Sociale

Festa e Pashkëve, Imzot Arjan Dodaj: Ashtu si Krishti edhe ne të ringjallim shpresën për një të ardhme me plot jetë e harmoni mes nesh (VIDEO)

19 Prill, 12:30| Përditesimi: 19 Prill, 14:37

  • Share

Besimtarët katolikë dhe ortodoksë do të festojnë nesër Pashkët. Këtë vit, Pashkët katolike përkojnë me ato ortodokse. Në vigjilje të kësaj feste të bekuar nuk kanë munguar as urimet nga figura të njohura të institucioneve fetare.

Kështu Imzot Arjan Dodaj ka ndarë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët. Ai shprehet se ashtu siç Krishti u ringjall edhe njerëzit duhet të ringjallin shpresën për një të ardhme sa më të mirë dhe në paqe.

“Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve perëndimore dhe mos t’i pranojmë me sipërfaqësi. Mesazhi dhe angazhimi i parë jo vetëm i fesë, por i gjithë institucioneve duhet të jetë pro institucionit të hershëm që është: institucioni Hyjnor, i jetës dhe i familjes.

Zoti e krijoi njeriun burrë e grua. I bekoi dhe i tha: shtohuni dhe shumohuni, mbusheni tokën dhe sundojeni atë. Urimi i kësaj feste është që kombi shqiptarë të vijojë në trashëgiminë e këtij bekimi hyjnor për familjen dhe rininë shqiptare. Sikurse ndër shekuj pavarësisht padrejtësive që kemi përjetuar kanë ditur të na e përcjellin të bukur e të pastër breznitë të hershme.

Të bëhemi bashkë për të kultivuar punën e ndershme që është fryti i njeriut që nuk e ka më të varrosur ndërgjegjen, përkundrazi nuk ka kurrë frikë ta dëgjojë atë.

Të bëjmë në mënyrë që Shqipëria të jetë e të gjithëve me pasuritë e saj të larmishme natyrore, shpirtërore, kulturore, artistike etj. Sepse në këto vite jo rrallë herë për përfitimin e një pakice kemi humbur thesare që nuk kthehen më.

Krishti është ringjallur, të ringjallim edhe ne shpresën për një  të ardhme më me plot jetë entuzuiazëm, paqe dhe harmoni mes nesh. Gëzuar për shumë mot Pashkët”, u shpreh Izmot Arjan Dodaj.

Po ashtu urimet nuk munguan as nga Dom Gjergj Meta, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit dhe njëherësh President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Monsignor Simon Kulli ipeshkëv i dioqezës së Sapës.

Një ditë më parë mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë vendin përkujtuan të Premten e Madhe, një nga ditët më të shenjta të kalendarit të krishterë, që paraprin Pashkët.

Kështu në Tiranë, katolikët u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”, ku kremtuan Udhën e Kryqit, një rit që përjeton vuajtjet dhe rrugën e Krishtit drejt kryqëzimit. Ndërsa ortodoksët nisën në orët e pasdites procesionin tradicional të Epitafit, duke mbushur sheshet dhe rrugët kryesore me qirinj të ndezur dhe lutje.

Ora 12:08
Dom Gjergj Meta: Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë

Dom Gjergj Meta, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit dhe njëherësh President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë në mesazhin e tij për Pashkë e vendosi theksin tek solidariteti. ‘Me angazhimin tonë duhet të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale’, thotë ai teksa uron besimtarët katolikë, ortodoksë e ungjillorë, që festojnë Pashkët bashkë në të njëjtën ditë.

 DOM GJERGJ META

Si çdo herë, për shkak të angazhimit dhe të qenit Ipeshkëv në një Dioqezë që përfshin një territor të varfër e të shpopulluar, veçanërisht në këto ditë përgatitjeje për Pashkët, kam hasur në situata varfërie e mjerimi ekonomik dhe njerëzor, që shpesh u ikin reflektorëve të mediave, madje edhe vetë kujdesit tonë fetar, duke qenë se ndodh shpesh që ne të kujdesemi më shumë për pompozitetin e kremtimeve tona, sesa për jetën e njerëzve.

Nuk e fsheh se jo rrallëherë më kap njëfarë trishtimi dhe fjalët e mia, të cilat mëtojnë të sjellin fjalën e Zotit, i shoh të pafuqishme përballë shumë situatave dhembjeje e vuajtjeje që nganjëherë e tejkalojnë imagjinatën tonë.

E pyes veten se ç’fjalë mund të them gjatë këtyre ditëve? A thua kanë vlerë fjalët e mia përballë dhembjes dhe vuajtjes së shumë njerëzve, qofshin këto fizike, shpirtërore apo edhe morale?

Ndërkohë që çdokush në bashkësitë tona mundohet të kapë një audiencë sa më të madhe në rrjetet sociale, për të “reklamuar” gjërat e shenjta, në shumë familje nëpër fshatra, por edhe nëpër zona urbane, konsumohen situata të kalcifikuara dhembjeje dhe vuajtjeje.

