Vjelja e mjaltit në Librazhd u mbyll me festë që mblodhi me qindra fermerë e qytetarë.
Shoqëruar me valle e muzikë popullore, fermerët ekspozuan produktet e tyre të mjaltit dhe jo vetëm në një panair.
Me një traditë të vjetër në mbarështimin e bletëve, fermerët shprehen se ky vit nuk ka pasur prodhim të mirë. Shkak është bërë koha jo e mirë.
“Kemi goxha vite, qëkur kanë filluar panairet. Kam 20 vjet që merrem me mjaltë dhe kam gjetur veten time. Kam gjetur veten time sepse janë anti-stres. Këtë vit ka qen shumë thatësirë dhe nuk ka pasur shumë prodhim. Unë nuk kam dal asnjëherë në treg, vjen tregut tek unë”, tha një fermerë.
“Unë kam 40 vjet. E kemi trashëguar. I kemi shtuar. Edhe prodhimin e kemi të mirë. Nxjerrim dhe mjaltë me cilësi të mirë. Nuk ka treg. Një kavanoz ka një kg mjaltë. Shpenzimet edhe dalin, por ka rënë. Ishte dhe koha e vështirë. Vijnë marrin vetë tek shtëpia”, u shpreh një tjetër.
“Që në 86 kam bletë. Deri në 90’ mbaja sa për vete. Kishte kullota më të mëdhaja, kishte mbjella, lule, kurse tani çfarë mbledhim vetë. Mjalti është cilësor por më pak se më para. Një vazo mjaltë 1700 lekë. Treg nuk ka. Duhet treg i posaçëm”, u shpreh një tjetër.
Në panair u shpalosën edhe prodhime të tjera artizanale, si druri, qilima, veshje popullore dhe jo vetëm.
“Sot është dita e festës së mjaltit, ku të gjithë njerëzit festojnë. Në qytet ka zbritur e gjithë natyra e Librazhdit. Kryesisht është mjalti. Mbizotëron mjalti shumë lulesh. Kemi dhe shumë produkte të tjera. Kemi bulmetra, nënprodukte të rrushit. Mbi të gjitha shpaloset dhe artizanati, ku kemi prodhime druri, qilimat, veshjet popullore”, tha një tjetër.