*Fjala e ambasadorit italian, Marco Alberti në ceremoninë e rastin e Festës së Republikës
Zoti President i Republikës, Shkëlqesia Juaj Bajram Begaj; kolegë diplomatë, të Ambasadës dhe të Institucioneve të tjera italiane; të nderuar të ftuar; të dashur bashkatdhetarë. Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu. Një falënderim të veçantë për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko, për mikpritjen, dhe për skuadrën e kolegëve që punoi për organizimin e kësaj Feste.
Himni italian është shkruar nga Goffredo Mameli, një djalë i ri i cili dha jetën për lirinë e Italisë. E njëjta dëshirë për liri që ka karakterizuar edhe popullin shqiptar. Kjo ndjenjë lirie na bashkon. Himni ynë nis me fjalën “Vëllezër”. Një fjalë që shpreh lidhje gjaku, që dëshmon për fatin e përbashkët të njerëzve e popujve e që nxjerr në pah jo vetëm vlerat njerëzore por edhe ato skematike.
Kremtojmë sot përvjetorin e Republikës italiane. Është nder për mua të jem në Shqipëri; nder për mua të ndodhem në këtë ndërtesë, të ndërtuar nga italianë; nder për mua të përkujtoj 100 vitet e Bankës së Shqipërisë themeluar, në vitin 1925, nga një bankier italian.
E ardhmja. Pikërisht mbi këtë fjalë duam të ndërtojmë dialogun tonë me Shqipërinë. Festa e sotme, si e gjithë Java e Kulturës italiane, flet për të ardhmen. Të ardhmen e Vendeve tona, të ardhmen e popujve tanë, të ardhmen e brezit të ri. E ardhmja, më shumë se sa e shkuara, ndikon mbi të tashmen. Të imagjinosh të ardhmen do të thotë të bësh zgjedhje të cilat rregullojnë marrëdhëniet midis njerëzve dhe Vendeve, duke i bërë ato strategjike. Prandaj zgjodhëm që himnet të interpretoheshin nga të rinjtë, sepse ata janë e ardhmja jonë!
Paqja është hapi i parë drejt së ardhmes. Paqja nuk është një mrekulli. Siç ka thënë edhe Presidenti Mattarella, “paqja është fryt i një marrëdhënieje të kujdesshme midis popujve". Në këto kohëra të vështira Italia mbështet, me bindje e këmbëngulje, përpjekjet për paqe: në Ukrainë, në Lindjen e Mesme e kudo tjetër në botë. Pa paqe nuk ka të ardhme e pa bashkëpunim nuk ka paqe; por nuk ka bashkëpunim pa veprim.
Nuk është shpresa ajo që vë në lëvizje veprimin; është veprimi ai që sjell shpresë. Për ne dhe për të tjerët. Bashkëpunim do të thotë të veprosh së bashku. Kështu duam ta festojmë Italinë: një popull që vepron; një popull që 79 vite më parë ka zgjedhur të sjellë në jetë Republikën!
Italia është e angazhuar të bashkëpunojë me Shqipërinë duke u bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore; në shkëmbimin e njohurive e aftësive; në vullnetin për të realizuar projekte të afta të prodhojnë begati e zhvillim gjithpërfshirës; në reformat e nevojshme për të ecur përpara, drejt Evropës e më tej.
Zemë vendin e parë në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë; numërohen më shumë se 3000 ndërmarrje italiane, kryesisht të vogla e të mesme, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë të ndryshëm; nga ai energjetik në atë të shëndetësisë, nga ai mbrojtjes në atë të infrastrukturës, nga ai i agrobiznesit në atë tekstil. Por synimi ynë nuk është të qenit investitorë të thjeshtë, apo tregtarë, por partnerë.
Këtë synojnë 45 projektet e bashkëpunimit për zhvillim me lëvrimin e mbi 320 milionë eurove; këtë synon bashkëpunimi i policisë gjyqësore me 14 skuadrat hetimore të përbashkëta; idenë e partneritetit e përqafojnë edhe 130 marrëveshjet e bashkëpunimit ndëruniversitar. Në fund, kultura: në kohën e hard power-it, është pikërisht momenti i soft power-it. Për Italinë bashkëpunimi kulturor është një mundësi e shkëlqyer për dialog dhe partneritet me Shqipërinë; mbi 150 nisma të realizuara në 2024 e, për këtë vit, 84 deri tani.
Jemi të kënaqur por kjo nuk mjafton. Ka ende potencial të jashtëzakonshëm e të paeksploruar të cilin duam ta shfrytëzojmë duke punuar në tre drejtime kryesore:
-bashkëpunim, të projektosh e të veprosh së bashku, pra jo Italia në Shqipëri por Italia me Shqipërinë;
-diversifikim, eksplorim i mundësive të reja, i sektorëve të rinj dhe hapësirave të reja, pasi potencialet përftohen duke eksploruar;
-në fund edukim, për të edukuar së bashku brezat e rinj të udhëheqësve, të hapur ndaj së ardhmes.
Është një thënie e Thomas Edison tek e cila besoj fort: “vlera e një ideje qëndron në vënien në jetë të saj”.
Shndërrimi i ideve në projekte dhe i projekteve në veprime mbetet synimi ynë. Do të bëjmë edhe gabime, kush punon gabon. Por nuk duam të jemi të përsosur sepse është e pamundur; duam të jemi të pandalshëm, në mënyrë që marrëdhëniet e shkëlqyera mes Italisë e Shqipërisë të shndërrohen në një partneritet strategjik, të vetëdijshëm për angazhimin, besimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë që ky objektiv i rëndësishëm kërkon.
Një partneritet ndërtohet së bashku. Pra, do të kemi nevojë për të gjithë ju. Për bashkëatdhetarët tanë, të cilët i përshëndes me përzemërsi, e i falënderoj për kontributin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme por edhe që sjellin Italinë në këtë Vend. Do të kemi nevojë për sipërmarrjet tona, të vogla por edhe të mëdha, shprehje e një modeli që bazohet tek inovacioni, fleksibiliteti dhe efikasiteti. Përfitoj nga rasti të falënderoj sponsorët tanë, të përfaqësuar këtu me logot përkatëse. Pa ata ky event nuk do të ishte i mundur dhe prania jonë këtu në Shqipëri nuk do të ishte aq domethënëse!
Do të kemi nevojë gjithashtu për partnerët tanë shqiptarë, qofshin këta shtetërorë apo privatë; partnerë që të besojnë tek Italia e të na ndihmojnë në fuqizimin e pranisë sonë në këtë Vend, duke krijuar vlera të përbashkëta e duke ndërtuar një të ardhme në familjen evropiane e cila ju pret!
Do të mundohemi të bëjmë gjithmonë më të mirën. Gjithmonë. Ky është një premtim. Ky është premtimi i Italisë në ditën e Festës së saj.
Rroftë Italia, rroftë Shqipëria!
Komente

Urime italise , por boll na sollet mbeturina ketu .
Përgjigju