqja jep efektet në fund të muajit pasardhës nga deklarimi i saj, me përjashtim të këtij parashikimi, me kërkesë të  motivuar të gjyqtarit, mund të deklarohet edhe mbarimi i statusit para kësaj kohe. Në vlerësimin tim, kërkesa e gjyqtares që “unë heq dorë nga statusi se dua të dal në pension 65 vjeç”, nuk përbën kërkesë të motivuar për mbarim të statusit para afatit. Me mbarimin e statusit para afatit dhe nëse gjyqtari nuk e ka mbushur moshën 67 vjeç por është 66, ai mund të aplikojë, pastaj është e drejtë e tij për të aplikuar si çdo individ tjetër që ka arritur moshën e pensionit.

-Maksim Qoku: Për të shtuar vetëm diçka mbi atë çka tha Brikena. Sepse kemi një konfondim në aspektin e nenit 64, midis pikas /a/ “jep dorëheqjen” dhe pikës /c/ “mbush moshën e pensionit”. Tani ne, fakti që jemi në situatën që baza ligjore është në fuqi dhe mosha e magjistratit është 67 vjeç, atëherë jemi në kushtet e kërkimit të dorëheqjes, të pikës /a/ të nenit 64. Për pasojë, për efekt orientimi dhe relacioni këtu duhet, midis çmuarjes së faktit të ekzistencës së motivit si shkak të motivuar apo jo. Por jemi tek dorëheqja. Pra mos të përmendet më aspekti i pensionit që mos të konfondohemi më në aspektin e pikës /a/.

-Ilir Toska: Kam përshtypjen që Këshilli nuk mund të vendosë se kush del në pension pleqërie apo kush nuk del në pension pleqërie. Ligji ka përcaktuar moshën e mbarimit të statusit të magjistratit, që është 67 vjeç. Nëse një gjyqtar sipas ligjit bazë gëzon të drejtën e pensionit të pleqërisë, kjo është një e drejtë që ia ka njohur ligji. Përtej moshës 65 vjeç, ai përsëri gëzon të drejtën të qëndrojë në detyrë nëse nuk do që të dalë në pension pleqërie. E drejta e pensionit të pleqërisë është e drejtë kushtetuese. Nuk mund të pengojmë asnjë gjyqtar që të lërë punën në sistem dhe të zgjedhë të përfitojë nga e drejta e tij kushtetuese e pensionit të pleqërisë. Nuk e di me çfarë atributi Këshilli do t’i thotë që gjyqtari del në pension 67 vjeç. Në fakt ligji ka përcaktuar që statusi mbaron 67 vjeç. Të drejtat e tij për të ushtruar funksionin e gjyqtarit, mbarojnë në këtë moshë. Përtej saj, e pengon ligji.

-Brikena Ukperaj: Për të sqaruar edhe një herë atë që thashë. Sigurisht gjyqtari mund të zgjedhë të dalë në pension ose 65 ose 67, por po që gjyqtar, do dalë 67. Kur t’i mbarojë statusi si gjyqtar, mund të dalë edhe 65. Por kjo nuk mund të përbëjë shkak dhe nuk mund të quhet kërkesë e motivuar për t’ia trajtuar dorëheqjen para afatit. Këtë thashë.

-Ilir Toska: Ajo që unë po thosha është: e drejta e pensionit është e drejtë kushtetuese. Nëse kjo nuk është një motiv, unë nuk e di se çfarë motivi tjetër duhet të paraqesë një gjyqtar që të thotë që kam një të drejtë kushtetuese dhe dua të iki që sot nga sistemi.

-Brunilda Kadi: Edhe unë, se pak a shumë diskutimet e z. Toska dhe zonjës Ukperaj janë deri diku të përbashkëta. Diskutimi me sa kuptoj unë, i zonjës Ukperaj, është që, a është një motiv e drejta, se, që të gjithë biem dakord që ka të drejtë të dalë në pension më përpara dhe këtë s’e pengon dot. Mosha 67 është kufiri maksimal, që edhe po të dojë të vazhdojë, ti si Këshill ia deklaron mbarimin e statusit. Për shkak të moshës. Ndërkohë, ka të drejtë ta ushtrojë. Problemi është që ajo tek kërkesa thotë që unë me ndërgjegje deklaroj që s’vazhdoj dot më të gjykoj. Pra për mua tani diskutimi është: -A është ky një motiv sipas 65, pikës 3, kur vet gjyqtari deklaron që unë jam tani në një pikë që s’vazhdoj dot më të gjykoj dhe po largohem edhe për këtë arsye. Unë mendoj që ky është një motiv, është një deklarim i saj, është subjektive, dhe unë nuk e di a ka Këshilli diskrecion të diskutojë këtë pjesë, kur vet magjistrati deklaron që unë nuk gjykoj dot më dhe e dua tani dorëheqjen, dhe motivi është që kam arritur atë moshë që nuk gjykoj dot më. Mendoj që, domethënë po e deklaroj votën time, jam pro pranimit të dorëheqjes sipas nenit 65, pika 3.

-Brikena Ukperaj: Në vlerësimin tim, qenia magjistrat ka të drejta dhe ka detyrime dhe gjyqtari s’mund të thotë që unë nuk dua të, nuk përbën kërkesë të motivuar sepse kjo ka të bëjë me interesin publik, me cenimin e funksionalitetit të gjykatës dhe pastaj duhen kanalizuar në kanale të tjera. Unë nuk them që gjyqtarja nuk ka të drejtë të japë dorëheqjen, por nuk është dorëheqje me efekt të menjëhershëm. Është dorëheqje në fund të muajit pasardhës.

-Maksim Qoku: Ne po debatojmë për motivin. Nuk na duket motiv sepse ne e dimë shumë mirë, kemi qenë në pjesën e grupit të ndryshimit të ligjeve për punën e moshës dhe në aspektin relatues të kësaj, nga ligjvënësi është marrë parasysh pasja e moshës, dhe kjo moshë lidhet me gjyqin e shkakut. Pastaj, për të tjerat ne, paradoksalisht për një muaj po zihemi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?