Jo të gjithë fermerët e Fierit po aplikojnë për skemën e grurit për të marrë si mbështetjen 30 mijë lekë për çdo hektar që kultivojnë dhe shkaku është problemi i mbartur i tokave.
Shumë prej tyre nuk disponojnë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi apo certifikatë pronësie, për tokën e ndarë me ligjin e 7501. Për këtë arsye, përveçse janë në konflikt me njëri-tjetrin, ata nuk përfitojnë nga skema edhe pse kultivojnë grurë.
“Ne që jemi kooperativë nuk kemi dokumente por vetëm një formular A6, që nuk njihet, po kështu është gjithë zona. Ne jemi dhe në konflikt dhe nuk është ndarë toka akoma. Shteti sa herë vjen për fushata elektorale e ndan tokën, dhe kur mbaron fushata nuk e ndan tokën. Ne jemi fshatarë pa toka”, thotë një fermer.
“Nuk aplikojmë dot se nuk kemi dokument, dhe formulari A6 nuk njihet fare, AMPT nuk kemi. As naftën nuk e marrim dot se nuk kemi dokumentit, ne kemi vite që mbjellim dhe nuk përfitojmë dot”, thotë një tjetër fermer.
Por Shqiponja Musaraj, drejtuese e njësisë së aplikimit pranë drejtorisë bujqësisë Fier thotë se ka pasur interes për skemën. Ajo sqaron se në fazën e parë fermerët vetëm aplikojnë dhe pas datës 23 shtator duhet të plotësojnë dokumentet.
“Me datën 23 mbyllet skema dhe 5 ditë pas aplikimeve afishohen listat dhe brenda kësaj periudhe fermeri ka të drejtë të dorëzojë dokumentet e aplikimit, AMTP, Certifikatë pronësie apo kontratat e qirasë për të cilat ai ka deklaruar sipërfaqen e mbjellë. Është i njëjti dokumentacion si tek skema e naftës dhe fermeri e ka dhe më të qartë procedurën, sepse formati është i njëjtë”, pohon Musaraj.
Afati për të përfituar nga skema është nga 1 deri më 23 shtator dhe të gjithë fermerët që kultivojnë grurë mund të aplikojnë për të përfituar subvencionimin prej 30 mijë lekësh, që mbulon koston e farërave dhe të plehrave.
robt ku ti kete qeveria qe nuk ju jep tapite.......
PërgjigjuRobt ku ti kesh Lomi.