Jam i sigurt se Zoti më shumë se kudo, është aty, shpesh i heshtur e do të thoja i pafuqishëm për të ndryshuar diçka jashtë jetës së këtyre personave, për faktin e thjeshtë se këtë mision Ai na e ka lënë neve. Ai ndryshon zemrat tona dhe ne mundemi e duhet të ndryshojmë realitetin tonë.

 

Prandaj, të bësh një urim për Pashkët është një përgjegjësi e madhe, pasi rrezikojmë të biem në klishe-të e zakonshme, në fjalët që përdoren për çdo herë, por që gjithnjë e më shumë e largojnë festën nga jeta e shumë njerëzve. Nëse Krishti, me vdekjen e tij, e mundi vdekjen, sikurse thotë një himn i vjetër i Pashkës që këndohet në këto ditë, na ka lënë ne, që me angazhimin tonë, të bëhemi Pashkë për të tjerët, sidomos për ata që janë në vargonjtë e padrejtësisë, të dhunës, të luftës e të situatave të rënduara ekzistenciale.

Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë. Por që të bëhesh Pashkë, duhet të bëhesh më parë Kryq, të zbresësh në varr e prej aty të kumtosh lajmin e mirë të jetës që shpërthen nga nata e Pashkës. Vetëm kështu, duke zbritur në varret e hapura të shumë situatave shoqërore dhe shpirtërore, mund të bëhesh lajmëtar i ditës së re.

Këtë vit, Pashkët kanë qëlluar në të njëjtën ditë për të gjithë të krishterët: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Është një rast i bukur që të kremtojmë dhe të gëzohemi të gjithë një zemre, edhe pse secili në bashkësitë e veta.

Le të jemi ne së pari Pashkë në jetën tonë e kështu të kumtojmë ditën pa mbarim të fitores së Krishtit mbi vdekjen. Sigurisht që e gjithë kjo do të ndodhë në liturgjitë dhe shërbesat që do të bëjmë nëpër kishat tona, por këtë duhet ta bërtasim me të madhe nëpër rrugët dhe në situatat e njerëzve të çdo dite, në veçanti të atyre, që për një arsye a një tjetër, gjenden në kryq, janë në varret e vuajtjes dhe të mjerimit për shkak të luftës, ndasive, inatit dhe zemërimit. Vetëm kështu do të kemi kremtuar me të vërtetë Pashkë.

Po ju uroj të gjithëve, katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë, me përshëndetjen e të krishterëve: Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall!

 

Ora 11:12
Në vigjilje të Pashkëve, Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës: Krishti ju dhuroftë gjithmonë paqe dhe iu mbushtë zemrat me gëzime dhe bekime

Në vigjilje të Pashkëve Monsignor Simon Kulli ipeshkëv i dioqezës së Sapës, ka uruar të gjithë besimtarët Pashkë të gëzuara dhe të bekuara.

Përmes një video-mesazhi ai, shprehet se në këtë botë në jemi thirrur për të dëshmuar jetën e cila rrezaton me zemërgjerësi dhe dashuri pa interes.

"Të dashur besimtarë të i dioqezës së Sapës, të dashur emigrantë kudo që ndodheni në mbarë botën. Me rastin e festës së madhe së Pashkëve dua të uroj paqen e Krishtit secilin prej jush. Ngallja e Krishtit është ngjarje thelbësore e Krishtërimit. Ngjallja nuk vjen pas kryqit, ajo gjendet aty brenda në Kryq - kur pranojmë atë lirisht si Jezu Krishti nga dashuria për Hyjin dhe të afërmit tonë.

Me ngjalljen e Krishtit drejtësia dhe dashuria e Hyjit morën shprehjen e tyre më triumfale duke shfuqizuar pushtetin e urrejtjes, të keqes dhe vdekjes. Rruga e Pashkëve është rruga e vuajtjes e mundimeve dhe lotëve-por lotëve që kthehen në lot gëzimi. Porosia e gëzueshme e Ungjillit të Pashkëve ia rikthen njeriut identitetin dhe ia jep kuptimin e ekzistencës së tij dhe e përmbush me jetë. Ne jemi thirrur ta dëshmojmë Krishtin e munduar, Kryqëzuar dhe të ngjallur për dobitë tona, për të mirën e vërtetë dhe të përjetshmen e të gjithë njerëzve. Jemi të thirrur për të dëshmuar jetën e cila rrezaton me zemërgjerësi dhe dashuri pa interes.

Jezu Krishti është modeli i jetës dhe veprimtarisë sonë. Le të bëhemi dëshmitar të gjallë të tij plot me vuajtje. Ai e mundi vdekjen dhe të keqen njëherë e përgjithmonë. Krishti i ngjallur ju dhuroftë gjithmonë paqe dhe iu mbushtë zemrat me gëzime dhe bekime. Për shumë vjet Pashkët e gëzuar dhe Zoti ju bekoftë", shprehet Monsignor Simon Kulli.

Xh.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?