Prej më shumë se dy vitesh në kolektorin kryesor i cili furnizon kanalet vaditëse të serave në Kutalli tëë bashkinë e Dimalit, uji është i ndotur me përmbajtje të lartë acidesh. Fermerët e kanë ngritur disa herë këtë shqetësim në institucionet vendore, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Nisur nga fakti se uji ndotet në sezonin vjeshte-dimër, ata dyshojnë se janë fabrikat përpunimit të ullirit që derdhin mbetjet në kolektor.
“Ata thonë se i kanë bërë me gropa mbetjet e fabrikës, por ju shiheni vetë ndotjen këtu! Kjo serë që kam unë është vjelë në nëntor, tani është problemi se do të nis mbjelljen e fidanëve të rinj”.
Gazetarja: Me ca do i ujisni?
“Ja me këtë ujë…”, - tha fermeri Ben Vrapi.
Ndotja ujit dëmton perimet në sera, ndaj kërkojnë të ndëshkohen fabrikat. Report TV iu drejtua zyrtarisht Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Berat, e cila na vuri në dispozicion një akt-kontrolli të datës 9 dhjetor 2022. Në këtë dokument thuhet se grupi i punës nuk ka konstatuar shkelje në 6 fabrikat e Bashkisë Dimal”.
“Nga verifikimi i kryer u konstatua se subjektet kryenin trajtimin fizik të ujërave teknologjik nëpërmjet gropave të dekantimit si dhe depozitimin e bërsive te ullirit ne plate betoni. Si pasoje e reshjeve u konstatua se disa prej gropave ishin ne kufijte maksimal. Subjektet u këshilluan te kryejnë pastrimin e gropave te dekantimit dhe te minimizojnë shkarkimet e ujerave te ndotur”.
Agjencia e Mjedisit përjashton fabrikat e vajit të ullirit por nuk është në gjendje të japë një përgjigje për shkaktarët e ndotjes së ujit vaditës.
“Po punojnë për ta zbuluar nga vjen ndotja, pasi është një zonë ish-kënetore”, thanë zyrtarët e kësaj agjencie.