Në sallën e Teatrit “Zihni Sako” u shfaq pjesa teatrale italo-shqiptare “Duaje babanë” shkruar dhe vënë në skenë nga dy regjizorë italianë David Marzi dhe Tereza Cecere.
Për herë të parë janë ngjitur në skenë pesë aktorë, dy italianë dhe tre shqiptarë; Serena Osma, Aleksandër Kondi dhe Lejda Çeli, Ginevra Ciuni dhe Maria Barnaba. Përgjatë një ore publiku vendas ka përjetuar emocione të forta nën interpretimin brilant të aktorëve shqiptarë e italianë që komunikonin secili në gjuhën e vet.
Publiku vendas ka duatrokitur lojën aktoriale të debutuesve në skenë ndërkohë që nuk kanë munguar edhe vlerësimet nga ana e përfaqësuesve italianë në Shqipëri.
Achile Provenzano, konsulli i përgjithshëm i Italisë në Vlorë, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, përfshi artin dhe kulturën, si dhe miqësinë historike.
“Jemi të nderuar që jemi përsëri këtu në Gjirokastër, e cila na pret në mënyrë të shkëlqyer. Gjatë javës së kulturës italiane duam të përcjellim mesazhin e kulturës tonë, së bashku me atë shqiptare”, u shpreh konsulli.
Ndërsa regjisori Milto Kutali shprehet se kjo shfaqje sjell një model të ri bashkëpunimi mes Puljas dhe Gjirokastrës.
“Vjen përsëri një performancë e mrekullueshme e këtyre artistëve shqiptarë dhe italianë. Shprehje e bashkëpunimit të dy organizmave shumë të rëndësishëm, teatri puljez dhe bashkia Gjirokastër”.
Po në kuadër të Javës Italiane të Kulturës, në kinemanë e qytetit u shfaq filmi “MIA”, kushtuar veprës dhe aktivitetit artistik të një prej këngëtareve më të shquara të muzikës moderne italiane Mia Martini.
Komente
