Ekonomi

Fermerët 2 vite pa fondet e IPARD, KE ‘zbarkon’ në Shqipëri për monitorim, ‘rikthehet’ në vjeshtë për vendimin mbi bllokimin e fondit

19 Qershor, 19:59| Përditesimi: 19 Qershor, 20:38

  • Share

Delegacioni i Komisionit Evropian dhe strukturat e IPARD, janë rikthyer në Shqipëri për të analizuar raportet e monitorimit të fondeve që BE, jep për sektorin e bujqësisë në vend. Që prej korrikut të vitit 2023 Komisioni Evropian e ka ndërprerë mbështetjen që i jep Shqipërisë përmes programit IPARD, për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të konstatuara në IPARD II.

Delegacioni i BE është njohur me raportin përfundimtar të IPARD II si dhe me raportin vjetor për vitin 2024. Po kështu institucionet shqiptare i kanë njohur me masat e marra për menaxhimin dhe për monitorimin e fondeve të IPARD.

Ministria e Bujqësisë njofton se është zhvilluar Takimi i II-të i Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III 2021–2027, dhe se diskutime ka pasur edhe për masat e reja të IPARD III, por pa specifikuar se kur do të rihapen fondet e BE-së për fermerët shqiptarë. Diskutime gjatë këtij komiteti ka pasur edhe për sistemet e monitorimit të fondeve që BE jep për bujqësinë.

Po kështu Report TV mëson se në vjeshtën e po këtij viti përfaqësues të BE, IPARD, e KE, do të rikthehen në Tiranë për auditimin e masave që ka marrë Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR, për të mbrojtur fondet e BE dhe për përdorimin e tyre me transparencë. Aktualisht pranë AZHBR-së është ngritur një sistem që parandalon parregullsitë pasi bën një verifikim në kohë reale të aplikimeve të bëra.

Ministria e Bujqësisë pret që drita jeshile për IPARD III të jepet në vitin 2026, duke u dhënë kështu mundësinë fermerëve të përfitojnë në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim. Ndërkohë është mbyllur lëvrimi i fondeve për fermerët përfitues nga IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 me 94 milionë euro në total.

Komisioni Evropian pezulloi fondet për Shqipërinë pasi OLAF (Zyra Europiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.

Aplikuesve u kërkohej që një pjesë e madhe e grantit si pagesë për një kompani konsulence lokale, nuk kishte konkurrencë për kontratat dhe çmimet ishin të fryra e në shkelje të rregullave kontraktuale. Këto ishin disa nga parregullsitë që gjeti OLAF në hetimet që bëri në Shqipëri.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?