Është mbyllur me skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi për vitin 2025. Aplikimet, të cilat nisën më 14 prill dhe përfunduan më 30 maj, janë zhvilluar online përmes platformës shtetërore e-Albania.
Në një intervistë për Report Tv, drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, ka deklaruar se interesi i fermerëve mbetet i lartë dhe se janë regjistruar 69.719 aplikime në total.
‘Aplikimet këtë vit kanë qenë të hapura për më shumë se një muaj, nga 14 prilli deri më 30 maj, dhe janë bërë vetëm nëpërmjet platformës e-Albania me NIPT-in e fermerit.’ -u shpreh Kuçi.
Duke folur për trendin e aplikimeve, Kuçi theksoi se shifrat janë në përputhje me një vit më parë, duke treguar një stabilitet dhe rritje të ndërgjegjësimit te fermerët.
‘Kemi një trend të qëndrueshëm. Edhe vitin e kaluar kemi pasur rreth 71 mijë aplikime. Kjo tregon se fermerët janë tashmë të mësuar me mënyrën e aplikimit dhe e përdorin me lehtësi sistemin online.’- deklaroi ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se përveç numrit të lartë të aplikimeve, këtë vit ka pasur edhe NIPT-e të reja dhe fermerë të rinj, që i janë bashkuar për herë të parë skemës mbështetëse.
‘Po shohim që çdo vit ka rritje të interesit. Kanë aplikuar shumë fermerë të rinj, që nuk kanë qenë pjesë e skemës më parë. Kjo është shumë pozitive për ne.’- vijoi Kuçi.
Ashtu si në vitet e shkuara, masa më e kërkuar ka qenë ajo për mbështetjen me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi. Kuçi bëri të ditur se rreth 53 mijë aplikime janë regjistruar vetëm për këtë masë.
‘Mbështetja me naftë është padyshim më e kërkuara. Fermerët e shohin këtë si një ndihmë të madhe në uljen e kostove të prodhimit, veçanërisht në kohën kur kostoja e inputeve bujqësore është e lartë.’-u shpreh drejtoresha e AZHBR-së.
Sipas saj, kjo masë ka rezultuar më efektivja në ndihmë të fermerëve, dhe për këtë arsye ruan pozicionin e saj si më e aplikueshmja ndër të gjitha masat e skemës kombëtare.
"Është e qartë që lehtësimi i shpenzimeve për mekanizimin është prioritet për fermerët tanë. E kemi parë dhe e shohim çdo vit që kjo është mbështetja që kërkohet më shumë"- tha Kuçi.
Në vijim pritet të nisë faza e verifikimit të dokumentacionit dhe përzgjedhja e përfituesve, ndërsa AZHBR do të publikojë rezultatet sipas afateve zyrtare.
Komente
