Fermerët e Divjakës këtë sezon kanë nxjerr në treg qepët e thata por çmimi i tyre me shumicë, është i lirë. Ata ankohen se nuk arrijnë të mbulojnë as koston e prodhimit, ndërsa në Tiranë konsumatorët i blejnë qepët me 80 lek/kg, pra trefishin e çmimit që shitet me shumicë në Divjakë.
Në tregun e shumicës së Divjakës i vetmi produkt është qepa e thatë, ku furnizohen jo vetëm tregtarët e Tiranës por pothuajse gjithë vendi.
Rënia e menjëhershme e çmimit penalizon prodhuesit. Aktualisht një kg qepe shitet me shumicë 23 deri 25 lek për kg. Fermerët ankohen se nuk mbulojnë dot as koston e prodhimit.
"Me 23 lek/kg ndërsa kostoja i kalon 40 lek/kg. Punëtori kërkon 2000 lek në ditë, ndërsa ne e shesim qepen me 23 lek/kg. Fitimi është zero!", tha një fermerë.
" Të paktën qepa të shitej 40 lek që ne të na mbetej 15 lek fitim. Kostoja për prodhimin më shkon 80 mijë lek për dynym", u shpreh një tjetër fermer i Divjakës.
Ata thonë se magazinat frigoriferike të ndërtuara me grante të Ministrisë se Bujqësisë funksionojnë vetëm per grumbullimin e domates e trangullit dhe nuk tërheqin asnjë produkt tjetër.
"Janë hapur gjithë këto pika, dhe mua s'ma merr qepën. Atëherë pse i kanë marrë gjithë ato lek? Kanë marrë miliona nga shteti këto?!", tha një fermer.
"Unë s'duhet të isha këtu (në treg) duhet të isha në fushë. Por këta (grumbulluesit) nuk e marrin mallin dhe rrimë këtu duke pritur tregtarët që e blejnë me çmim të lirë. Sezonin tjetër s'mbjellim dot më se nuk kemi fitime, se s'ka lek", shprehet një tjetër.
Por teksa fermerët ankohen se po shesin nën kosto, në tregjet e pakicës në Tiranë rezulton se konsumatorët e blejnë qepën me 80 lek për kg, ose ndryshe trefishin e çmimit të shumicës.