Fermeri nga Hasi Muharrem Xhebexhia ka ngritur një fermë me 200 krerë dele dhe 15 krerë lopë, por mezi siguron ushqimin blegtoral. Për të mbjelle tokat me foraxhere i mungojne mjetet bujqesore, ndaj kerkon mbështetje nga Qeveria.
“Nuk kemi përfituar asnjëherë nga subvencionet për mjetet bujqësore. Ndoshta me kalimin e kohës mund të bëhet diçka.Presim. Mekanika bujqësore duhet për me punu token, me mbjellë foragjere për bagëtitë”, tha ai.
Të njëjtin shqetësim shprehu dhe fermeri Muharrem Hajdari gjatë një takimi në Kukës me zëvendësministrin e Bujqësisë, Dhimitër Kote. Ai kërkon nje autokombanjë për shirjen e fasuleve.
“Duhet të ketë kredi të buta nga shteti për mjetet bujqësore. Se unë po të marrë një kredi në bankë atë prodhim që do ta bëj do ta shes për të larë kredinë dhe në mot nuk do të jem në gjendje për të punuar tokën. Kështu që duhet të ketë kredi shteti. Unë disponoj kam 2 hektarë tokë me fasule. Unë dua autokombajnë shirëse që ka në Turqi apo vende të tjera të botës por nuk e blej dot”, u shpreh ai.
Ndonëse kanë përfituar subvencione për naftën, mbashërimin e bagëtive dhe bletëve fermerët thonë se ata nuk u mjaftojnë pasi shuma është e ulët.
“Subvencionet janë të pa mjaftueshme për sa na jepen. Kjo është arsyeja se ka rënë numri i krerëve. Kanë qenë 3500 krerë në zonën tone, tani pothuajse ka rënë në 800 apo 100 krerë bagëti. Unë marr 12 mijë lekë (të vjetra) për kokë. Cfarë me bo me këto para? Janë shumë të pak!”, tha Xhebaxhia.
“Unë marr naftën por më mbulon vetëm 5 për qind të shpenzimeve. Unë kam 2 hektarë tokë të mbjellë me fasule, por 2 hektarë që e kam me çertifikatë pronësie nevojiten një shumë e madhe lekësh për të bërë punimet, ndërsa unë marr 150 litra naftë”, tha Hajdari.
Gjatë prezantimit të Skemës Kombëtare të Investimeve në Ferma dhe Akuakulturë, zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote përsëriti kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar subvencione për mekaniken bujqësore.
“Qeveria shqiptare jep mbështetje deri në 50 milonë lekë (të vjetra) për të marrë një mjet të ri me të gjitha agregatet, ku 50% e vlerës pa TVSH e jep mbështetje Qeveria dhe 50 për qind vetë fermeri. Ndërsa për ndërtimin e stabilimenteve apo stallave për blegtorinë, Qeveria jep mbështetje gjysmën e investimit. Pra në 15 milionë lekë që kushton stalla, Qeveria jep grant gjysmën e vlerës. Por duhet të keni disa kushte: Mbi 10 lopë, mbi 100 dele ose dhi. Mbi 10 dosa ose mbi 10 mijë krerë shpendë. Duhet t’i keni të martikuluara, të çertifikuara dhe të futur në sistemin Ruda të gjësë së gjallë”.
Në Qarkun e Kukësit janë të regjistruar me NIPT, 700 fermerë, të cilët kanë mundësi të aplikojnë deri më 8 Nëntor për të përftuar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Ferma dhe Akuakulturë.