Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, për shkak të punësimit të madh të banorëve. Por gjithashtu është një nga sektorët që ka problematika të shumta, pasi fermerët shpesh herë iu ngelin produktet stok për shkak të mungesës së tregut.
Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku, i ftuar në Report TV, në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’, të moderuar nga Nertil Agalliu, ka deklaruar se problematika kryesore në sektorin e Bujqësisë është orientimi i fermerëve.
Pilku tha se dy problematikat e orientimit të fermerëve lidhen me institucionet shtetërore dhe pikat e grumbullimit.
“Problematika është tek orientimi i fermerëve dhe lidhet në dy drejtime. E para është lidhet me institucionet shtetërore, si Ministria e Bujqësisë, drejtoritë e bujqësisë, INSTAT, të cilat duhet të informojnë fermerët për sasinë e tërhequr një vit më përpara. Pra këto statistika i ka ministria e Bujqësisë. E dyta është që ajo që na mungon, pikat e grumbullimit. Pavarësisht se qendrat e grumbullimit janë ato lokomotivat që çojnë përpara, ato nuk luajnë asnjë rol të rëndësishëm për të informuar fermerët mbi sasinë e kërkuar.
Trendi i Bujqësisë lëviz çdo vit. BE bën vetë statistika për çdo sektor. Ata i përcaktojnë deri në vitin 2035 sesi është trendi i menaxhimit dhe ky tren të jep mundësinë e planifikimit të produktit që do të prodhosh. Kjo është gjë e mirë, pasi fermerët janë si ajo anija me vela në mes të oqeanit. Nëse nuk e kanë këtë ndihmese nga institucionet”, tha ai.
Ndërsa Eduart Sharka, ish-kryetar i Shoqatës së Fermerëve, tha në Report Tv, se pikat e grumbullimit nuk kanë kapacitetin e studimit të tregut. Sipas tij, duhet krijuar një agjenci pranë Ministrisë së Bujqësisë, për të studiuar tregun.
“Mos orientimi është pika e parë. Pikat e grumbullimit nuk kanë kapacitetin e studimit të tregut. Ndërsa qeveria ka të dhënat e tregut, jo të saktë por me statistika të përafërta. Grumbulluesit si kanë këto statistika, nëse do ti kishin, ato do të lidhnin kontrata me kompanitë ndërkombëtare dhe do të orientonin fermerët. Mirëpo kjo punë është si rreth vicioz, pasi grumbulluesit nuk janë informuar se çfarë kanë mbjellë fermerët dhe nuk kanë statistikat dhe nuk kanë asnjë lidhje me to.
Ne kemi kërkuar një agjenci pranë ministrisë së Bujqësisë, sepse ky sektor ka një rëndësi të veçantë se çfarë jep në ekonominë shqiptare, pasi punëson një pjesë të mirë të personave. Plus që ka një shtrirje më të madhe për shkak të tradicionalitetit dhe kjo agjenci bënte një studim makro, se për çfarë ka nevojë tregu”, deklaroi Sharka në Report Tv.
Komente
